Blerta Haxhiu Shpërndaje në: Qindra zjarrfikës janë angazhuar në përballimin e zjarreve masive që kanë përfshirë Portugalinë dhe Greqinë gjatë së dielës, ndërsa Spanja dhe Italia kanë dërguar përforcime për të ndihmuar në shuarjen e flakëve në Portugali, raporton AP.
Në Greqi, autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve në disa zona të Selanikut, qyteti i dytë më i madh në vend, që të qëndrojnë brenda banesave dhe të mbajnë mbyllur dritaret dhe dyert, për shkak të tymit toksik të shkaktuar nga një fabrikë riciklimi e përfshirë nga zjarri në periferi të qytetit.
Ndërkohë, në zonën Vouzela të Portugalisë qendrore, mbi 1.200 zjarrfikës, të mbështetur nga afro 400 automjete dhe 15 avionë, po përpiqen të vënë nën kontroll një zjarr që ka shpërthyer të enjten. Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile, zjarri ka përfshirë rreth 12,000 hektarë tokë deri të dielën, sipas të dhënave nga agjencia satelitore e Bashkimit Evropian “Copernicus”.
Bashkimi Evropian ka njoftuar se Spanja ka dërguar 120 zjarrfikës dhe 45 automjete si përforcime drejt Portugalisë, ndërsa Italia dhe Spanja kanë vënë në dispozicion edhe tre avionë zjarrfikës për të ndihmuar në operacionet e shuarjes së flakëve.
