Matura e mashtrimit

0%

Nga: Bardh Rugova Shpërndaje në: Nuk kemi arritur ta zgjidhim problemin e testit të maturës. Në vend se të kemi një test që mat dijen, kemi krijuar një test që mat, kryesisht, shkathtësitë mashtruese tonat si shoqëri Një nga kolegët e mi më të rinj në moshë kishte qenë njëherë i caktuar të kujdestaronte në testet e maturës.

Kishte qenë strikt, siç e donte rendi dhe nuk kishte lejuar të kopjohej, siç e kërkonte nderi. I kishte duruar presionet e zyrtarëve dhe të zyrtareve që kishin dashur të ndihmohej filani a fisteku, e, madje, dikur kishte pasur edhe kërcënimin e një polici në uniformë që po kërkonte të lejohej kopjimi. Polici kishte pasur kokë të vogël e bark të lëshuar.

Kolegu im, kokë pak më të madhe e këmbë më të lehta. Mirëpo, nuk i kishte përdorur. As nuk ishte trembur, as nuk kishte lëshuar pe. – Ia bëra, siç do të bëje ti, më pati thënë me krenari. Unë pata rrudhur krahët, siç bëj unë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vërtet në universitet me studentët dhe studentet e mia jam strikt dhe nuk i lejoj të kopjojnë, por në testin e maturës do të kisha pasur njëfarë dileme të thellë morale. Jo se do t’i nënshtrohesha presionit të zyrtarëve a të zyrtareve apo se do t’i trembesha ndonjë polici çklepc e të brengosur për ndonjë kushëri.

Mirëpo, në universitet, studentët e studentet i kam në një sallë dhe rregullat vlejnë njësoj për të tërë. Nuk lejoj të kopjojë dikush se kështu do t’i hyja në hak atij/asaj që ka mësuar. Të gjitha janë të barabarta brenda sallës dhe aty matet dija.

Në testin e maturës, nëse unë do të isha strikt në njërën nga sallat, do t’i dënoja ata fëmijë, derisa në sallat e tjera kolegë e kolege shpërfillëse, a zyrtarë e zyrtare të korruptuara do të lejonin kopjimin.

Do t’i kisha sjellë në pozitë të pabarabartë ato të shkreta e ata të shkretë që kanë rastisur të jenë në sallën time. – Nuk e di koleg, nëse do të kisha bërë siç mendon ti se do të kisha bërë. Në fakt, nuk di çfarë do të kisha bërë, i them tani kolegut që më nuk është aq i ri. Vite të tëra rresht nuk kemi arritur ta zgjidhim problemin e testit të maturës.

Në vend se të kemi një test që mat dijen, kemi krijuar një test që mat, kryesisht, shkathtësitë kopjuese. Kur pati nisur testi, mu atë vit, pata shkruar se me këso testesh dymbëdhjetë vjet shkollimi po reduktohen në një test të vetëm dyorësh, ku nuk garantohet barazia dhe mbrojtja nga veprimet korruptive.

Dymbëdhjetë vjet shkollimi barazohen në dy orë mundësie për të kopjuar, mashtruar e vjedhur. Mund të flasim edhe për çështje të administrimit dhe çështje edhe të cilësisë së pyetjeve. Ma treguan njërën pyetje nga fusha ime e ekspertizës dhe, thënë të drejtën asnjëra përgjigje nuk ishte e sakta dhe, njëkohësisht, të gjitha mund të ishin të sakta.

Në vend të përgjigjes faktike kërkohej interpretim dhe interpretimet nuk janë fakte. Po të isha nxënës, autores/autorit të pyetjes do t’i përgjigjesha: ‘Nona jote!’ në vend të përgjigjes. Mirëpo, më parë do të flisja për rezultatet e testit dhe çfarë tregojnë ato rezultate.

Nëntëmbëdhjetë mijë nxënëse i janë nënshtruar testit sivjet dhe vetëm pak pas nisjes pyetjet dolën në internet, e së shpejti, dolën edhe përgjigjet e lume. Qe sa vjet testet po publikohen. Njëjtë edhe në gjysmëmaturë.

Ligjet që thonë se deri në 20.000 euro mund të kenë ndëshkime për ata që ndihmojnë kopjimin, nuk kanë qenë pengesë, sepse, fundja, një ndër problemet më të mëdha në Kosovë është sundimi i ligjit, zbatimi i ligjit. Sa persona u dënuan për rrjedhjen e testeve në internet, e që i bie rrjedhje e testeve publikisht, para syve tanë?

Zyrtarë e zyrtare të opozitës duan të përfitojnë ndonjë trohë vëmendje nga kjo situatë. „Sot, fatkeqësisht, më të suksesshëm nuk dalin ata që kanë mësu shumë, por ata që kanë arritë me kopju më shumë“, ishte njëra nga deklaratat tipike. Pajtohem. Prej fjalës “fatkeqësisht” e tutje. Nuk pajtohem me pjesën „sot“. Çka dmth kjo? Dje namin e patëm bërë, a?

Nuk pajtohem as me tentimet e politikaneve e të politikanëve, përfshirë një ish-ministre të Arsimit, për të përfituar pikë politike nga një problem që i ka sfiduar dhe i ka mposhtur të gjitha qeveritë deri tash. Më parë se problem politik, është problem kulturor.

Në vend se të matet dija nga gjuha a matematika, testi i maturës ka matur marifetet e kopjimit dhe bindjen tonë shoqërore se të mashtrosh është gjindshmëri dhe zgjuarsi. Ekspertë e eksperte të arsimit, me zgjedhje tjetër fjalësh kanë thënë se kopjimi nuk lidhet vetëm me mungesën e kontrollit, por me mentalitet të rrënjosur që kultivohet në familjet tona.

Problemi është marrëveshja jonë shoqërore që ta zgjedhim kopjimin në vend të mësimit, të zgjedhim të jemi pragmatikë, në vend se të ndërtojmë shoqëri të dijes dhe të mendjes. Pasojë e kësaj është se nëse prodhojmë hajna në vend të dijes, të tillë do ta kemi ardhmëninë. Të vjedhtë.

Një kushërirë imja tregonte muhabetin e fqinjës së saj krenare që mburrej me të birin e saj, i cili po fitonte para shumë dhe po e ndihmonte në shtëpi. Kishte blerë makinë të re, i kishte blerë frigorifer të madh, një makinë moderne të larjes së enëve. Ia kishte rregulluar kuzhinën dhe i kishte blerë mobilie. E kishte dërguar në banjë për të pushuar.

Të gjitha herët nëna e lumtur kishte shkuar te kushërira ime, duke u krenuar me të birin. Fqinja kishte pasur në kokë një shami me lule dhe në dorë fotografinë e djalit me faqe të kuqe. Kushërira ime kishte pasur kureshtje, siç ia kërkonte natyra e saj. – E çka po të punon djali? – e kishte pyetur kushërira. – Valla, bre, Zyrafet, po vjedh. Me fjalë të tjera: Hade vjedhum! Hade vjedhum!

Burimi: Koha