Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur në SPAK në kuadër të masës së sigurimit “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij. Berisha u prit nga një grup mbështetësish para ambienteve të SPAK, si edhe disa prej deputetëve të PD.
Ish-kryeministri Berisha përballet me akuzën për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohen për përfshirje në korrupsion dhe veprime të paligjshme për pastrimin e parave. Ndërkaq më të dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme kryedemokrati Berisha u ndal në një prononcim për mediat e pranishme.
PJESA NGA FJALA E KRYEDEMOKRATIT BERISHA NGA SPAK Të dashur qytetarë dhe qytetare, ky është shënimi që lashë për Altin Troplinin Gjoka Hajrin etj, etj, etj: “Armikut të egër të pluralizmit politik, mercenarit të Edi Ramës, drejtësia vonon, por nuk harron”.
Tani, sigurisht që si gazetarë, edhe publiku, është shumë i interesuar të dijë se çfarë gjeta unë, çfarë konstatova unë gjatë vizitës time në Skapin e partisë. Aty kishin marrë zyra të veçanta Lubi Balluku, Saje Qorri, Ergys Agasi dhe disa të tjerë që edhe nuk i njoha mirë. Pra, ata po punonin ditë e natë më thanë, në ndihmë të Skapit të partisë.
Oltion Bistri ishte punësuar për sistemin e informatikës. Me një fjalë, Skapi ishte pushtuar përfundimisht dhe Lubia bënte ligjin këtu.
