Kroacia planifikon ta rrisë numrin e ushtarëve në KFOR

0%

Kroacia planifikon ta rrisë numrin e ushtarëve të saj në misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR), deri në 200 pjesëtarë, raportojnë mediat kroate nga samiti i NATO-s në Ankara. Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, deklaroi se Zagrebi po shqyrton rritjen e kontingjentit kroat në Kosovë, duke theksuar se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor mbetet një nga çështjet kyçe të sigurisë.

“Planifikojmë ta rrisim numrin e ushtarëve kroatë deri në 200, aq sa e lejon vendimi i Parlamentit të Kroacisë”, tha Anushiq. Ai shtoi se, megjithëse brenda NATO-s po shqyrtohet mundësia e zvogëlimit të numrit të përgjithshëm të trupave në KFOR, Kroacia konsideron se prania e Aleancës në rajon duhet të mbetet e fuqishme.

“Gjithmonë theksoj rëndësinë e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe nevojën që NATO të mbetet fuqishëm e pranishme në këtë rajon”, u shpreh ai.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas mediave kroate, Anushiq tha gjithashtu se Kroacia tashmë ka përmbushur një nga objektivat kryesore të NATO-s, duke ndarë më shumë se 1.5 për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) për infrastrukturën e sigurisë, ndërsa për mbrojtjen në tërësi shpenzon 2.1 për qind të BPV-së.

Ministri kroat theksoi se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën dhe se industria kroate e mbrojtjes do të ketë rol më të madh në zhvillimin e dronëve, në kuadër të programit të ri të NATO-s për mbrojtjen kundër dronëve.

Ai njoftoi gjithashtu se Kroacia do të marrë pjesë në projektin e përbashkët të NATO-s për transportin ajror ushtarak, ndërsa ritheksoi se Zagrebi po i përmbush të gjitha detyrimet që ka marrë brenda Aleancës.

Burimi: Bota Sot