Nga: Associated Press Përktheu:
Edona Binaku Shpërndaje në: Frida Kahlo – figurë tragjike apo ikonë kulturore? Ekspozita e hapur në “Tate Modern” në Londër shqyrton se si kjo artiste meksikane u shndërrua në një fenomen global Menjëherë e dallueshme, Frida Kahlo vështron me shprehjen e saj solemne nga një autoportret. Artistja meksikane është kthyer në një fenomen global.
Vitin e kaluar, ajo vendosi rekordin botëror si artistja latino-amerikane me veprat e shitura më së shtrenjti në ankand. Dhe ekspozitat e veprave të saj janë pothuajse gjithmonë të destinuara të tërheqin turma të mëdha vizitorësh.
Muzeu “Tate Modern” në Londër paraqet jo vetëm ngritjen e saj artistike, por eksploron edhe artistët e shumtë te të cilët ka ndikuar, si para ashtu edhe pas vdekjes së saj. Me titull “Frida: Krijimi i një ikone”, ekspozita përfshin më shumë se 30 vepra të Kahlos, si dhe shumë vepra të artistëve të tjerë.
“Është ekspozita e parë që ndjek në mënyrë historike dhe kritike rrugëtimin e saj dhe ngritjen e saj në statusin e ikonës, një fenomen që sot të gjithë e njohim si ‘Frida Mania’”, ka thënë Beatriz García-Velasco, ndihmëskuratore. Piktura e vitit 1926 është një nga autoportretet e saj të para dhe iu dedikua të dashurit të saj të asaj kohe. Kahlo krijoi shumë vepra ku paraqiste veten.
Disa pasqyrojnë dashurinë e saj për kulturën indigjene meksikane, ndërsa të tjera shprehin dhimbjen e saj, si nga aksidenti i rëndë me autobus që e la me plagë të rënda, ashtu edhe nga martesa e vështirë me artistin Diego Rivera. Këto imazhe të përsëritura të vizionit që Kahlo kishte për veten janë një nga arsyet pse ajo është kaq e njohur sot.
Imazhet e përsëritura të vizionit që Kahlo kishte për veten janë një nga arsyet pse ajo është kaq e njohur sot “Imazhi që ajo krijoi për veten, ku madje theksoi tiparet e saj androgjene dhe stilizoi qimet e fytyrës në një mënyrë që ishte mjaft radikale për atë kohë, është bërë jashtëzakonisht ikonik”, ka shpjeguar García-Velasco.
“Po ashtu trajton tema shumë personale që vazhdojnë të ndikojnë dhe të tërheqin njerëzit, duke u lidhur me vuajtjet e saj dhe marrëdhënien e trazuar me Diego Riveran. Mendoj se autoportretet e hapin artisten përpara atij që e shikon dhe ajo pothuajse të jep ndjesinë e një mikeshe të vjetër”.
Veprat e Kahlos kanë frymëzuar artistë si Marcos Raya, i cili krijoi një mural në vitin 1985 për një shfaqje teatrore mbi jetën e saj. Sot, artistja Paola Estrella vjen për ta vizituar ekspozitën dhe reflekton mbi kuptimin që trashëgimia e Kahlos ka për të. “Si artiste meksikane që jetoj dhe punoj në Londër, ndihem krenare që shoh një ekspozitë kaq të plotë të Fridas këtu.
Për mua, veprat e Fridas kanë qenë frymëzim, kryesisht nga këndvështrimi i një artisteje dhe mënyra se si ajo arriti të kapërcejë shumë nga vështirësitë e jetës së saj dhe në fund u bë e pavarur, si emocionalisht ashtu edhe financiarisht”, ka deklaruar Estrella.
Një kostum i frymëzuar nga piktura e Kahlos me titull “The Wounded Deer” (Dreri i plagosur) përfshin fytyrën e saj të kompletuar me brirë dreri. Diku tjetër në ekspozitë, imazhi plot ngjyra i Rupert Garcías për Kahlon përçon frymën e pop-artit.
Është e qartë se Kahlo ka pasur një ndikim të qëndrueshëm tek artistët e shekujve XX dhe XXI, të cilët vazhdojnë të imitojnë pamjen e saj karakteristike Artistja britanike, Tracey Emin, madje vishet si Frida, e shtrirë në shtrat ashtu siç ishte detyruar të qëndronte vetë artistja gjatë rikuperimit pas aksidentit me autobus.
Është e qartë se Kahlo ka pasur një ndikim të qëndrueshëm tek artistët e shekujve XX dhe XXI, të cilët vazhdojnë të imitojnë pamjen e saj karakteristike. “Nuk mendoj se është rastësi që kaq shumë njerëz në botë po lidhen me veprën e saj pikërisht tani, sepse në një botë që po kalon kriza, mendoj se arti i sinqertë dhe i ndjeshëm është diçka për të cilën kemi vërtet nevojë.
Për mua është një kombinim i të gjitha këtyre elementeve. Sigurisht që lidhem me ngjyrat dhe kulturën, por për mua ajo është një ikonë që e kam ndjekur prej kohësh dhe më pëlqen mënyra se si është riinterpretuar në kultura të ndryshme anembanë botës”, ka thënë Estrella. Ekspozita “Frida: Krijimi i një ikone” u hap më 25 qershor dhe do të qëndrojë e hapur deri më .
