Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka dështuar të përmbushë misionin e saj themelor si institucioni më i lartë shkencor dhe artistik në vend.
Në vend që të udhëheqë zhvillimin e proceseve shkencore, kulturore, ekonomike e shoqërore përmes studimeve dhe analizave profesionale, ajo është shndërruar në një institucion të mbyllur, pa ndikim real në jetën publike dhe me një rol gjithnjë e më simbolik.
I themeluar për t’u paraprirë proceseve të rëndësishme shtetërore dhe shoqërore me ekspertizë shkencore, ky institucion sot perceptohet nga një pjesë e opinionit si një klub pensionistësh, i cili rëndon mbi buxhetin publik pa prodhuar rezultatet që priten prej tij.
Që nga periudha e pasluftës, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës janë promovuar figura që, sipas kritikëve, në shumë raste kanë përfituar nga përkatësia apo mbështetja politike, më shumë sesa nga meritat e mirëfillta shkencore dhe akademike.
Në këtë kontekst, është përmendur shpesh dominimi i figurave që në të kaluarën kanë mbajtur funksione të rëndësishme shtetërore dhe politike, e që më pas janë sistemuar në Akademi. Kjo ka krijuar perceptimin se ASHAK-u nuk është ndërtuar mbi konkurrencën akademike dhe meritokracinë, por mbi rrjete ndikimi dhe interesa të ngushta.
Edhe më shqetësues mbetet fakti se Akademia rrallëherë ka dalë me studime, analiza apo platforma serioze për trajtimin e çështjeve madhore me të cilat është përballur Kosova. Në periudha vendimtare për zhvillimin politik, ekonomik dhe shoqëror të vendit, kontributi institucional i saj ka qenë pothuajse i padukshëm.
Një institucion i këtij niveli nuk mund të mbetet indiferent ndaj sfidave të shtetit dhe të shoqërisë, ndërkohë që pritet të jetë burim idesh, vizioni dhe zgjidhjesh. Një tjetër problem i vazhdueshëm është mungesa e reformave të brendshme.
Për vite me radhë, pozitat drejtuese janë mbajtur nga të njëjtët individë, duke kufizuar mundësinë e përfshirjes së brezave të rinj të studiuesve dhe krijuesve. Kjo ka krijuar një kulturë monopolizimi, ku grupet e interesit kanë konsoliduar ndikimin e tyre dhe kanë penguar hyrjen e figurave të reja, të cilat mund të sillnin energji, ide dhe vizion të ri për zhvillimin e institucionit.
Sot Kosova ka dhjetëra e qindra profesorë, studiues, artistë dhe intelektualë me reputacion kombëtar e ndërkombëtar, të vlerësuar në universitete dhe institucione prestigjioze brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, shumë prej tyre vazhdojnë të mbeten jashtë Akademisë, jo për mungesë merite, por për shkak të një mentaliteti përjashtues dhe të frikës nga konkurrenca profesionale.
Një qasje e tillë është në kundërshtim me parimet mbi të cilat duhet të ndërtohet çdo institucion serioz akademik. Ndërkohë, anëtarët e Akademisë gëzojnë kushte të favorshme pune, infrastrukturë moderne dhe përfitime të konsiderueshme financiare. Megjithatë, këto privilegje nuk janë shoqëruar me një nivel të krahasueshëm të produktivitetit shkencor apo të ndikimit publik.
Në vend që energjitë të përqendrohen në kërkimin shkencor dhe zhvillimin institucional, shpesh krijohet përshtypja se angazhimet personale dhe burimet shtesë të të ardhurave kanë marrë përparësi ndaj misionit akademik.
Për këtë arsye, institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës duhet ta trajtojnë me seriozitet gjendjen në ASHAK dhe të nisin një proces të thellë reformash, të bazuar në transparencë, meritokraci dhe përgjegjësi institucionale.
Vetëm përmes një reformimi të mirëfilltë Akademia mund ta rikthejë autoritetin dhe besueshmërinë e humbur dhe të shndërrohet në një qendër të dijes që i shërben zhvillimit të vendit. Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm intelektual. Ka akademikë, profesorë dhe studiues të dëshmuar, të cilët janë të gatshëm të japin kontributin e tyre për modernizimin e këtij institucioni.
Nëse kjo energji vazhdon të përjashtohet dhe reformat vazhdojnë të shtyhen, atëherë ASHAK rrezikon të mbetet një institucion formal, i shkëputur nga nevojat reale të shtetit dhe të shoqërisë. Një Akademi që nuk prodhon dije, nuk nxit debat shkencor dhe nuk orienton zhvillimin e vendit e humb arsyen e ekzistencës së saj.
