Që nga marrja e detyrës si sekretar i përgjithshëm i NATO-s pothuajse dy vjet më parë, Mark Rutte ka kaluar pjesën më të madhe të kohës duke u përpjekur t’i mbajë Shtetet e Bashkuara të ankoruara në aleancën më të madhe ushtarake në botë, duke përdorur, sipas raportimeve, edhe lëvdata të hapura për të bindur Presidentin amerikan Donald Trump që të mos tërhiqet nga angazhimet e tij ndaj NATO-s.
Megjithatë, sipas AP, objektivat brenda aleancës vazhdojnë të ndryshojnë, duke rritur pasiguritë përpara samitit të kësaj jave në Turqi. Fillimisht, fokusi i debatit ishte tek shpenzimet për mbrojtje, me Trump që kishte kritikuar vazhdimisht aleatët evropianë për kontribut të ulët në buxhetet ushtarake.
Kjo çështje, sipas raportimeve, u adresua në samitin e vitit të kaluar, ku aleatët e SHBA-së u zotuan të rrisin investimet në mbrojtje. Megjithatë, sfida aktuale për NATO-n mbetet shndërrimi i këtyre fondeve në kapacitete reale ushtarake, në një kohë kur vendet evropiane shprehin shqetësim për një kërcënim të mundshëm nga Rusia.
Rutte, ndërkohë, ka tentuar të zbusë shqetësimet gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar, duke prezantuar edhe një grafik të quajtur “Trilioni i Trump”, i cili sipas tij tregon 1.2 trilionë dollarë shpenzime të aleatëve evropianë dhe Kanadasë që nga viti 2017. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
