Nga: Besartë Elshani Shpërndaje në: Bienalja nomade evropiane e artit, “Manifesta” është një lloj synimi për shumë artistë, por edicioni i sivjetmë në Gjermani, për Albe Hamitin është rikthimi i një mundesie të humbur. Katër vjet më parë, nuk mori pjesë në Prishtinë, por tash është e vetmja artiste shqiptare. Ajo pyet për ndjenjat e vetmisë, izolimit, humbjes dhe shkëputjes nga rrënjët.
Por vepra e saj, “De-Life” mbi të gjitha frymon te tjetërsimi. “Shpresa ime është që vepra të krijojë jehonë te publiku – jo domosdoshmërisht duke përcjellë një mesazh të vetëm e të pandryshueshëm, por duke zgjuar diçka personale te secili”, ka thënë ajo Para katër vjetësh, kur bienalja nomade evropiane “Manifesta 14” e futi Prishtinën në hartën e artit bashkëkohor ndërkombëtar, Albe Hamiti nuk mundi të ishte pjesë e saj.
Një moment i rëndësishëm jetësor ia kishte pamundësuar praninë në ngjarjen më të madhe artistike që zhvillohej në vendin prej nga i ka rrënjët. Pas katër vjetësh, ajo është e vetmja shqiptare që prezantohet në edicionin e 16-të të bienales “Manifesta”, që këtë verë shtrihet në rajonin Ruhr të Gjermanisë.
Me video-instalacionin “De-Life”, ajo nuk flet vetëm për vetminë, por për heshtjen që ajo lë brenda njeriut, për boshllëqet që krijon tjetërsimi dhe për kërkimin e vazhdueshëm të vetes në botën përherë e më të ndarë.
Në hapësirën historike “Christ-König” në Bochum, njëri prej 12 vendeve ekspozuese të shpërndara në katër qytete të rajonit Ruhr, vepra e Hamitit ndërton dialog të heshtur me arkitekturën, me publikun dhe me veprat e artistëve të tjerë.
Pikërisht aty, ku historia e ndërtesës takohet me artin bashkëkohor, video-instalacioni i saj, siç ka thënë Hamiti, shpalos një reflektim mbi mpirjen emocionale dhe përpjekjen për të rikthyer ndjeshmërinë përmes marrëdhënies me mjedisin e afërt.
“Ajo shtron pyetjen se si ndjenjat e vetmisë, izolimit, humbjes dhe shkëputjes nga rrënjët ndikojnë në mënyrën se si e perceptojmë veten dhe botën që na rrethon, si dhe nëse ndërveprimi me mjedisin tonë të afërt mund të ofrojë një rrugë për t’u rikthyer te lidhja emocionale”, ka thënë artistja. Ky reflektim nuk ka lindur rastësisht.
Ai ushqehet nga realiteti që tashmë nuk është vetëm personal. “Vepra lindi nga vëzhgimi se vetmia dhe tjetërsimi emocional nuk janë më vetëm përvoja individuale, por janë bërë gjithnjë e më shumë një realitet i dukshëm shoqëror.
Fakti që Berlini emëroi komisionerin e tij të parë për Vetminë në fillim të vitit 2024 pasqyron njohjen në rritje politike dhe institucionale të këtij fenomeni”, është shprehur artistja Albe Hamiti, e cila jeton dhe punon në Berlin. Ajo u lind më 1988. Praktika e saj artistike përqendrohet tek identiteti, perceptimi emocional dhe pozicioni i individit në shoqëri.
Siç shkruhet në biografinë e saj, ajo përmes videos, fotografisë dhe instalacionit ndërton struktura të hapura eksperimentale, ku përvoja personale bëhet pikënisje për të artikuluar emocione kolektive. Veprat e saj karakterizohen nga ndershmëria, cenueshmëria dhe forca shprehëse, duke krijuar hapësira reflektimi për çështje që prekin një numër gjithnjë e më të madh njerëzish.
Tema e vetmisë është një prej pikënisjeve konceptuale të veprës. Seriozitetin e kësaj çështjeje e dëshmon edhe fakti se më 1 shkurt të 2024-s, distrikti Reinickendorf i Berlinit emëroi komisionerin e parë komunal me kohë të plotë në Gjermani për çështjen e vetmisë, duke e trajtuar atë si një sfidë sociale që kërkon politika publike dhe vëmendje të veçantë.
Në video-instalacionin “De-Life” të Hamitit, kjo temë zhvendoset nga politika te përvoja intime e individit. Siç shkruhet për veprën e kuruar nga kritikja e njohur polake, Anda Rottenberg dhe kuratori Krzysztof Kościuczuk, të cilët janë edhe kuratorët kryesorë të ekspozitës, ajo eksploron përpjekjen për të rifituar ndjenjat e zbehura nga mpirja emocionale.
Në konceptin kuratorial shkruhet se ajo “shqyrton tjetërsimin personal dhe shoqëror, duke i vendosur përvojat e derealizimit dhe depersonalizimit në lidhje me vetminë, izolimin, depresionin, ankthin dhe ndjenjat e zhvendosjes, humbjes ose zhvendosjes”. Sipas autores, vetë titulli i veprës e shpjegon këtë gjendje. “Për mua, titulli ‘De-Life’ i referohet një gjendjeje tjetërsimi.
Parashtesa ‘De’ sugjeron largim ose humbje, ndërsa njëkohësisht aludon edhe për përvojat e derealizimit dhe depersonalizimit. Shpresa ime është që vepra të krijojë jehonë te publiku – jo domosdoshmërisht duke përcjellë një mesazh të vetëm e të pandryshueshëm, por duke zgjuar diçka personale te secili”, ka thënë Hamiti.
Në qendër të praktikës artistike të saj qëndron identiteti, por jo si një përkufizim i ngurtë. Ai shfaqet si territor në lëvizje të vazhdueshme. “Mendoj se migrimi e ndryshon në mënyrë të pashmangshme identitetin e njeriut. Megjithatë, ky transformim zakonisht ndodh gradualisht dhe shpesh kalon pa u vënë re.
Nuk ndiej më se i përkas ekskluzivisht kulturës sime të origjinës apo vetëm kulturës gjermane. Me kalimin e kohës kam zhvilluar një identitet që i bashkon të dyja botët”, është shprehur ajo në një përgjigje me shkrim për KOHËN. “Në të njëjtën kohë, mbetet një hapësirë ndërmjet tyre, të cilën e banoj.
Ajo nuk mund t’i përkasë qartë as njërës dhe as tjetrës kulturë dhe nganjëherë shoqërohet me ndjenjën e vetmisë. Por është gjithashtu një hapësirë reflektimi, ku bëhet e mundur të pranohen dhe të pajtohen të dyja perspektivat”, ka vazhduar ajo. Përvoja personale e saj shndërrohet në reflektim më të gjerë.
“Çështjet e identitetit janë të pandashme nga temat e vetmisë dhe tjetërsimit në ‘De-Life’. Megjithatë, vepra nuk fokusohet te rolet gjinore. Përkundrazi, ajo eksploron marrëdhënien ndërmjet individit, vetes dhe mjedisit që e rrethon”, ka thënë artistja teksa ka theksuar se tema përkon me boshtin kuratorial të edicionit të 16-të të bienales “Manifesta”.
“Koncepti i ‘De-Life’ u zhvillua në mënyrë të pavarur nga ekspozita. Megjithatë, fakti që tjetërsimi ishte një nga temat qendrore të ‘Manifestas’ së këtij viti e vuri në pah rëndësinë e veprës brenda kontekstit kuratorial”, ka theksuar ajo.
Edicioni i 16-të i bienales nomade evropiane po zhvillohet në rajonin Ruhr, një territor i njohur dikur për industrinë e rëndë, i cili sot është shndërruar në një laborator kulturor.
Bëhet me dije se me ekspozita të shpërndara në katër qytete dhe 12 hapësira të ndryshme, “Manifesta” këtë vit eksploron mënyrat se si transformimet ekonomike, migrimi, kujtesa kolektive dhe ndjenjat e tjetërsimit formësojnë jetën bashkëkohore.
Bienalja vazhdon traditën e saj nomade, duke ndryshuar qytetin pritës në çdo edicion dhe duke ndërtuar çdo herë një program të lidhur ngushtë me kontekstin lokal. Më 2022, Prishtina e priti bienalen prej 22 korrikut deri më 31 tetor. Pra, plot njëqind ditë.
E fokusuar në katër shtylla – në ish-hapësirën industriale të Fabrikës së Tullave, hotelin “Grand”, ish-bibliotekën “Hivzi Sulejmani” e një varg transformimesh të tjera – Bienalja kishte premtuar në fillim të muajit prill që në 100-ditëshin e organizimit t’i sjellë Kosovës 100 mijë vizitorë. Shtetit i kushtoi mbi 4 milionë euro.
Të dhënat e konferencës përmbyllëse kishin treguar për tetëfishin e paralajmëruar, duke numëruar afro 800 mijë vizita. Për 100 ditë, u shtri në 25 lokacione dhe 103 artistë pjesëmarrës vendorë e të huaj. E vitin e kaluar, “Manifesta” u mbajt në Barcelonë. Artistja Albe Hamiti e ka përshkruar bashkëpunimin me ekipin e bienales si pjesë të rëndësishme të procesit krijues.
“Ftesa dhe bashkëpunimi me kuratorët, sidomos në gjetjen e hapësirës dhe instalimit, ishte një përvojë e jashtëzakonshme, sidomos bashkëpunimi me Anda Rottenberg, me të cilën kam qenë në kontakt të vazhdueshëm”, ka thënë ajo. Sipas saj, vetë hapësira ekspozuese është bërë pjesë e kuptimit të veprës.
“Christ-König në Bochum është njëra nga 12 hapësirat ekspozuese të shpërndara në katër qytete të rajonit Ruhr. Besoj se kjo hapësirë i është përshtatur shumë mirë konceptit dhe temës që trajton vepra. Po aq i rëndësishëm është edhe dialogu që krijohet ndërmjet veprave të ekspozuara, një aspekt që kuratorët e kanë ndërtuar me shumë kujdes.
Për mua ishte gjithashtu një kënaqësi ta ndaj këtë venue historike me vepra dhe artistë të vlerësuar të skenës së artit”, është shprehur Hamiti. Për të, pjesëmarrja në këtë bienale është një lloj bartjeje e dëshirës për pjesëmarrje në edicionin e organizuar në Prishtinë. “Kjo përputhje ka një domethënie të veçantë për mua.
Në vitin 2022 nuk munda të marr pjesë në ‘Manifesta’ në Prishtinë për shkak se u bëra nënë, edhe pse Kosova është një pjesë thelbësore e identitetit tim. Katër vjet më vonë, të jem pjesë e ‘Manifesta’-s në Gjermani – një vend ku jetoj dhe punoj prej shumë vjetësh dhe që gjithashtu është bërë pjesë e identitetit tim – ndihet si mbyllja e një rrethi, në një mënyrë tjetër”, ka thënë ajo.
Nga 21 qershori deri më 4 tetor sa qëndron hapur ekspozita e “Manifesta 16”, vepra “De-Life” bëhet hapësirë ku njeriu përpiqet ta dëgjojë sërish vetveten.
