Shpërndaje në: Punëtorët e ndërmarrjes “Prishtina Parking” kanë protestuar të martën lidhur me mosdhënien dhe vonesën e pagave. Ata kërkuan pagën e muajit qershorit dhe 70 përqindëshin e pagës të asaj të gushtit të vitit 2025. Sipas tyre, nëse pagat nuk do të ekzekutohen para datës 5, do të protestohet çdo muaj, raportoi KosovaPress.
Kryetari i sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, Flamur Hajdari kërkoi zgjidhje edhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke shtuar se nuk është kjo hera e parë që kanë probleme me paga. “Arsyeja pse jemi mbledhur sot është se paga që është dashur të ekzekutohet nuk është ekzekutuar ende. Është data 7 sot, me kontratë kemi të drejtë deri më datë 5 të presim.
Pas datës 5 ende nuk është ekzekutuar. Nuk janë të gjithë, se disa i kemi lënë nëpër pika për shkak që mos të neglizhohet e gjithë puna, por sidoqoftë po presim sot gjatë ditës të ekzekutohen. Qëllimi ynë është që t’i bëjmë thirrje edhe kryetarit, z.Përparim Ramës, që le të reflekton diçka ndaj ndërmarrjes sonë… boll jemi në krizë.
Nuk është hera e parë që kemi telashe për paga, por thuajse çdo muaj po e pret, a po del, a nuk po del”, tha Hajdari. Ndërsa anëtari i kësaj sindikate, Safet Zuka tha se kjo protestë ka qenë e paralajmëruar. “Ne kemi pasur takime të rregullta me sindikatë… me ndërmarrjen gjatë gjithë kohës.
Edhe i kemi paralajmëruar, i kemi dhënë një lloj ultimatumi që në qoftë se ndalet rroga, nuk del në kohën e caktuar, ne do të ndërmarrim atë që jemi duke e bërë këtë tash”, tha Zuka. Punëtorët u shprehën të indinjuar pasi sipas tyre, ky problem po përsëritet dhe nuk po gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për pagat.
