SHBA-ja festoi 250-vjetorin mes fishekzjarreve spektakolare dhe motit

0%

Shpërndaje në: Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënuan 250-vjetorin e tyre me fishekzjarre, fluturime ajrore dhe kushte ekstreme të motit, derisa pjesa më e madhe e vendit u përball me një valë të fortë të nxehti që kishte zgjatur prej disa ditësh.

“Ëndrra amerikane është rikthyer” deklaroi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, para një turme të madhe në një miting të vonuar në National Mall në Washington, përpara shfaqjes së madhe të fishekzjarreve që u konsiderua ndër më të mëdhatë ndonjëherë në vend.

Festimi i 4 korrikut shënon përvjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë në vitin 1776 nga 13 kolonitë amerikane, duke i dhënë fund sundimit britanik. Ngjarja u shoqërua me ndarje të theksuara politike, pasi Trump u kritikua për vendosjen e vetes në qendër të festimeve përmes iniciativës “Freedom 250”, e ndarë nga programi zyrtar “America 250”, raporton BBC.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në fjalimin e tij, ai trajtoi tema politike si kundërshtimi i komunizmit, mbështetja për ligje që i quan “Save America Act” dhe e drejta për mbajtjen e armëve.

Ai përfundoi fjalimin pak para mesnatës duke thënë: “Rroftë kauza e pavarësisë ne gjithmonë do të jemi më të mirët dhe nuk do ta lëmë vendin tonë të bjerë.” Pas fjalimit, një shfaqje madhështore fishekzjarresh kulmoi rreth orës 1 të mëngjesit dhe u konsiderua si një nga më të mëdhatë në historinë e SHBA-së.

Shpërthime të shumta dhe të fuqishme ndriçuan qiellin mbi Capitol Hill dhe National Mall, duke krijuar një finale spektakolare. Turma e mbetur shpërtheu në duartrokitje, ndërsa shumë pjesëmarrës u larguan nën shi të lehtë që kishte filluar të binte menjëherë pas përfundimit të shfaqjes.

Fishekzjarret u shoqëruan edhe me një fluturim ceremonial ajror (flyover), përfshirë një avion të ri Air Force One, si pjesë e programit të festimeve që përfshinte gjithashtu koncerte dhe fjalime politike gjatë mbrëmjes. Atmosfera ishte festive, por e ndikuar nga vonesat dhe kushtet e paqëndrueshme të motit gjatë gjithë ditës. Moti ekstrem luajti një rol të madh gjatë festimeve.

Një stuhi e fortë në pasdite dhe në mbrëmje detyroi autoritetet të evakuonin National Mall, duke ndërprerë përkohësisht aktivitetet kryesore. Pjesëmarrësve iu kërkua të strehoheshin në ndërtesa të afërta për shkak të rrezikut nga rrufetë dhe erërat e forta.

Por, pjesa lindore e SHBA-së ishte përfshirë nga një valë e fortë të nxehti, me temperatura që arritën rreth 37°C në Washington dhe deri në 42°C në shtete si Maryland, Delaware dhe New Jersey. Situata u rëndua më tej nga stuhitë dhe erërat e forta që shkaktuan ndërprerje masive të energjisë elektrike në disa shtete.

Qindra mijëra familje mbetën pa rrymë në Pennsylvania, New York, Ohio, Wisconsin dhe zona të tjera. Në Washington u panë gjithashtu anëtarë të grupit nacionalist “Patriot Front”, të cilët marshuan në rrugët e qytetit duke mbajtur flamuj amerikanë.

Në Philadelphia, qyteti ku u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë, u zhvilluan ceremoni përkujtimore dhe një fluturim ceremonial ajror, si dhe u vendos një kapsulë kohe që do të hapet pas 200 vitesh. Në Virginia, në pronën historike të George Washington, u zhvillua një ceremoni natyralizimi ku 150 persona nga 50 vende u bënë qytetarë amerikanë.

Në New York u mbajt konkursi tradicional i ngrënies së hot dog-ëve, ku Joey Chestnut fitoi për herë të 18-të. Ish-presidentët amerikanë gjithashtu dhanë mesazhe për përvjetorin, duke theksuar rëndësinë e demokracisë, qytetarisë aktive dhe sfidat e vazhdueshme të vendit për të përmbushur idealet e tij themeluese.

Burimi: Koha