Letër për dy mbesat e mia me rastin e 250-vjetorit të Amerikës

0%

Nga: Kevin Powell / Newsweek Përkthimi: Telegrafi.com Po jua shkruaj këtë letër, sepse ju dua shumë të dyjave dhe sepse besoj në mundësitë e pafundme të jetës suaj të re. Ka shumë gjasa që, në moshën 14 dhe 4 vjeçe, të mos e kuptoni plotësisht atë që po them, por do ta kuptoni teksa rriteni, teksa hyni në madhështinë e plotë të asaj që jeni.

Këtë e di, sepse ju njoh, ju kam parë nga afër dhe nga larg, dhe sepse e njoh historinë, gjakun, urtësinë dhe sakrificën që ju sollën në jetë. Ky vendi ynë, Amerika, po feston këtë vit, më 2026, 250-vjetorin e saj – po feston, siç thotë vetë, lirinë dhe demokracinë.

Megjithatë, e kam të qartë se, kur Amerika u “themelua” më 1776, shumë prej paraardhësve tanë, me ngjyrë, ishin të skllavëruar, ndërsa me punën e tyre të papaguar po ndërtonin vetë themelet e këtij kombi ende të ri. Pavarësisht qëllimeve të mira, Thomas Jeffersoni dhe etërit e tjerë themelues nuk e kishin seriozisht kur thanë se “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ata nuk po flisnin për të bardhët e varfër apo të klasës punëtore, as për popullsitë autoktone, as për zezakët, të lirë apo jo; dhe, sigurisht nuk po flisnin për gratë apo vajzat, si ju. – Lexo po ashtu nga Kevin Powell: Pse Miles Davisi ende ka rëndësi Amerika ka qenë një eksperiment jashtëzakonisht i vështirë që nga fillimi, dhe që nga fillimi është ndërtuar mbi racën dhe racizmin, po, edhe mbi seksin dhe seksizmin.

Pikërisht për këtë po jua shkruaj këtë letër. Sepse, njësoj si prindërit tuaj, gjyshërit tuaj dhe tezja juaj – bashkëshortja ime – edhe unë kam mbijetuar shumë gjëra. Kur isha katërmbëdhjetë vjeç dhe kur isha katër vjeç, kur isha fëmijë e adoleshent, nuk e kuptoja universin në të cilin po më hidhte jeta.

Mendoja se, nëse thjesht bëja atë që më mësoi nëna ime – të besoja te Zoti, të shkëlqeja në shkollë, të punoja shumë – atëherë gjithçka do të shkonte mirë. Por, për fat të keq, për asnjërin prej nesh që është me ngjyrë në Amerikë nuk funksionon kaq thjesht, as atëherë, as sot.

Sepse, është e vështirë ta shohësh dhe ta ndjesh lirinë e demokracinë, kur e kupton se populli yt ka qenë në robëri për gati 250 vjet dhe se vetëm një Luftë Civile e përgjakshme ndihmoi t’i jepte fund atij mjerimi të egër.

Po aq e vështirë është ta shohësh dhe ta ndjesh lirinë e demokracinë, kur e kupton se do të duheshin edhe njëqind vjet të tjerë që njerëz si nëna ime dhe gjyshërit e mi të fitonin të drejtën e votës dhe njëfarë statusi qytetar. Po, këtë e bëri Lëvizja për të Drejtat Civile, e udhëhequr nga njerëz si Ella Baker, Fannie Lou Hamer, Bayard Rustin dhe John Lewis.

Dhe, nuk e bëri vetëm për afrikano-amerikanët; sepse, duke e ndryshuar fatin tonë, ne ndihmuam të ndryshohej e gjithë kjo shoqëri. Në të vërtetë, mbesat e mia, pa djersën dhe lotët tanë, pa muzikën, artin, ushqimin, shpikjet, akrobacitë tona gjuhësore, vallet dhe risitë tona në fusha të panumërta, nuk do të ekzistonte Amerika që njohim sot.

Unë jam fryt i asaj kujtese, i atij rrugëtimi, dhe edhe ju jeni. Linda në një varfëri të skajshme, nga një nënë beqare, një baba që mungonte dhe mes dëshpërimit e mungesës së shpresës. Por, falë nënës sime, një gruaje me pak arsimim, por me vizion, arrita të ëndërroja dhe t’i bëja realitet gjërat që mosbesuesit thanë se ishin të pamundura.

U arsimova dhe arrita ta përmbush ambicien time të fëmijërisë për t’u bërë shkrimtar. Kam udhëtuar në 50 shtete të Amerikës dhe në pesë nga shtatë kontinentet e botës. Kjo ndodhi sepse ata që erdhën para meje, përfshirë nënën time, guxuan të ëndërronin, guxuan të besonin se liria dhe demokracia ishin edhe për ta.

Megjithatë, po e shkruaj këtë letër në këtë 250-vjetor, sepse po shohim në kohë reale se si po mbyllen dyert që dikur ishin të hapura. Po dëshmojmë urrejtje, politika, fshirje dhe dhunë që ngjajnë në mënyrë të frikshme me atë që nëna ime më përshkruante për jetën e saj në Amerikën e ndarë nga segregacioni racor. Nuk e dimë se çfarë po afrohet pas qoshes, por e dimë se ku ndodhemi.

Është e rrezikshme, është e frikshme, por ne, shpirtrat tanë, kemi qenë këtu edhe më parë. Do t’ia dalim. Që ju të dyja jeni me ngjyrë dhe vajza, e një ditë do të bëheni gra, kjo nuk duhet harruar kurrë. Ka pak udhëheqëse ose superheronj në këtë botë si gratë dhe vajzat me ngjyrë.

Racizmi është shumë real, seksizmi është shumë real, por kur duhet bërë diçka, është magjia e vajzave me ngjyrë ajo që e bën të ndodhë, herë pas here. Kam nevojë që ta doni veten dhe njëra-tjetrën sikur vetë jeta juaj të varej prej kësaj. Sepse ashtu është.

Kam nevojë që të dyja ta kuptoni se historia në tërësinë e saj duhet të jetë GPS-i juaj për gjithë jetën, që ta dini kush jeni, ta dini prej nga vini ju dhe njerëzit tuaj, në mënyrë që, pavarësisht çfarë ligësie apo poshtërsie mund të fshihet përreth, të jeni të sigurta se mjaftoni, se mundeni dhe do të bëheni çfarëdo që dëshironi të bëheni.

Që të dyja duhet të jeni të lira, të jeni zëra për lirinë dhe demokracinë, të luftoni për lirinë dhe demokracinë, ashtu siç bëj unë, ashtu siç bënë ata para nesh. Kjo është njëkohësisht e drejta juaj e lindjes dhe detyrimi juaj: të mos heshtni dhe të mos dorëzoheni kurrë. Disa do ta lexojnë këtë dhe do të më akuzojnë se mendoj vetëm për ju të dyja, ose vetëm për racën.

Përkundrazi, unë i dua sinqerisht njerëzit, të gjithë njerëzit, dhe përpiqem ta nderoj parimin e dashurisë në çdo minutë të jetës sime. Kam nevojë që edhe ju të bëni të njëjtën gjë në jetën tuaj. Por, ta jetosh dashurinë nuk duhet të nënkuptojë kurrë një vetëmohim të pamend, një zvogëlim të vetvetes me dëshirë.

Po jetojmë në një kapitull të errët dhe të rëndë, ku kushdo që konsiderohet “tjetër” veçohet haptazi, margjinalizohet dhe dëmtohet në mënyra thellësisht çnjerëzore. Po na thuhet se faktet nuk kanë rëndësi, se kërkimi shkencor nuk ka rëndësi, se jetë të caktuara nuk kanë rëndësi. Mos i dëgjoni kurrë ata që përhapin urrejtje.

Dëgjoni njerëz si prindërit tuaj, gjyshërit tuaj, tezja juaj dhe mua. Dëgjoni ata që besojnë në mundësitë e pafundme të dashurisë dhe të shpresës, pavarësisht asaj që ndodh rreth jush. Ne e dimë se Amerika po feston lirinë dhe demokracinë 250 vjet para kohe.

Liria dhe demokracia, në thelbin e tyre, nënkuptojnë që çdo njeri të ketë mundësinë për të pasur një mundësi; që askush të mos lihet jashtë, të mos harrohet, të mos braktiset apo të mos përçmohet për shkak të asaj që është.

Do të thotë që ju të dyja, edhe unë, secili prej nesh, duhet ta kemi kujdesin dhe dhembshurinë si pjesë të detyrueshme të ADN-së sonë, që nuk mund të jemi të ftohtë e zemërgur kur shohim ose dëgjojmë për vuajtjet e dikujt.

Dhe, do të thotë, për ju të dyja, si gra që do të bëheni, se nuk duhet ta harroni kurrë që gratë janë të barabarta me mua në çdo aspekt, se as unë dhe asnjë burrë tjetër nuk ka të drejtë t’ju bëjë të ndiheni të vogla, pa vlerë apo të padukshme. Se çdo popull ose çdo komb që nuk i nderon dhe nuk i respekton gratë, nuk e nderon dhe nuk e respekton as vetë jetën.

Kjo është lutja ime dhe shpresa ime për ju të dyja: që të jetoni në një Amerikë që unë mund të mos e shoh kurrë me sytë e mi, por për ekzistencën e së cilës jam i bindur, sepse ekzistoni ju të dyja. Nuk do të jetë e lehtë; përvojat e mia nuk kanë qenë të lehta. Por, unë kam besim të përjetshëm, sepse, pavarësisht gjithçkaje, ne jemi ende këtu. Xhaxhi juaj, Kevin Powell.

Burimi: Telegrafi