Një qytetar që kishte dalë për të mbledhur kërpudha në Bjeshkët e Junikut ka hasur në mjete të pashpërthyera dhe municion, duke alarmuar menjëherë Policinë e Kosovës, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është raportuar nga F. K., 55-vjeçar , i cili kishte vërejtur objektet e dyshimta në vendin e njohur si “Zharre”.
Pas njoftimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se bëhej fjalë për dy granata dore të kategorisë A-1. Më vonë në vendngjarje kanë intervenuar edhe njësia për Deminim e FSK-së dhe njësia amerikane e KFOR-it, të cilat kanë kryer shpërthimin e kontrolluar të mjeteve.
Gjatë operacionit janë gjetur dhe asgjësuar dy granata dore dhe 122 fishekë të kalibrit 7.62 mm. Sipas burimeve, operacioni është zhvilluar pa asnjë incident dhe nuk ka pasur rrezik për qytetarët. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
