Nga: Fadil Maloku Shpërndaje në: Andaj, në gjykimin sociologjik, pyetja më thelbësore në rastin për të cilin po flasim nuk është vetëm nëse Lumir Abdixhiku duhet apo jo të japë dorëheqje, por: a është problemi i kësaj plandosjeje sistematike të LDK-së produkt i paaftësisë së Lumirit dhe mungesës së karizmës për ta gjetur formulën e duhur për fitore politike, apo problemet duhet të adresohen diku tjetër, si p.sh. te rishqyrtimi i modelit dhe narratives së organizimit të gjitha strukturave partiake?
Para se të japim një përgjigje meritore në titullin e vendosur në formë hipoteze, do të thosha se vetë ngritja e idesë apo akti i insistimit për dorëheqjen (ose mosdorëheqjen) e mundshme të kryetarit të LDK-së, profesorit Lumir Abdixhiku, nuk është ndonjë kërkesë apo insistim i menjëhershëm nga individë ose grupe interesi brenda vetë këtij subjekti.
Përkundrazi, është një tagër që vetë ai e ka promovuar vazhdimisht publikisht, në rast se nuk arrin ta rrisë kuotën elektorale. Megjithatë, për ta argumentuar sociologjikisht këtë konstatim, duhet paraprakisht të parashtrojmë disa hipoteza analitike e sociologjike.
E para, ajo që mund të adresohet rreth kësaj tematike ka të bëjë me krizën e thellë të legjitimitetit politik që është duke e përcjellë këtë subjekt, ku pothuajse të njëjtat klane zhvillojnë beteja për marrjen e primatit dhe legjitimitetit politik.
Një pjesë e anëtarësisë, por edhe e opinionit të gjerë publik, ka filluar të bindet se rezultatet në të gjitha këto palë zgjedhje nuk po përputhen askund me pritjet, me planet, e as me narrativën e ndonjë fitoreje, qoftë edhe “fitore të Pirros”, të këtij subjekti me historinë më të gjatë politike, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
Të paktën kështu flet logjika e përgjegjësisë politike. E dyta, lidershipi aktual i këtij subjekti, por edhe vetë kryetari, madje edhe publiku i gjerë, duhet të kuptojnë se në demokracitë bashkëkohore suksesi dhe dështimi shpesh i atribuohen individit dhe jo organizatës.
Në secilën parti politike bashkëkohore, figura e kryetarit është “lokomotiva” simbolike e të gjitha kënaqësive e pakënaqësive, sukseseve e dështimeve, por edhe e fitoreve apo humbjeve në një cikël të caktuar zgjedhor.
E treta, dorëheqja e kërkuar, pa asnjë dyshim, duhet parë edhe si narrativë e një pjese të konkurrencës brenda vetë partisë, e cila bën plane si për kontrollin e partisë, ashtu edhe për pozicionet e saj, gjë që është një e drejtë legjitime në çdo parti politike bashkëkohore.
Tekefundit, ndërrimi i elitave politike, sipas Vilfredo Pareto-s, por edhe Gaetano Mosca-s, është një proces jo vetëm i shëndetshëm për partitë politike, por edhe i domosdoshëm, sepse ua rikujton liderëve përgjegjësinë që kanë si për dështimet, ashtu edhe për sukseset.
Andaj, në gjykimin sociologjik, pyetja më thelbësore në rastin për të cilin po flasim nuk është vetëm nëse Lumir Abdixhiku duhet apo jo të japë dorëheqje, por: a është problemi i kësaj plandosjeje sistematike të LDK-së produkt i paaftësisë së Lumirit dhe mungesës së karizmës për ta gjetur formulën e duhur për fitore politike, apo problemet duhet të adresohen diku tjetër, si p.sh. te rishqyrtimi i modelit dhe narrativës së organizimit të gjitha strukturave partiake?
Pastaj, a është qëllimi i dorëheqjes ndryshimi i kursit politik, i cili do të artikulohej përmes një lideri të ri, inovativ si në ide, ashtu edhe në planifikimin partiak, apo kemi të bëjmë vetëm me një ndryshim kozmetik dhe një improvizim politik të radhës?
Dhe pyetja tjetër, që mendoj se është edhe më e rëndësishmja, është kjo: a janë këto kërkesa dhe insistime vërtet të motivuara nga nevoja për ta futur partinë në një konkurrencë shumë më të ashpër me rivalët e tjerë të skenës aktuale politike në Kosovë, apo imperativi i tyre mbetet ripozicionimi dhe rivaliteti i brendshëm për pushtet partiak?
Veçse, për një frymë të tillë nevojiten njerëz të rinj, pa hipoteka e pa skandale, projekte alternative, si edhe motive të reja për të mobilizuar dhe bindur qytetarët e të gjitha shtresave.
Andaj them me plotë bindje që LDK-ja dhe e gjithë opozita, nuk ka krizë lidershipi, por ka krizë modeli dhe narrative alternative për proceset dhe zhvillimet aktuale të Republikës së Kosovës… (Autori është sociolog)
