Nëntë murgj budistë kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pasi u goditën nga një kamionçinë në verilindje të Tajlandës. Aksidenti ndodhi në provincën Mukdahan, gjatë një procesioni fetar. Sipas policisë, grupi prej 35 murgjish dhe pesë besimtarësh po ecte përgjatë një rruge gjatë një pelegrinazhi kur një automjet i drejtuar nga një djalë 11-vjeçar u përplas me ta.
Autoritetet thanë se fëmija kishte marrë pa leje kamionçinën e prindërve të tij dhe më pas kishte humbur kontrollin e mjetit, duke shkaktuar përplasjen fatale. Pamje nga vendngjarja tregojnë sende të shpërndara dhe automjetin e dëmtuar rëndë. Sipas policisë, pesë murgj vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa katër të tjerë ndërruan jetë më vonë në spital.
Disa të plagosur ndodhen në gjendje kritike, ndërsa të tjerë po trajtohen për lëndime më të lehta, shkruan bbc. Autoritetet konfirmuan se djali është një i mitur dhe se po trajtohet nga kujdestarët dhe mjekët. Hetimet paraprake sugjerojnë se ai mund të ketë pasur nevoja të veçanta, por ende nuk janë dhënë detaje zyrtare.
Spitali i Mukdahanit ka bërë thirrje urgjente për dhurime gjaku për të ndihmuar të plagosurit, ndërsa autoritetet shëndetësore vijojnë trajtimin e të lënduarve. Policia dhe autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore dhe rrethanat e plota të ngjarjes, e cila ka tronditur komunitetin lokal dhe ka hapur debat për sigurinë rrugore në vend.
