Reagimi zyrtar i Klubit të Futbollit të Vajzave të Mitrovicës për gjendjen e stadiumit “Xhevat Jusufi-Xheki”, ku u lënduan dy futbollistet Gresa Haziri dhe Aurora Muliqi, ka nxitur shqetësime serioze për sigurinë e lojtareve, vetëm pak javë para paraqitjes së skuadrës në garatë e Women’s Champions League.
Kryetari i klubit të vajzave, Hajrullah Haxhiu, duke folur për KosovaPress, ka bërë të ditur se gjendja e të dyja futbollisteve vazhdon të jetë shqetësuese. Haxhiu: Gjendja e lojtareve nuk është e mirë “Po gjendja e lojtareve nuk është e mirë. Njëra nga futbollistet Gresa është ende në fazën e rikuperimit.
Për Aurorën nuk ka dalë ashtu qysh kemi pas frikë, po prapëseprapë nuk është në gjendjen e mirë. Është duke u rikuperuar, është duke u trajtuar edhe të shohim a po mund të përgatitet për fazën e Ligës së Kampionëve. Jemi duke bërë të pamundurën me stafin mjekësor të ekipit që Aurorën të paktën ta bëjmë të aftë për ndeshjet që i kemi për Champions Ligë.
Po prapëseprapë në qoftë se ne vazhdojmë prapë të punojmë këtu në këtë gjendje, në këtë fushë, nuk shpresojmë që do të ketë edhe rikuperim ose ndonjë rehabilitim më të mirë sepse ti e rehabiliton dhe prapë vjen stërvitet këtu, është e njëjta situatë, e njëjta gjendje mund të ndodhë prapë”, deklaroi Haxhiu.
Sipas tij, problemi nuk kufizohet vetëm te dy futbollistet e lënduara, pasi pothuajse e gjithë skuadra përballet vazhdimisht me dhimbje muskulore dhe lëndime për shkak të gjendjes së tapetit sintetik. Trajneri i KFF Mitrovica, Shpëtim Idrizi, theksoi se mungesa e dy lojtareve kyçe është një goditje e madhe për ekipin, pasi ato kanë qenë pjesë bazë gjatë gjithë kampionatit.
Idrizi: Po shpresojmë në rikuperimin e lojtareve të lënduara “Normal, mungesat janë jashtëzakonisht të mëdha, duke marrë parasysh se kanë qenë bazë domethënë gjatë gjithë kampionatit. Po shpresojmë në rikuperimin e tyre që të paktën t’i kemi këtu në ndeshjet të cilat bëjnë pjesë në Ligën e Kampionëve, që realisht të paraqitemi sa më mirë.
Normal që me ardhjen e atyre dy lojtarëve, po shpresojmë do të jetë ekipi më i kompletuari”, tha Idrizi. Ndërkohë, kryetari Hajrullah Haxhiu, bëri të ditur se ka diskutuar me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës për gjendjen e rëndë të fushës, duke kërkuar një zgjidhje sa më të shpejtë.
Ai tregoi se FFK-ja ka prioritet ndërtimin e një fushe të re për Lidhjen Rajonale të Mitrovicës, por theksoi se klubi nuk mund të presë, pasi e pret kampionati dhe ndeshjet e UEFA Ëomen’s Champions League, ndërsa kërkoi nga Komuna dhe Federata të ndërhyjnë sa më parë.
Haxhiu: Federata e Futbollit është e interesuar të rregullojë një fushë tjetër “Realisht, dje isha në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe e kam potencuar me kryetarin e Federatës pjesën e fushës, të gjendjes së kësaj fushe.
Federata e Futbollit e Kosovës është e interesuar më shumë të rregullojë një fushë tjetër për Lidhjen Rajonale, në një lokacion tjetër, edhe sa i përket kësaj fushe, është problemi pak te menaxhimi i fushës sepse kjo menaxhohet prej një klubi tjetër, është klubi i meshkujve Mitrovica, dhe ndoshta për shkak të atyre procedurave është problemi i ndërrimit të barit.
Po mendoj kështu, sepse edhe gjatë bisedës me kryetarin, ai e ka prioritet rregullimin e një fushe tjetër për Lidhjen Rajonale të Mitrovicës ku ne mund t’i zhvillojmë stërvitjet aty, e pastaj sigurisht që do t’i vijë radha edhe kësaj fushe.
Po neve nuk na pritet ashtu sepse kemi gara edhe në kampionat, kemi edhe tash Championsin, edhe kjo fushë është dëmtuar shumë, ky bar është dëmtuar shumë. Shpresoj, besoj që edhe komuna, edhe Federata do ta bëjnë një zgjidhje”, tregoi Haxhiu.
Futbollistja e lënduar e KFF Mitrovicës, Aurora Muliqi, tregoi se gjendja e fushës ka ndikuar vazhdimisht në lëndimet e lojtareve, duke theksuar se pothuajse e gjithë skuadra përballet me dhimbje muskulore. Sipas saj, kushtet aktuale e bëjnë shumë të vështirë zhvillimin normal të stërvitjeve dhe rikuperimin nga lëndimet.
Muliqi: Jo veç unë po krejt lojtaret kemi dhimbje të muskujve “Kemi çdoherë, jo veç unë po krejt lojtaret kemi dhimbje të muskujve. Kemi lëndime, është edhe Gresa që ka mbetur shumë gjatë jashtë fushës prej lëndimit, shkaku i fushës. Normal, është shumë e vështirë se ne kur kemi dhimbje të muskujve normal që është shumë e vështirë për ne të vrapojmë, të stërvitemi”, tha Muliqi.
Portierja Rajmonda Spahiu tha se fusha është në gjendje të dobët dhe po krijon probleme të mëdha në stërvitje dhe ndeshje, madje edhe lëndime te lojtaret. Ajo kërkoi ndërhyrje urgjente nga Federata ose Komuna për përmirësimin e kushteve.
Spahiu: Fusha është e vjetër dhe nuk është rinovuar “Kushtet e fushës nuk i kemi shumë të mira edhe po kemi shumë probleme për t’i bërë këtu ndeshjet, sidomos edhe fazën përgatitore, ama sidomos edhe ndeshjet si për ekipin tonë edhe për ekipin kundërshtar është shumë problem. Se fusha është shumë e vjeter që nuk u rinovua edhe po kemi shumë problem.
Ama, kemi pasur edhe lojtare të lënduara goxha shumë, që normalisht ishalla po kthehen edhe për ndeshjet e Championsit, ama po kemi shumë problem edhe ju kisha lutur organeve kompetente siç janë Federata ose Komuna me na ndihmuar për me e rinovuar ose me na e bërë një fushë tjetër”, përfundoi Spahiu.
KFF Mitrovica do ta përfaqësojë Kosovën në kualifikimet e UEFA Ëomen’s Champions League, ndërsa shqetësimet për gjendjen e stadiumit “Xhevat Jusufi-Xheki” janë shtuar pas lëndimeve të futbollisteve Gresa Haziri dhe Aurora Muliqi.
Klubi ka reaguar publikisht, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për rinovimin e tapetit sintetik, me arsyetimin se kushtet aktuale po rrezikojnë shëndetin e lojtareve dhe përgatitjet për garat vendore e ndërkombëtare.
KosovaPress ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga presidenti i KF Mitrovica, Jeton Ujkani, lidhur me shqetësimet e ngritura për gjendjen e stadiumit “Xhevat Jusufi-Xheki”, i cili aktualisht është në pronësi të klubit që ai drejton. Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Ujkani nuk i është përgjigjur kërkesës për koment.
Klubi deri më tani ka fituar shtatë tituj kampion, si dhe shtatë herë Kupen e Kosovës.
