Shpërndaje në: Avokati i Popullit ka njoftuar se kanë nisur hetimet lidhur me pretendimet se ka pasur keqtrajtim të të arrestuarve nga policia gjatë festimit të Vidovdanit në Gazimestan që u mbajt më 28 qershor.
Sipas njoftimit, h etimet janë iniciuar me qëllim të verifikimit të fakteve dhe rrethanave të rastit, si dhe për të vlerësuar nëse gjatë trajtimit të personave të arrestuar janë respektuar standardet kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Sipas këtij institucioni, ka pasur ankesa nga disa qytetarë, të arrestuar nga Policia e Kosovës, se janë ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikike gjatë transportimit të tyre në stacion policor, duke deklaruar gjithashtu se ndaj tyre janë cenuar edhe të drejta të tjera të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
“Institucioni i Avokatit të Popullit ka hapur hetime lidhur me pretendimet e publikuara dhe ankesat e pranuara nga disa qytetarë, të arrestuar nga Policia e Kosovës, se janë ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikike gjatë transportimit të tyre në stacion policor, si dhe se ndaj tyre janë cenuar edhe të drejta të tjera të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të hetimeve, Institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë mbledhjen e informatave dhe dokumentacionit përkatës nga autoritetet kompetente, në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor të Institucionit.
