Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dy aktakuza me propozim për gjykim në mungesë, për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Në rastin e parë, aktakuza është ngritur ndaj J.J. dhe A.S., të cilët akuzohen se në cilësinë e ish-gardianëve të Burgut të Prishtinës dhe paraleles së tij në Lipjan, gjatë viteve 1998–1999, kanë keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë.
Sipas aktakuzës, ata dyshohet se kanë kryer tortura në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, duke përfshirë shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte, si dhe kanë ushtruar kanosje serioze me vrasje. Në rastin e dytë, aktakuza është ngritur ndaj katër të pandehurave: L.S., D.L., S.A. dhe B.S.
Sipas Prokurorisë Speciale, të pandehurat, në cilësinë e gardianeve të Burgut të Prishtinës – paralelja për gra në Lipjan, gjatë periudhës së luftës 1998–1999, në bashkëkryerje me një tjetër të akuzuar, dyshohet se kanë keqtrajtuar sistematikisht të burgosurat shqiptare, duke u shkaktuar tortura çnjerëzore, lëndime trupore dhe dhunë psikike.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se të dy rastet janë dorëzuar për procedim të mëtejshëm në gjykatë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!