Skandali i korrupsionit në Ukrainë, ku janë përfshirë zyrtarë të lartë të rrethit të presidentit Volodymyr Zelensky, është vetëm maja e ajsbergut, pasi me avancimin e hetimeve nga autoritetet kundër korrupsionit, emra të rinj po dalin në qendër të vëmendjes. Dhe jo rastësisht. Ata i përkasin rrethit të ngushtë familjar të presidentit ukrainas.
Raporte nga Ukraina, të cilat citojnë rrjete të pavarura, pretendojnë se së fundmi hetuesit e shërbimit kundër korrupsionit kanë shqyrtuar depozita me vlerë 11 milionë dollarë, të lidhura me prindërit e presidentit Zelensky, të cilat thuhet se janë depozituar në llogaritë e tyre gjatë vitit 2025.
Madje, në kuadër të hetimit ishte planifikuar të kryhej një kontroll në banesën e tyre, por ai u ndërpre pas ndërhyrjes së zyrës së presidentit.
Megjithatë, sipas raportimit të Europa Today, kontrolli nga NABU (Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës) u zhvillua më 30 qershor dhe prindërit e presidentit ukrainas, Oleksandr Zelensky dhe Rima Zelenska, fillimisht u ndaluan dhe më pas u liruan. Gjatë marrjes në pyetje, ata u pyetën për origjinën e parave, ndërsa deklaruan se bëhej fjalë për “dhurata”.
Sipas të njëjtit medium, pothuajse menjëherë pas kësaj pati një telefonatë drejtuar kreut të NABU-së nga shefi i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, Kyrylo Budanov, dhe çështja më pas kaloi në plan të dytë.
