Nga: Ardona Popova Shpërndaje në: Nga të shtëna me armë në qendër të Podujevës, lëndime trupore kanë pësuar tre persona të përfshirë në ngjarje, si dhe një kalimtar i rastit.
Prokuroria ka bërë të ditur se në ngjarje janë të përfshirë persona që kanë lidhje familjare, ndërsa motivi i dyshuar i kësaj çështjeje lidhet me një mosmarrëveshje paraprake Katër persona, njëri prej të cilëve kalimtar rasti, janë plagosur të enjten në Podujevë pas një përleshjeje të armatosur në qendër të këtij qyteti.
Bazuar në filmimet e regjistruara, eskalimi i mëtejmë është parandaluar nga një polic, që ka ndërhyrë me armë. Prokuroria bëri të ditur se përleshja ka ndodhur mes tre personave, që kanë lidhje familjare mes vete. “Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, lëndime trupore kanë pësuar tre (3) persona të përfshirë në ngjarje, si dhe një kalimtar i rastit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Sipas të dhënave fillestare të hetimit, dyshohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë persona që kanë lidhje familjare (nip dhe dajë), ndërsa motivi i dyshuar i kësaj çështjeje lidhet me një mosmarrëveshje paraprake”. Të përfshirët në përleshjen e armatosur dyshohen për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.
Të plagosurit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po marrin trajtim mjekësor. Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, ka bërë të ditur se të lënduarit janë në gjendje stabile. “Në Qendrën Emergjente janë sjellë 4 pacientë me lëndime të rënda me armë zjarri. Disa prej tyre i kanë përfunduar ekzaminimet e nevojshme në Qendrën Emergjente.
Gjendja e tyre është stabile, por mund të them që është ende e rëndë. Njëri prej tyre veçse u dërgua në sallën operative, kurse edhe tre të tjerë janë duke u trajtuar”, ka thënë Syla. Të shtënat u raportuan në orën të së enjtes. Policia ka bërë të ditur se po ndërmerr veprime hetimore për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, Basri Shabani, ka thënë se ende nuk dihen motivet e këtij incidenti por shtoi se hetimet fillestare tregojnë për një problem familjar. “Për motivin nuk mund të them sigurt, sepse jemi në fazën e parë të hetimeve.
Po kanë lidhje familje dhe problemet janë familjare dhe ky mund të jetë motivi, por saktësisht për motivin nuk mund të themi ende asgjë”, ka thënë Shabani. Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim të plotë më Policinë, ka vazhduar gjatë ditës ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.
Sipas të dhënave të Policisë, në Kosovë 5 vrasje kanë ndodhur gjatë muajve maj dhe qershor 2026. Sipas këtyre të dhënave në të njëjtën periudhë vitin e kaluar ka qenë vetëm një vrasje.
