Dy shpërthime kanë tronditur kryeqytetin sirian Damask, pranë hotelit Four Seasons, ku kishte qëndruar presidenti francez Emmanuel Macron para takimit me homologun e tij sirian Ahmed al-Sharaa. Macron nuk është lënduar. Sipas Pallatit Élysée, presidenti francez ndodhej në Pallatin Presidencial kur ndodhën shpërthimet.
Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA raportoi se shpërthimet ndodhën gjatë përpjekjeve të forcave të sigurisë për çaktivizimin e dy pajisjeve shpërthyese të gjetura në terren. Nga incidenti mbetën të plagosur të paktën 18 persona, mes tyre edhe 4 efektivë policie. Njëra pajisje shpërtheu pranë hotelit Four Seasons, në qendër të Damaskut, ndërsa tjetra pranë Ministrisë së Turizmit.
Autoritetet siriane thanë se pajisjet ishin prodhuar në mënyrë artizanale dhe ishin vendosur në një automjet të parkuar dhe në një kosh mbeturinash. Ministria e Brendshme siriane bëri të ditur se zona e shpërthimit ishte jashtë perimetrit të sigurisë së përcaktuar për qëndrimin e Macron dhe ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve.
Presidenti francez ndodhej në Siri për një takim me Ahmed al-Sharaan, në vizitën e parë zyrtare të një lideri perëndimor në vend pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit në dhjetor 2024. Shpërthimet ndodhën vetëm pak ditë pas një tjetër sulmi në Damask, ku humbën jetën nëntë persona dhe u plagosën 22 të tjerë.
