Ka përfunduar me sukses kampi treditor i Kombëtares së Kosovës U17 në konkurrencën e vajzave, i organizuar me futbollistet e talentuara të Diasporës.
Gjatë tri ditëve të grumbullimit, 29 futbolliste të gjeneratave 2010, 2011 dhe 2012, nga vende të ndryshme të Evropës, si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvilluan seanca stërvitore intensive nën drejtimin e përzgjedhëses Sanije Krasniqi dhe stafit të saj.
Kampi u mbyll me një ndeshje kontrolluese ndërmjet futbollisteve të grumbulluara, ku vajzat patën mundësinë të shfaqin potencialin, përkushtimin dhe progresin e tyre gjatë këtyre ditëve. Ky takim i shërbeu stafit teknik për të bërë vlerësimin përfundimtar të secilës lojtare. Përzgjedhësja e Kombëtares U17, Sanije Krasniqi, u shpreh e kënaqur me nivelin e treguar nga futbollistet e reja.
“Ka qenë një grumbullim shumë i dobishëm, pasi kemi parë shumë vajza me kualitet. Si staf jemi shumë të kënaqur me vajzat.
Disa prej tyre do t’i ftojmë në grumbullimin e radhës që do ta kemi në mes të gushtit, së bashku me vajzat që aktualisht janë pjesë e Kombëtares, në mënyrë që të përgatitemi sa më mirë për kualifikimet që do të mbahen në Shqipëri me U17 dhe turneun zhvillimor që do të zhvillohet në Maltë për gjeneratën 2012”, ka thënë Krasniqi.
Futbollistja Jona Belegu e ardhur nga SHBA e ka vlerësuar pozitivisht përvojën e këtij kampi, duke theksuar nivelin dhe talentin e vajzave të tjera pjesëmarrëse. “Grupi i vajzave ishte shumë i mirë dhe shumë i talentuar. Kjo më shtyu të punoj edhe më shumë dhe të përpiqem të jem më e mira që mund të jem. Ishte një përvojë shumë e bukur.
Kampi ishte shumë i mirë dhe njerëzit ishin jashtëzakonisht të sjellshëm”, ka thënë Belegu. Ndërkohë, Leona Qela ka treguar emocionet e saj pas ftesës në këtë kamp dhe përshtatjen me bashkëlojtaret. “Po ndihem shumë mirë. Kur kemi ardhur këtu herën e parë na ka ardhur pak marre, por shumë shpejt jemi mësuar me njëra-tjetrën. Kemi kaluar shumë mirë së bashku.
Edhe trajneret janë shumë të mira dhe kemi mësuar disa gjëra të reja. Kemi pasur teori, kemi ushtruar në fushë dhe sot kemi pasur edhe lojën. Kur më ka treguar mami se jam ftuar, jam gëzuar shumë”, ka deklaruar Qela. Futbollistet që kanë lënë përshtypje me paraqitjet e tyre do të vazhdojnë të jenë pjesë e planeve të Kombëtareve të grupmoshave U15 dhe U17.
