Mbi 2 milionë euro grante për TIK dhe energji të pastër

0%

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Ministria e Ekonomisë kanë prezantuar dy skema të reja grantesh me vlerë prej mbi 2 milionë eurosh për sektorin e TIK-ut dhe energjinë e pastër.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se këto grante synojnë mbështetjen e sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) si dhe investimet në energji të pastër për ndërmarrjet prodhuese.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ajo bëri të ditur se këto grante janë pjesë kryesore e strategjisë për modernizimin e ekonomisë vendore. “Këto grante janë pjesë e angazhimit tonë për forcimin e ekosistemit të inovacionit, përshpejtimin e transformimit digjital dhe ndërtimin e një ekonomie më konkurruese, të bazuar në teknologji”- .

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Skema e parë, me një buxhet prej 1 milion e 160 mijë eurosh, realizohet në bashkëpunim me Qeverinë e Luksemburgut përmes agjencisë LuxDev. Në këtë fond, MINT ka kontribuar me 600 mijë euro, ndërsa LuxDev me 560 mijë euro. Nga kjo skemë do të bëhet ndarja në dy lote: 760 mijë euro për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NVM) dhe 400 mijë euro për bizneset Start-up.

Ministrja Kusari-Lila specifikoi fushën e veprimit të këtyre investimeve. “Përmes kësaj skeme do të mbështeten projekte që mundësojnë zgjidhje inovative në fusha si Inteligjenca Artificiale (AI), siguria kibernetike, blockchain , analiza e të dhënave, automatizimi i proceseve, platformat digjitale dhe teknologji të tjera moderne”- shtoi ajo.

Përveç TIK-ut, u prezantua edhe skema prej 880 mijë eurosh për sektorin e prodhimit. Sipas ministres së MINT-it, ky projekt ka synime të qarta ekologjike dhe ekonomike. “…kjo skemë do të financojë investimet në sisteme solare, efiçiencë energjetike dhe pajisje që ulin konsumin e energjisë në ndërmarrje”- shkruan Kusari-Lila.

Kusari-Lila ka falënderuar edhe ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, për përkrahjen e vazhdueshme në fuqizimin e ekosistemit të inovacionit. Aplikimi për bizneset e interesuara do të bëhet në mënyrë digjitale përmes platformës e-Kosova, ndërsa detajet e plota të thirrjes publike do të publikohen në kanalet zyrtare të MINT-it dhe KIESA-s.

Me lansimin e këtyre dy skemave, sipas ministres, krahas katër të tjerave të hapura gjatë muajit qershor, vlera totale e paketës mbështetëse për bizneset kosovare nga qeveria ka arritur në 7.8 milionë euro. Luksemburgu i ka dhënë Kosovës ndihma financiare në fusha të ndryshme: që nga sistemi elektronik i votimit në Kuvendin e Kosovës e deri tash së fundmi një investim në shëndetësi.

Në prill të vitit 2026, është përuruar transformimi i Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Në ceremoninë e organizuar morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ambasadori i Luksemburgut, Eric Dietz.

Ky investim, ka vlerë prej 1.5 milion euro në një hapësirë rreth 400 metra në katrorë Ndërkaq, në shtator të vitit 2025, Kosova nënshkruajti një marrëveshje me Luksemburgun me vlerë 1 milion euro në kuadër të një marrëveshjeje për mbështetje të bizneseve në energji të pastër për zbatimin e Skemës së Granteve për Energji të Pastër.

Më , gjatë vizitës së zëvendëskryeministrit të Luksemburgut në Kosovë, Xavier Bettel, mes dy vendeve ishte nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me ish-ministren Rozeta Hajdari, përmes së cilit synohej të ofrohen projekte të reja për mbështetjen e sektorit privat me vlerë prej 35 milionë euro. Luksemburgu ka ndihmuar Kuvendin e Kosovës edhe në pajijsjet e reja teknologjike në vitin 2024.

Pas shumë kohësh, prej shtatorit 2024, deputetët kanë mundësinë për të votuar në mënyrë elektronike për pjesëmarrje në seancë. Për tri vjet, sistemi elektronik në Parlament ka qenë jashtë funksionit, prandaj deputetët kanë votuar me ngritje dore.

Në vitin 2018, ishte nënshkruar një marrëveshje në vlerë prej 2.3 milionë euro për përmirësimin e rrjetit të Ngrohtores qendrore në Prishtinë, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), ku donatorë i këtyre mjeteve ishte Qeveria e Luksemburgut, ndërsa përfituese është NP “Termokos” Sh.A.

Burimi: Kallxo