Serbia prezanton në Bruksel angazhimin e saj për anëtarësim në BE

0%

Pavarësisht kritikave gjithnjë e më të forta nga Brukseli, autoritetet serbe kanë nisur një fushatë lobimi për të bindur institucionet evropiane se Serbia po zbaton reforma dhe mbetet e përkushtuar ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, Qeveria e Serbisë dhe Misioni i Serbisë pranë BE-së organizuan në Bruksel konferencën kushtuar prezantimit të rezultateve të pretenduara.

“Serbia është plotësisht e përkushtuar ndaj rrugës së saj drejt Bashkimit Evropian dhe ky është prioriteti kryesor i politikës sonë të jashtme. Politika e jashtme e Serbisë është bërë gjithnjë e më proevropiane dhe më e orientuar drejt Evropës gjatë viteve të fundit” , tha Marko Gjuriq – Ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë.

Të njëjtin mesazh përcolli edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bernabiq, e cila shkoi një hap më tej, duke akuzuar disa eurodeputetë, opozitën dhe protestuesit kundër pushtetit të Aleksandar Vuçiqit se po pengojnë rrugën evropiane të Serbisë. Megjithatë, vlerësimet e Bashkimit Evropian për reformat dhe përparimin e Serbisë janë krejt ndryshe nga ato të autoriteteve serbe.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Holanda ka konfirmuar se nuk mbështet hapjen e Klasterit 3, ndërsa sipas burimeve diplomatike të njëjtin qëndrim e ndajnë edhe të paktën pesë shtete anëtare, duke përmendur mungesën e reformave në sundimin e ligjit dhe mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Edhe opozita vlerëson se kjo pasqyron gjendjen reale të procesit të integrimit evropian.

Deputetja e opozitës, Marinika Tepiq, thotë se gjatë pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, Serbia nuk ka hapur asnjë klaster të ri negociues me Bashkimin Evropian në pesë vitet e fundit. “Ju vodhët zgjedhjet dhe mbytët mediat e lira që korrupsioni dhe krimi të mbijetojnë. Pikërisht për këtë nuk e doni Serbinë në Bashkimin Evropian, sepse atëherë nuk do të ishit më të lirë.

Serbia mund të hyjë në Evropë, por vetëm pa ju”, tha Marinika Tepiq – Deputete e opozitës nga Partia e Lirisë dhe Drejtësisë. Edhe ekspertët e integrimeve evropiane vlerësojnë se angazhimi formal për anëtarësim nuk shoqërohet me reforma konkrete.

Sipas tyre, kundërshtimi i gjithnjë e më shumë shteteve anëtare tregon rritjen e mosbesimit ndaj pushtetit aktual në Serbi dhe mund të ngadalësojë më tej procesin e integrimit evropian.

Burimi: Bota Sot