Avokati i Popullit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Pietro Spera, ka deklaruar se kushtet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë përmbushin standardet më të larta ndërkombëtare, pas inspektimit të fundit të zhvilluar nga Zyra e Ombudspersonit.
Përmes një adresimi të publikuar në llogarinë zyrtare të Zyrës së Ombudspersonit në platformën X, Spera tha se roli i tij është të mbikëqyrë kushtet në të cilat mbahen të paraburgosurit dhe të sigurohet që të drejtat e tyre respektohen në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ai bëri të ditur se gjatë inspektimeve u ofrohet mundësia të paraburgosurve që ta takojnë në mënyrë private dhe konfidenciale, por jo të gjithë kanë pranuar ta bëjnë një gjë të tillë. “Në kuadër të inspektimeve ju ofroj takime të paraburgosurve, në mënyrë private dhe konfidenciale. Disa prej tyre më kanë takuar, disa jo”, ka deklaruar Spera.
Sipas tij, javën e kaluar është zhvilluar inspektimi i 11-të, ndërsa pas vlerësimit të kushteve ka konstatuar se paraburgimi në Dhomat e Specializuara vazhdon të përmbushë standardet më të larta të kërkuara. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
