Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar për mungesën e përfaqësuesve shqiptarë në delegacionin e Maqedonisë së Veriut në samitin e NATO-s në Ankara, që nisi punimet sot, duke thënë se ky është një mesazh i gabuar që Shkupi zyrtar e dërgon te qytetarët dhe jo vetëm. “Në Samitin e NATO-s në Turqi, Maqedonia e Veriut paraqitet me një delegacion pa asnjë përfaqësues shqiptar.
Kjo është pasqyrë e një mentaliteti politik që e sheh shtetin si pronë të një etnie, ndërsa shqiptarët vetëm si dekor të brendshëm” , thuhet në reagimin e BDI-së, transmeton KosovaPress. Sipas kësaj partie, Maqedonia e Veriut është shtet multietnik dhe anëtare e NATO-s falë një arkitekture politike që ndërtohet mbi barazi, përfaqësim dhe Marrëveshjen e Ohrit.
“Delegacionet shtetërore duhet ta reflektojnë realitetin e vendit, jo ta fshijnë atë. Përjashtimi i shqiptarëve nga përfaqësimi më i lartë ndërkombëtar është mesazh i gabuar për qytetarët, për aleatët dhe për vetë karakterin e shtet it:”, thuhet më tutje në qëndrimin e BDI-së.
“Shteti nuk përfaqësohet drejt kur gjysma e realitetit të tij lihet jashtë” Sipas medieve në Maqedoninë e Veriut, këtë vend në samitin e NATO-s në Ankara e përfaqësojnë kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ai i Mbrojtjes, Vlado Misajlovski dhe i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
