Filip Hrgović ka shkaktuar një nga befasitë më të mëdha të boksit, duke mposhtur Moses Itauman me nokaut teknik në raundin e nëntë dhe duke fituar titullin vakant të IBF-së në kategorinë e peshave të rënda. Dueli u zhvillua të shtunën mbrëma në O2 Arena të Londrës, ku 34-vjeçari kroat përballoi një start të vështirë ndaj 21-vjeçarit britanik.
Itauma dominoi pjesën më të madhe të tetë raundeve të para dhe në raundin e dytë arriti ta detyrojë Hrgovićin të marrë numërimin e gjyqtarit. Megjithatë, kroati rezistoi dhe, teksa Itauma filloi të lodhej pas një ritmi shumë të lartë, Hrgović nisi rikthimin. Në raundin e nëntë, Hrgović shpërtheu me një seri goditjesh të fuqishme, e rrëzoi Itauman dhe e vuri nën presion të madh.
Gjyqtari Howard Foster ndërpreu duelin, ndërsa nga këndi i britanikut u hodh edhe peshqiri. Me këtë fitore, Hrgović bëhet kampioni i parë botëror kroat në historinë e peshave të rënda . Rekordi i tij tani është 21 fitore, 15 prej tyre me nokaut, dhe vetëm një humbje. Për Itauman, kjo ishte humbja e parë në karrierën profesioniste.
Britaniku zbret në 14 fitore dhe një humbje, me 12 fitore të arritura me nokaut. Pavarësisht humbjes, 21-vjeçari mbetet një prej emrave më premtues të kategorisë, ndërsa Hrgović tashmë mban në duar titullin e botës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!