Me marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga Irlanda, procesi i zgjerimit është rikthyer në krye të prioriteteve politike të bllokut për gjashtë muajt e ardhshëm.
Paralelisht, Komisioni Evropian po përgatit propozime për reformimin e vetë procesit të zgjerimit, në përpjekje për të rifituar rolin e tij udhëheqës, në një debat që muajt e fundit është dominuar gjithnjë e më shumë nga shtetet anëtare.
Për Kosovën – vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende nuk gëzon statusin e vendit kandidat – këto dy zhvillime kanë ngritur pritshmëritë nëse aplikimi i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 do të trajtohet më në fund gjatë presidencës irlandeze.
Ndonëse Irlanda konsiderohet një shtet miqësor ndaj Kosovës, veçanërisht në krahasim me paraardhësen e saj, Qipron, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vlerësohet se kjo mund të krijojë vetëm një klimë më të favorshme politike, pasi pengesat kryesore strukturore mbeten të pandryshuara. Në programin e Irlandës nuk ka përmendje të posaçme për anëtarësimin e Kosovës.
Pavarësisht kësaj, liderët shtetërorë të Kosovës kanë shfrytëzuar vazhdimisht vizitat zyrtare jashtë vendit dhe takimet me delegacionet e huaja në Prishtinë për të kërkuar mbështetje për avancimin e statusit dhe hapjen e negociatave me BE-në.
Së fundmi, më , Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Albulena Haxhiu, gjatë një takimi me eurodeputetin Riho Terras, raportues i përhershëm i Parlamentit Evropian për Kosovën theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim duhet të trajtohet pa vonesa të mëtejshme dhe se përparimi i vendit duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave.
Sipas Haxhiut, Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë, i cili do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave për anëtarësim.
Presidenca Irlandeze nuk mjafton pa konsensus politik Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Donika Emini, vlerëson se nuk duhet të priten zhvillime të mëdha procedurale vetëm për shkak të ndryshimit të presidencës. “Natyrisht, ky është një tranzicion më i favorshëm për Kosovën pas presidencës së Qipros, një shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Megjithatë, fakti që Irlanda është vend njohës dhe tradicionalisht mbështetës i zgjerimit nuk përkthehet automatikisht në avancim të aplikimit të Kosovës” – tha Emini për Kallxo.com.
Ajo thekson se presidenca e Këshillit mund të ndikojë në tonin politik, të mbajë temën në agjendë dhe të lehtësojë diskutimet mes shteteve anëtare, por nuk mund ta zhbllokojë procesin si e vetme kur mungon konsensusi i përgjithshëm.
“Pengesa kryesore mbetet mungesa e unanimitetit mes shteteve anëtare, veçanërisht për shkak të pesë vendeve mosnjohëse, si dhe konteksti i dialogut Kosovë–Serbi” – u shpreh Emini. Sipas Eminit, vendimet e mëdha si dhënia e statusit të kandidatit kërkojnë një terren të përgatitur mirë politikisht, gjë që aktualisht mungon.
Mbi të gjitha, ajo thotë se nuk ka parë sinjalet politike që zakonisht u paraprijnë vendimeve të rëndësishme në procesin e zgjerimit. “Vendime si dhënia e statusit të vendit kandidat nuk merren papritur.
Ato paraprihen nga një periudhë përgatitore në Bruksel, ku ndërtohet konsensusi politik, testohen pozicionet e shteteve anëtare dhe krijohet një narrativë politike që e bën të mundur vendimin. Për Kosovën, një momentum i tillë nuk është ndërtuar” – vlerësoi ajo.
Emini shton se Kosova ka pasur hapësirë për të qenë më proaktive në diplomaci, por përtej kërkesës formale për shqyrtimin e aplikimit, duhej një angazhim më i vazhdueshëm diplomatik dhe politik për të bindur shtetet anëtare, për të ndërtuar aleanca dhe për ta paraqitur progresin në reforma si argument.
“Mungesa e një qeverie me mandat të plotë dhe dinamikat e brendshme politike e kanë vështirësuar krijimin e këtij presioni politik në Bruksel” – shton ajo. Për më tepër, fokusi aktual i BE-së mbetet te vendet që kanë avancuar më shumë në negociata, si Mali i Zi dhe Shqipëria, ku edhe instrumentet financiare si Plani i Rritjes po orientohen drejt vendeve që tregojnë rezultate konkrete.
Ndërkaq, kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj shprehu shpresën se gjatë presidencës irlandeze do të intensifikohen përpjekjet për ndërtimin e konsensusit brenda BE-së, duke shtuar se Kosova mbetet në një pozitë mjaft të favorshme krahasuar me vendet e tjera të rajonit në kohën kur ato kanë marrë statusin e kandidatit.
“Ne jemi demokracia më e avancuar e rajonit, qëndrojmë mirë në të gjithë indikatorët e matjes së sundimit të ligjit dhe të zhvillimit ekonomik, si dhe kemi progres të vazhdueshëm në zbatimin e reformave në të gjithë 33 kapitujt e anëtarësimit” – tha ai për Kallxo.com. Reforma e zgjerimit: Mundësi e re apo sfidë e radhës?
Paralelisht me këtë tranzicion, Komisioni Evropian po përgatit propozime për reformimin e procesit të zgjerimit. Sipas një raportimi të medias Euronews , synohet forcimi i mekanizmave të sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe një integrim gradual i vendeve aspirante përpara anëtarësimit të plotë.
Emini sqaron se ky debat nuk ndryshon destinacionin final të Kosovës, por ndryshon formën e rrugëtimit. “Ideja që po diskutohet gjithnjë e më shumë është që vendet e Ballkanit Perëndimor të mos presin deri në fund të procesit për të marrë përfitime konkrete, por t’i zhbllokojnë ato gradualisht, në varësi të progresit në integrimin evropian.
Kjo mund të nënkuptojë qasje më të hershme në programe, tregun e përbashkët dhe përfitime ekonomike e financiare” – vlerëson Emini. Megjithatë, ajo tërheq vërejtjen se mbetet e paqartë se sa mund të përfitojë Kosova në fazën ku ndodhet.
Sipas saj, shumica e këtyre mekanizmave janë ndërtuar mbi logjikën e progresit në procesin formal: sa më shumë avancim në statusin e kandidatit dhe në hapjen e kapitujve, aq më i madh është përfitimi. “Kosova ende nuk e ka statusin e kandidatit, andaj përfitimet konkrete mbeten të paqarta.
Sfida kryesore do të jetë nëse institucionet e Kosovës do të arrijnë t’i përdorin këto hapësira në mënyrë efektive” – thotë ajo. Sipas saj, kjo qasje e re e BE-së, do të thotë qasje më e madhe në programe të BE-së, pjesëmarrje më e hershme në politika të caktuara evropiane, prani në disa forume vendimmarrëse dhe përfitime financiare e ekonomike që rriten me avancimin e reformave.
“Kjo logjikë është reflektuar edhe në diskutimet franko-gjermane dhe në idetë e prezantuara së fundi në samitin e Tivatit, ku është propozuar një lloj ‘rrugëzimi’ që lidh nivelin e integrimit me përfitimet konkrete që një vend mund të marrë” – shtoi ajo.
Në parim, ajo thotë se kjo mund të jetë pozitive për Kosovën, sepse krijon mundësi për angazhim gradual me BE-në edhe nëse procesi i anëtarësimit të plotë mbetet i bllokuar politikisht. “Mund të hapen kanale të reja bashkëpunimi dhe integrimi sektorial që nuk varen domosdoshmërisht nga zgjidhja e menjëhershme e të gjitha çështjeve politike.
Megjithatë, këtu ka edhe një kufizim të rëndësishëm” – shtoi ajo. A i ka plotësuar Kosova kushtet për anëtarësim? Sa i përket deklaratave institucionale se Kosova i ka plotësuar të gjitha detyrat për anëtarësim, Emini konsideron se megjithatë Kosova nuk i ka “përfunduar” detyrat, por më shumë ka bërë progres në shumë fusha, përderisa procesi i anëtarësimit është, në vetvete, një punë e vazhdueshme.
“Nga perspektiva e institucioneve të Kosovës mund të argumentohet se janë përmbushur një sërë kriteresh të rëndësishme, por nga bisedat dhe sinjalet që vijnë nga Brukseli nuk krijohet përshtypja se ekziston një vlerësim se Kosova i ka përmbushur tashmë të gjitha kushtet politike dhe reformuese për hapin e radhës” – thotë ajo.
Nga njëra anë, sipas Eminit, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian sepse ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim, është pjesë e procesit të stabilizim-asociimit për më shumë se një dekadë dhe, përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ka ndërtuar një kornizë të gjerë reformash që e afron gradualisht me acquis dhe standardet e BE-së.
Megjithatë, sipas saj, procesi i zgjerimit nuk funksionon me logjikën se “i kryen detyrat” dhe më pas pret vendimin politik, por është një proces i vazhdueshëm, ku progresi duhet të dëshmohet vazhdimisht dhe ku pritshmëritë e BE-së ndryshojnë në përputhje me zhvillimet politike dhe reformat.
Ajo thotë se nga perspektiva e Brukselit, ka disa elemente që vazhdojnë të konsiderohen problematike, si për shembull njëri prej tyre është ritmi i reformave të lidhura me Planin e Rritjes.
Derisa tri vende të rajonit po bëhen gati të arkëtojnë miliona eurot e para nga Plani i Rritjes i Komisionit Evropian, Kosova llogaritet se ka humbur mbi 40 milionë euro , ndërsa po pritet vetëm vendimi përfundimtar i Brukselit.
Edhe pse ky instrument u krijua për të ofruar një kombinim të fortë të mbështetjes financiare dhe incentivave politike për vendet e Ballkanit Perëndimor, Emini thotë se Kosova nuk ka arritur ta shfrytëzojë këtë momentum në mënyrën e pritur.
Kjo, sipas saj, krijon përshtypjen se procesi reformues ka humbur ritëm pikërisht në një moment kur BE-ja po ofronte instrumente konkrete për ta përshpejtuar atë. Po aq i rëndësishëm, Emini thotë se mbetet dialogu me Serbinë.
“Edhe nëse në Kosovë perceptohet se dialogu aktualisht ka humbur dinamikën për shkak të zhvillimeve politike në Serbi, në Bruksel ai mbetet një nga parametrat kryesorë për vlerësimin e progresit të Kosovës” – thotë ajo, duke shtuar se çështje si zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, përfshirë obligimet që dalin prej tyre, vazhdojnë të jenë pjesë e vlerësimit politik të BE-së.
Në anën tjetër, kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, këmbëngul se vendi i ka përmbushur detyrat e veta dhe pret një vlerësim meritor. “Ky nuk është vendim që na takon neve, është një vendim që duhet ta marrë Bashkimi Evropian.
Ne kemi plotësuar të gjitha kërkesat dhe kriteret që kërkohen në një proces meritor për anëtarësim, si për marrjen e statusit kandidat, ashtu edhe për hapjen e negociatave” – deklaroi Zulfaj për Kallxo.com. Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në BE më .
Përveç dinamikave të reformave të brendshme, rrugëtimi i saj mbetet i ndërlikuar nga pesë shtetet anëtare të BE-së – Spanja, Rumania, Qipro, Greqia dhe Sllovakia – që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e saj. Ajo mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat.
Vendeve që i janë bashkuar BE-së në vitet 2004, 2007 dhe 2013 – tri zgjerimet e fundit të bllokut europian – u janë dashur nga tetë deri në 14 vjet që nga dorëzimi i aplikimit e deri te anëtarësimi në BE.
Ky proces merr kohë pasi që vendi kandidat duhet t’i përmbushë disa kritere, t’i përshtatë ligjet e veta me ato të BE-së, si dhe të presë ratifikimin e traktatit për anëtarësim në parlamentet e secilit vend anëtar të BE-së. Kriteret për aplikim – të njohura si “Kriteret e Kopenhagës” – kanë të bëjnë me stabilitetin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe funksionalitetin e tregut ekonomik.
Për vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendosur edhe disa kushte shtesë, të përcaktuara përmes Procesit të Stabilizim-Asociimit. Kroacia – vendi i fundit që iu bashkua BE-së, në vitin 2013 – kishte aplikuar për anëtarësim më pak se 1 vit e gjysmë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Por, i gjithë procesi deri në anëtarësimin e Kroacisë kishte zgjatur 12 vjet.
Në rastin e Kosovës, është hera e parë që një shtet aplikon për anëtarësim pa u njohur zyrtarisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës janë Spanja, Rumania, Qipro, Greqia dhe Sllovakia. Kosova kishte arritur Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, që u nënshkrua në Strasburg, më 17 tetot 2015.
