Shumë njerëz mendojnë se po i ruajnë më mirë ushqimet, por një rregull i thjeshtë bën dallimin mes sigurisë dhe ngrirjes së padëshiruar Frigoriferi gjithmonë duhet të jetë i vendosur në temperaturë nën 4°C , pavarësisht stinës. Arsyeja është se bakteret fillojnë të shumohen më shpejt kur ushqimi arrin ose kalon këtë temperaturë.
Departamenti Amerikan i Energjisë rekomandon që frigoriferi të vendoset rreth 3°C , ndonëse temperatura mund të ulet edhe deri në rreth 1.5°C . Kjo ndihmon që “zonat më të ngrohta” të frigoriferit, si dera, të mbeten nën 4°C, ndërsa pjesa e pasme të mos bëhet tepër e ftohtë. Rreth 1°C , ushqimi mund të fillojë të ngrijë. A duhet ndryshuar temperatura gjatë verës?
Nëse shtëpia juaj është më e ngrohtë gjatë verës, mund të duket logjike që ta ulni temperaturën e frigoriferit. Megjithatë, te shumica e pajisjeve moderne kjo nuk është e nevojshme. Por, nëse ju duket se frigoriferi nuk po ftoh mjaftueshëm, atëherë duhet ta kontrolloni temperaturën.
Shumë frigoriferë bashkëkohorë kanë ekran digjital që tregon temperaturën aktuale, gjë që e bën kontrollin më të lehtë. Modelet më të vjetra ose më të thjeshta shpesh kanë vetëm rrotëz me numra, për shembull nga 1 deri në 5, ku nuk është gjithmonë e qartë se sa ftohtë është brenda. Në këtë rast, më mirë është të përdorni termometër.
Edhe më mirë është të përdorni dy termometra: njërin në raftin e sipërm dhe tjetrin në raftin e poshtëm, duke i kontrolluar rregullisht. Nëse temperatura i afrohet 4°C, rriteni nivelin e ftohjes. Pastaj kontrollojeni sërish pas 24 orësh për të parë nëse gjendja është përmirësuar, transmeton Telegrafi.
Si ta mbani frigoriferin të ftohtë gjatë verës? • Mos e mbani derën e frigoriferit hapur më gjatë sesa është e nevojshme. • Mos qëndroni para frigoriferit duke menduar se çfarë të merrni. • Një frigorifer i mbushur e mban më lehtë temperaturën; nëse është bosh, vendosni brenda shishe me ujë ose pije. • Mos i bllokoni hapjet e ventilimit brenda frigoriferit. • Lërini ushqimet e ngrohta të ftohen para se t’i vendosni në frigorifer. • Gjatë ndërprerjes së energjisë elektrike, mbajeni derën të mbyllur sa më shumë që të jetë e mundur. • Pastroni rregullisht pluhurin nga rrjetat e pasme të frigoriferit, pra nga kondensatori. • Kontrolloni gomat e derës dhe zëvendësojini nëse nuk mbyllen mirë.
