Nga: Besartë Elshani Shpërndaje në: “Before Beauty / After Beauty” është titulluar ekspozita e parë e Fadil Berishës në Kosovë, por filozofia e tij për bukurinë është e tejkohshme.
Fotografitë e realizuara përgjatë karrierës katërdekadëshe, nuk vijnë vetëm dëshmi e rrugëtimit të tij artistik, por mozaik estetik në botën e modës e të ikonave të artit, ndërkohë që ai vetë shndërrohet në ikonë të fotografisë. Personazhet e tij nuk njohin kufij, vende a kohë.
“Kam bërë emër në botë, por të jem këtu është gjëja më e madhe në botë”, ka thënë Berisha Fotografitë e tij kanë zënë ballinat e revistave më prestigjioze të modës në botë, janë bërë imazhe të markave luksoze dhe kanë përjetësuar portretet e emrave më të njohur të industrisë muzikore dhe përtej. Një pjesë e këtij rrugëtimi artistik për katër dekada u kthye në vendlindje.
Fotografi me nam ndërkombëtar, Fadil Berisha, ka hapur në Prishtinë ekspozitën e tij të parë në Kosovë, “Before Beauty / After Beauty”, me përzgjedhje të veprave që përshkojnë rrugëtimin e krijimtarisë së tij.
Dhjetëra fotografi të ekspozuara në galerinë e “Marigona Hill” në periferi të kryeqytetit, të shtunën mbrëma, në hapje të edicionit të gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”, nuk kanë rrëfyer vetëm historinë e karrierës ndërkombëtare. Ato kanë shpalosur edhe filozofinë artistike të Berishës për bukurinë, trupin, dritën dhe identitetin.
Në qendër të ekspozitës ka qenë figura e gruas – e fotografuar jo vetëm si subjekt mode, por si bartëse e elegancës, karakterit dhe dinjitetit. Numri i madh i vizitorëve e ka përcjellë këtë ngjarje. Publiku u mblodh për të parë nga afër fotografitë që për dekada kanë qarkulluar në faqet e revistave ndërkombëtare, por që për herë të parë janë ekspozuar në Kosovë.
Në muret e galerisë janë alternuar portrete të ndërtuara mbi dritën dhe hijen, kompozime bardhezi si në stil klasik, fotografi mode me estetikë bashkëkohore dhe punë ku ngjyrat e forta kanë dialoguar me qetësinë e figurës njerëzore.
Në secilën prej tyre është vërejtur kujdes i jashtëzakonshëm për kompozicionin dhe raportin midis modeles, hapësirës dhe dritës – elemente që e kanë shoqëruar Berishën gjatë gjithë karrierës së tij.
Në qendër të ekspozitës është figura e gruas – e fotografuar jo vetëm si subjekt mode, por si bartëse e elegancës, karakterit dhe dinjitetit (Foto: Arben Llapashtica) Ekspozita ka përfshirë edhe fotografi që nuk janë ekspozuar më parë, duke e bërë prezantimin e tij edhe me karakter premierë edhe për publikun ndërkombëtar.
Megjithatë, përzgjedhja e fotografive nuk është ndërtuar mbi famën e personazheve, por mbi fuqinë artistike të vetë fotografive. Vetë Berisha e ka cilësuar hapjen e ekspozitës si një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij. “Kam bërë emër në botë, por të jem këtu është gjëja më e madhe në botë. Këtu kam lindur. Është gëzimi më i madh në botë të jemi sot këtu me ju.
Ky është inspirim. Mund t’i mësoj të rinjtë. Kemi një masterklasë nesër dhe pasnesër me studentët. Ka qenë kënaqësi shumë e madhe të punoj këtu, në vendin tim”, ka thënë Berisha në një përgjigje për KOHËN. Rrugëtimi profesional i tij është ndër më të veçantët për një artist shqiptar.
I lindur në Kosovë dhe i rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Berisha u afirmua në një nga industritë më konkurruese të fotografisë në botë. Ai ka realizuar editoriale për revista si “Vogue”, “Harper’s Bazaar”, “Elle”, “Cosmopolitan” dhe “Glamour”, ndërsa ka fotografuar një numër të madh personalitetesh të njohura të modës, filmit, muzikës dhe spektaklit.
Për vite me radhë ka qenë fotograf zyrtar i konkursit “Miss Universe”, duke realizuar portretet e fitueseve dhe konkurrenteve nga e gjithë bota. Në portofolin e tij përfshihen gjithashtu fushata për kompani prestigjioze ndërkombëtare dhe fotografi që janë bërë pjesë e identitetit vizual të markave luksoze.
Një pjesë të rëndësishme të karrierës ia ka kushtuar edhe promovimit të modeleve shqiptare në tregun ndërkombëtar. Pikërisht përmes objektivit të tij, emra si Marigona Dragusha dhe Zana Krasniqi fituan një ekspozim të gjerë në industrinë botërore të modës. Ai e ka veçuar si një nga misionet më të rëndësishme të karrierës promovimin e bukurisë shqiptare në arenën ndërkombëtare.
“Momenti më i rëndësishëm i punës sime ka qenë ta tregoj bukurinë shqiptare në gjithë botën. Ato vajza, Marigona Dragusha, Zana Krasniqi, kanë qenë imazh në gjithë botën”, është shprehur Berisha më tej.
Ekspozita “Before Beauty / After Beauty” ka sjellë në Prishtinë rrëfimin e një artisti që ka ndërtuar emrin në qendrat më të rëndësishme të fotografisë botërore, pa e shkëputur kurrë lidhjen me vendin e lindjes (Foto: Arben Llapashtica) Kuratorët e ekspozitës Ovül O.
Durmusoglu nga Turqia dhe Artan Korenica nga Kosova, kanë zgjedhur vepra që dëshmojnë evolucionin artistik të fotografit, duke nxjerrë në pah mënyrën se si ai e ka trajtuar konceptin e bukurisë. Në tekstin kuratorial thuhet se Berisha ka punuar për katër dekada brenda sistemeve globale të imazhit të modës, ku idealet e bukurisë prodhohen dhe shpërndahen në shkallë të gjerë.
“Fotografitë e tij kthehen në këto forma të njohura – jehona e kinemasë, magjepsja dhe figura ikonike – vetëm për t’i zhvendosur ato në trupa dhe vende që zakonisht nuk njihen si origjina e tyre, duke zbuluar se si imazhe të tilla janë shkëputur prej kohësh nga kontekstet dhe situatat që i prodhuan ato.
Në të njëjtën kohë, puna e tij bazohet në një ndjenjë më të thellë dhe më të vjetër të formës të rrënjosur në Ballkan, ku bukuria shfaqet përmes proporcionit, pranisë dhe përmbajtjes dhe jo idealeve fikse”, shkruhet aty.
Sipas kuratorëve, përvoja e hershme e Berishës ka ndikuar dukshëm në mënyrën se si ai e sheh trupin në lëvizje, në raport me dritën dhe ngjyrën, duke krijuar një estetikë ku bashkëjetojnë e lashta dhe bashkëkohorja, lokalja dhe globalja.
“Duke u formuluar kryesisht me gratë, ai zbulon se si imazhe të tilla nuk janë as të veçanta dhe as në pronësi, por mund të njihen dhe të riartikuluara nëpër histori dhe gjeografi të ndryshme. Kur fotografon vetë figurat ikonike, ai e pasqyron këtë vizion në një vështrim që kërkon dhe mban në mënyrë aktive bukurinë, të ankoruar në një humanizëm të bazuar.
I informuar nga një angazhim i hershëm me kërcimin, praktika e tij mbetet e përshtatur me trupin në lëvizjen koreografike – si ai kthehet, mban dhe zgjerohet përmes dritës dhe ngjyrës. Ajo që shfaqet është një fushë hibride e bukurisë – e lashtë dhe bashkëkohore, lokale dhe globale – ku forma nuk trashëgohet”, shkruhet më tej në tekstin kuratorial për ekspozitën.
Ekspozita ka përfshirë edhe fotografi që nuk janë ekspozuar më parë, duke e bërë prezantimin e tij edhe me karakter premierë edhe për publikun ndërkombëtar (Foto: Arben Llapashtica) Bashkëkuratori Artan Korenica, fotograf që për afro një dekadë ka bashkëpunuar me Berishën në New York, ka thënë se përzgjedhja e punëve ishte ndërtuar mbi atë që ai e konsideron thelbin e krijimtarisë së fotografit.
“Koncentrimi ka qenë në pjesën e bukurisë, ku ai është shumë i mirë. Unë gjithmonë i kam parë fotografitë e Fadilit dhe ka qenë shumë e lehtë t’i zgjedh ato që më kanë pëlqyer më së shumti”, ka thënë ai. Korenica ka kujtuar edhe periudhën kur ka punuar me Berishën. “Kur kam shkuar ka qenë viti 2003. Kam punuar me të rreth dhjetë vjet.
E kam përjetuar kohën më të mirë të karrierës së tij kur kemi punuar për ‘Rolex’ e shumë kompani të mëdha. Ka qenë ëndërr, jo vetëm privilegj. Ai ma ka edukuar syrin, shijen dhe mendjen. Ka pasur ndikim shumë të madh në profesionin tim si fotograf”, ka thënë ai. Sipas tij, ekspozita përmban edhe punë të paekspozuara më parë.
“Kam zgjedhur fotografitë që e di se Fadilit i kanë pëlqyer ndër vite. Ka fotografi që nuk janë publikuar asnjëherë, kështu që janë një lloj premiere. Për herë të parë nuk kemi zgjedhur figura të famshme. Nuk kemi zgjedhur emra të njohur, por vepra të bukura artistike”, ka shtuar ai. Artistja Zake Prelvukaj e ka cilësuar Berishën si ambasador të fotografisë shqiptare.
“Këto fotografi i kam përcjellë prej vitesh. Kam qenë edhe në Amerikë, në studion e maestros Fadil. Mendoj se ai është lindur me këtë talent dhe syri i tij është, siç themi ne, pushkë. Kur një njeri depërton në Amerikë e në botë dhe është i yni, ajo është një meritë e madhe e diplomacisë së fotografisë dhe e karakterit të tij. Është më i miri.
Jemi shumë të nderuar që e ka sjellë artin e tij në Kosovë. Ka mbledhur shqiptarë nga i gjithë rajoni. Ka shumë artistë që jetojnë jashtë dhe hezitojnë të vijnë. Fadili na ka nderuar”, ka thënë ajo. “Është gëzimi më i madh në botë të jemi sot këtu me ju. Ky është inspirim.
Mund t’i mësoj të rinjtë” (Foto: Arben Llapashtica) Tenori Ramë Lahaj, në fjalën hyrëse, e ka cilësuar Berishën si figurë që për vite të tëra ka qenë derë e hapur për artistët shqiptarë në botë. “Kam kënaqësinë dhe nderin ta kem një prej figurave më të njohura në botë. Është një natë e veçantë për të gjithë neve, sidomos për ata që e njohim nga afër Fadilin.
Unë kam pasur bekimin ta takoj në fillimet e karrierës sime. Që nga viti 2009 ia kam vënë vetes një detyrë: një ditë t’i bëj një dhuratë për gjithçka që ka bërë për artistët shqiptarë. Në çdo rast që një shqiptar i ka trokitur në derë, shtëpia e tij ka qenë ambasadë”, ka thënë Lahaj, njëherësh themelues i Festivalit RLIOF në kuadër të programit të të cilit është hapur ekspozita.
Ekspozita “Before Beauty / After Beauty” ka sjellë në Prishtinë rrëfimin e një artisti që ka ndërtuar emrin në qendrat më të rëndësishme të fotografisë botërore, pa e shkëputur kurrë lidhjen me vendin e lindjes.
Përmes dhjetëra portreteve, trupave të modeluar nga drita dhe figurave që sfidojnë konceptet e zakonshme të bukurisë, Berisha ka dëshmuar se fotografia mund të jetë njëkohësisht dokument, art dhe kujtesë. © KOHA Ditore
