Qindra familje në Kosovë vazhdojnë të jetojnë mes shpresës dhe dhimbjes, pa e ditur ende fatin e më të dashurve të tyre që u zhdukën gjatë luftës. Edhe 27 vjet pas përfundimit të saj, çështja e personave të zhdukur mbetet një nga plagët më të rënda dhe më të pambyllura të shoqërisë kosovare.
Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998, në kuadër të një fushate të gjerë arrestimesh, civilë të pafajshëm u ndaluan dhe u dërguan në burgje të ndryshme në Serbi. Rreth 2,000 persona u privuan nga liria, ndërsa një pjesë e tyre mbetën në paraburgim dhe në burgje deri në fund të vitit 2002.
Sipas të dhënave, rreth 48 persona nga Gjilani, Kamenica, Ranillugu, Parteshi dhe Vitia vazhdojnë të figurojnë në listën e personave të zhdukur. Këto rrëfime janë sjellë në dokumentarin e realizuar nga BIRN Kosova, i cili dokumenton dëshmitë e familjarëve të personave të zhdukur, dëshmitarëve dhe personave të përfshirë në procesin e kërkimit të tyre.
Dokumentari është realizuar pas më shumë se 200 orësh intervista dhe trajton jo vetëm historitë personale të familjeve, por edhe krimet e kryera gjatë luftës, përfshirë transportimin e trupave të viktimave të masakrave kolektive në Serbi, me qëllim fshehjen e gjurmëve të krimit. Në këtë mund ta shikoni dokumentarin të plotë.
Pas shfaqjes së dokumentarit u organizua edhe një debat publik, ku u diskutuan sfidat që vazhdojnë ta përcjellin procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, përgjegjësia institucionale për hetimin e krimeve të luftës, mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe roli i familjarëve, institucioneve dhe shoqërisë civile në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë.
Në debat morën pjesë Ilir Morina nga Prokuroria Speciale, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Kreshnik Gashi nga KALLXO.com, të cilët folën për sfidat e hetimeve, procesin e identifikimit të mbetjeve mortore dhe pengesat që, edhe pas më shumë se dy dekadash, vazhdojnë ta mbajnë të pazbardhur fatin e mbi 1,600 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Duke folur për sfidat e hetimit të krimeve të luftës dhe zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, tha se gjatë pesë viteve të fundit institucionet kanë ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar hetimet, duke krijuar struktura të specializuara si në Prokurorinë Speciale, ashtu edhe në Policinë e Kosovës.
Sipas tij, një nga zhvillimet më të rëndësishme ka qenë themelimi i Njësisë për Personat e Pagjetur në kuadër të Policisë së Kosovës, e cila merret ekskluzivisht me mbledhjen dhe përpunimin e informacioneve që lidhen me rastet e personave të zhdukur. “Policia e Kosovës ka krijuar një strukturë të posaçme, e cila merret me adresimin e krimeve të luftës dhe është e ndarë në dy njësi.
Njësia e parë merret vetëm me hetimin e vrasjeve, dëbimeve dhe veprave të tjera, kurse njësia e dytë, që quhet Njësia për Personat e Pagjetur, adreson të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me personat e pagjetur. Aty janë caktuar 11 policë, të cilët ekskluzivisht, 24 orë merren me informacionet për të pagjeturit” – tha Morina.
Ai shpjegoi se hetimet mbështeten në tri burime kryesore të informacionit. Fillimisht janë dosjet dhe të dhënat e trashëguara nga misionet ndërkombëtare që kanë vepruar në Kosovë, si UNMIK-u, EULEX-i dhe KFOR-i.
Burimi i dytë janë informacionet që shkëmbehen vazhdimisht me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, ndërsa grupi i tretë përbëhet nga informacionet që institucionet i marrin nga qytetarët.
Morina theksoi se pikërisht informacionet e qytetarëve kanë rezultuar vendimtare në shumë raste, duke përmendur si shembull rastin e gjetjes së eshtrave në afërsi të Liqenit të Livoçit, në rajonin e Gjilanit. “Një rast konkret që lidhet me regjionin tuaj është rasti i eshtrave që kemi gjetur te Liqeni i Livoçit. Qytetarët njoftojnë Policinë dhe ky është veprimi i duhur.
Sapo të gjejnë eshtra, pa marrë parasysh origjinën e tyre, duhet ta njoftojnë Policinë. Në këtë rast, Policia e Gjilanit e ka njoftuar njësinë e specializuar në Prishtinë dhe më pas, së bashku me Mjekësinë Ligjore, është bërë ekzaminimi” – tha ai.
Megjithëse ekspertiza kishte konstatuar se ato mbetje mortore nuk i përkisnin periudhës së luftës në Kosovë, Morina tha se rasti dëshmon rëndësinë e raportimit të çdo informacioni, pasi secili lokacion regjistrohet dhe mund të rikontrollohet nëse paraqiten të dhëna të reja.
“Ne kemi raste kur na duhet për herë të dytë e të tretë të dalim në të njëjtin lokacion, sepse informacionet vijnë të tilla” – shtoi ai. Prokurori u bëri thirrje qytetarëve që të mos përpiqen të vlerësojnë vetë nëse mbetjet mortore lidhen apo jo me luftën, por t’i drejtohen menjëherë institucioneve përgjegjëse.
“Opsioni më i mirë i mundshëm është Policia e Kosovës dhe Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur. Këto janë dy adresat më të sigurta ku informacioni juaj nuk mbetet në heshtje, por vjen deri në qendër, që është zyra jonë, ose deri te gjyqtari për një urdhër” – deklaroi Morina.
Duke folur për ndjekjen penale të autorëve të krimeve të luftës, Morina tha se Prokuroria Speciale është duke punuar intensivisht edhe për rastet që lidhen me rajonin e Gjilanit. Ai bëri të ditur se deri më tani janë ngritur dy aktakuza në mungesë, si dhe një aktakuzë tjetër ndaj katër personave që ndodhen në proces gjyqësor.
“Tashmë për regjionin tuaj kemi ngritur dy aktakuza, të cilat janë në mungesë, dhe kemi një aktakuzë me katër persona, e cila është me prezencën e tyre dhe është në gjykim e sipër” – tha Morina.
Sipas tij, fokusi fillestar i hetimeve mbetet identifikimi i autorëve të drejtpërdrejtë të krimeve, ndërsa në rastet kur kjo nuk është e mundur, Prokuroria mbështetet në konceptin e përgjegjësisë komanduese, një standard i njohur nga e drejta ndërkombëtare.
“Nëse nuk arrijmë të kemi sukses në identifikimin e kryerësve të drejtpërdrejtë, fokusohemi te përgjegjësia komanduese, sepse konventat ndërkombëtare e njohin përgjegjësinë e komandantit për veprimet e ushtarëve ose pjesëtarëve të tij. Mbi bazën e kësaj përgjegjësie mundohemi t’i paraqesim aktakuzat në gjykatë” – tha ai.
Morina vlerësoi se ndryshimet ligjore që mundësuan zhvillimin e gjykimeve në mungesë kanë krijuar më shumë hapësirë për avancimin e hetimeve të krimeve të luftës. “Një hapësirë e mirë që na ka lehtësuar punën është gjykimi në mungesë.
Ai na ka krijuar mundësi që, në njërën anë, të mbledhim prova të mjaftueshme dhe, në anën tjetër, të identifikojmë emrat konkretë ndaj të cilëve ngrisim aktakuzë. Megjithatë, gjithmonë duhet pasur parasysh se personi është i pafajshëm derisa nuk shpallet fajtor me një aktgjykim përfundimtar” – theksoi Morina.
Ndërsa për sfidat që vazhdojnë ta përcjellin procesin e kërkimit të personave të zhdukur, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur tha se pavarësisht kalimit të 27 vjetëve nga përfundimi i luftës, institucionet vazhdojnë ta trajtojnë me prioritet çdo informacion të ri që mund të çojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Sipas tij, vetëm në rajonin e Gjilanit ende nuk dihet fati i 48 personave, ndërsa gjatë viteve janë realizuar mbi 100 gërmime vlerësuese në lokacione të ndryshme pas çdo informacioni të pranuar. “Aktualisht në rajonin e Gjilanit kemi edhe 48 persona, për fatin dhe vendndodhjen e të cilëve nuk dihet gjë.
Megjithatë, këtë angazhim të përbashkët e kemi shtrirë në më shumë se 100 lokacione, ose më shumë se 100 veprime në kuptimin e gërmimeve vlerësuese në këtë regjion. Çdo informatë që është pranuar është adresuar me shumë prioritet” – tha Gara.
Ai theksoi se sfidat kryesore vazhdojnë të mbeten mungesa e informacioneve të besueshme dhe kalimi i kohës, duke shtuar se shumë të dhëna që do të ndihmonin në zbardhjen e rasteve pritet të gjenden në arkivat e institucioneve të Serbisë.
“Sigurisht që sfidë në proces mbetet mungesa e informacioneve kredibile, të cilat në rastin e Kosovës do të duhej të vinin nga arkivat e institucioneve të Serbisë. Po aq sfidues është edhe faktori kohë. Megjithatë, çdo informatë që pranohet adresohet me shumë prioritet” – u shpreh ai.
Gara tha se në gjithë Kosovën vazhdojnë të jenë të zhdukur 1,565 persona si pasojë e luftës, ndërsa deri më tani institucionet kanë kryer gërmime vlerësuese në më shumë se 2,700 lokacione të ndryshme.
“Kemi më shumë se 2,700 lokacione të adresuara në kuptim të gërmimeve vlerësuese dhe do të vazhdojmë të jemi në bashkëpunim të ngushtë me familjet, në respektim të një të drejte elementare, siç është e drejta për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre” – tha ai.
Duke folur për rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive, Gara u ndal edhe te figura e heroit të kombit, mulla Idriz Gjilani, duke e cilësuar atë si një nga personalitetet më emblematike të historisë shqiptare, fati i të cilit vazhdon të mbetet i pazbardhur.
Ai kujtoi se sipas të dhënave historike dhe familjare, vendndodhja e Mmulla Idriz Gjilanit nuk dihet që nga nëntori i vitit 1949, ndërsa përpjekjet për identifikimin e mbetjeve mortore që dyshohej se mund t’i përkisnin atij nuk kanë dhënë rezultat.
“Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, bashkë me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Agjencinë e Forenzikës, kemi tentuar të identifikojmë disa pjesë kockore që ishin gjetur në hyrje të qytetit të Gjilanit, por nuk ka pasur përputhje. Realisht, vendndodhja e mulla Idriz Gjilanit mbetet e panjohur. Por sigurisht që nuk mund të mbetet e panjohur historia dhe kontributi i tij” – deklaroi Gara.
Në fund, ai shprehu mirënjohje për familjet e personave të zhdukur, duke thënë se ato kanë qenë partnerë të pandashëm të institucioneve gjatë gjithë procesit të kërkimit. “Përkundër dhimbjes dhe ankthit të pritjes, guximi dhe dinjiteti i këtyre familjeve është i jashtëzakonshëm, është frymëzues.
Në krejt këtë rrugëtim institucional e kemi bërë çdo hap bashkë me familjet e personave të zhdukur” – përfundoi Gara. Duke shpjeguar procesin e identifikimit të mbetjeve mortore, Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore tha se ky institucion është hallka përfundimtare në procesin e identifikimit të personave të zhdukur, duke kryer jo vetëm ekzaminimet shkencore, por edhe duke mbështetur familjet në një nga momentet më të vështira të jetës së tyre.
Haliti sqaroi se Instituti i Mjekësisë Ligjore është institucioni i vetëm qendror në Kosovë që ofron shërbime mjekoligjore, ndërsa brenda tij funksionon një njësi e specializuar për personat e zhdukur. “Instituti për Mjekësi Ligjore është institucion qendror që ofron shërbime mjekoligjore në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Përveç punës së përditshme, ne kemi edhe një njësi të veçantë që merret me personat e zhdukur, e cila përbëhet nga dy nënnjësi, njëra prej tyre e dedikuar për komunikim me familjarët e personave të zhdukur, ku është i angazhuar edhe një psikolog klinik” – tha Haliti. Ai shpjegoi se Instituti vepron vetëm pas urdhëresave të organeve të drejtësisë.
Pas çdo urdhri të lëshuar nga prokuroria ose gjykata, ekipet dalin në terren për të kryer gërmime vlerësuese dhe, në rast se gjenden mbetje mortore, ato zhvarrosen dhe dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme. “Identifikimi sot bëhet përmes metodave shkencore, përmes ADN-së.
Në të njëjtën kohë bëjmë edhe ekzaminimin mjekoligjor të trupit, me qëllim që të përcaktojmë shkakun e vdekjes. Pas identifikimit, mbetjet mortore i dorëzohen familjes, ndërsa raporti i autopsisë u dërgohet organeve të drejtësisë” – tha ai. Sipas Halitit, identifikimi është një proces krahasues, i cili nuk mund të përfundojë pa bashkëpunimin e familjeve të personave të zhdukur.
“Ne kemi nevojë për një mostër kockore, nga e cila nxirret ADN-ja, por në anën tjetër na duhet edhe mostra e gjakut e familjarëve që kanë raportuar personin e zhdukur. Vetëm kur këto dy mostra përputhen, ne mund ta konfirmojmë identitetin” – shpjegoi ai.
Përveç aspektit shkencor, Haliti tha se Instituti u kushton rëndësi edhe nevojave emocionale të familjeve, veçanërisht në momentin kur u dorëzohen mbetjet mortore të më të dashurve të tyre. “Është me rëndësi që familjet ta kuptojnë drejt se cili ka qenë shkaku i vdekjes, ku është gjetur personi dhe çdo informacion tjetër që lidhet me të.
Familja ka të drejtë t’i dijë të gjitha këto” – tha ai. Haliti bëri të ditur se Instituti i Mjekësisë Ligjore ka marrë përsipër zbatimin e një projekti psikosocial, të trashëguar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, i cili synon t’u ofrojë mbështetje familjeve të personave të zhdukur.
“Ju bëj apel të gjithë familjarëve të personave të zhdukur në rajonin e Gjilanit që ta shfrytëzojnë mundësinë për të përfituar nga ky projekt, sepse ka treguar rezultate shumë të mira në komunat ku është zbatuar më herët”, – tha Haliti.
Kreshnik Gashi nga KALLXO.com, Kreshnik Gashi, iniciator i projektit, tha se pas çdo numri nuk qëndrojnë vetëm statistika, por familje të tëra që për gati tri dekada jetojnë me mungesën dhe pasigurinë për fatin e më të dashurve të tyre.
Ai theksoi se mbi 1,500 persona të zhdukur nënkuptojnë po aq familje që, edhe 27 vjet pas luftës, vazhdojnë të jetojnë me dhimbje të pandërprerë dhe me mungesë të plotë të informacionit.
“Po duam me ju tregu njerëzve që, kurdo që e dëgjojnë në debate apo në diskurs publik temën e të pagjeturve, me u rikujtu që mbrapa tyre nuk janë vetëm 1560 persona, po janë edhe 1560 familje, të cilat edhe sot, 27 vite pas luftës, nuk mund të bëjnë dasma qysh duhet, nuk mund të bëjnë festa qysh duhet dhe nuk mund thjesht ta gëzojnë lirinë ashtu siç e gëzojmë ne të tjerët”, – tha Gashi.
Ai shtoi se këto familje mbeten kategoria më e rëndë e dhimbjes në shoqërinë kosovare, pasi ndryshe nga rastet e tjera të viktimave të luftës, ato nuk kanë as një varr ku mund të qajnë apo të vendosin lule. “Për dallim prej të tjerëve që kanë të vrarë, por e kanë një varr, këta ende vazhdojnë të vuajnë dhimbjen dhe nuk e kanë informacionin.
Për këtë arsye, çdo diskutim për këtë temë duhet ta kujtojë edhe dhimbjen që ata e jetojnë çdo ditë”, – u shpreh ai. Gashi tregoi se gjatë punës me familjarët e personave të zhdukur, ekipi ka hasur në rrëfime të dhimbshme, përfshirë raste të familjarëve që për dekada me radhë kanë shkuar në pikat kufitare për të kërkuar të dashurit e tyre, si dhe në dhoma identifikimi ku familjarët përballen me rrobat e viktimave.
“Kemi pasur njerëz që për mbi 30 herë kanë shkuar në kufi në Merdarë për t’i marrë familjarët e tyre dhe janë kthyer duarthatë. Kemi pasur nëna dhe prindër që me dhjetëra herë janë futur në dhomat ku identifikohen rrobat. Dhe imagjinoni çfarë dhimbje është të hysh çdo herë me pritjen për një lajm të keq dhe të dalësh pa asnjë përgjigje”, – tha Gashi.
Sipas tij, një nga synimet kryesore të dokumentarit është mobilizimi shoqëror dhe nxitja e dëshmitarëve që mund të kenë informacione për fatin e personave të zhdukur, pavarësisht përkatësisë etnike. “Ne i presim dëshmitarët edhe prej komunitetit shqiptar, edhe prej komunitetit serb, rom, ashkali, egjiptas dhe të gjithë të tjerëve që mund të kenë informacione.
Sepse duhet t’u tregohet edhe atyre që krimi nuk harrohet dhe se ai vazhdon të jetë pjesë e përditshmërisë së këtyre familjeve”, – tha ai. Gashi theksoi se përmes kësaj nisme synohet gjithashtu dokumentimi dhe arkivimi i rrëfimeve të familjarëve, të cilat do të ruhen në muzeun “Reporting House” në Prishtinë dhe do të jenë të qasshme edhe online.
Ai tha se kjo u jep familjeve mundësinë të mos e përsërisin vazhdimisht traumën e tyre, por edhe të sigurohet që dëshmitë e tyre të mbeten të ruajtura për brezat e ardhshëm. “Në shumë raste, familjarët nuk ua kanë treguar fëmijëve të tyre rrëfimet e plota, për të mos i ritraumatizuar.
Por këto rrëfime janë të rëndësishme të dokumentohen, sepse shumë prej tyre tashmë janë në moshë dhe në momentet kur mund t’i japin dëshmitë me mendje të kthjellët”, – përfundoi Gashi.
Për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998/1999 nga forcat serbe dhe jugosllave, në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë janë gjykuar dhe dënuar një sërë ish-udhëheqësish të lartë politikë dhe ushtarakë të Serbisë dhe Jugosllavisë.
Ndërkohë, ish-kryetari i Serbisë, Millan Millutinoviq, u lirua nga akuzat për krime lufte në Kosovë. Përfshirje në përgjegjësi penale patën edhe zyrtarë të tjerë të lartë: Nikolla Shainoviq u dënua me 18 vjet burg, Dragolub Ojdaniq me 15 vjet, Nebojsha Pavkoviq me 22 vjet, Vlladimir Llazareviq me 14 vjet dhe Sreten Llukiq me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës.
