Vala e të nxehtit fik trurin. Temperaturat ekstreme që po përjetojmë të gjithë këto ditë ndikojnë mjaft negativisht mbi organizmin, por njëkohësisht shkatërrojnë shëndetin mendor. Jo vetëm lodhje fizike, probleme kardiake, por edhe ezaurim mendor e përkeqësim të shëndetit mendor të kujtdo, e më shumë për ata që vuajnë nga të tilla probleme.
Sipas OBSH-së, përveç viktimave të deritanishme, kryesisht në Francë, si pasojë e të nxehtit, pritet që statistikat të përkeqësohen dukshëm, me dyfishim të humbjeve të jetës dhe pasoja të jashtëzakonshme në shëndetin publik.
Sipas edhe një studimi të Universitetit Oxford mbi ndryshimet klimatike dhe shëndetin mendor, periudhat e karakterizuara nga valë të nxehti shoqërohen gjithnjë me rritje të shtrimeve në struktura spitalore për shkaqe mendore, me 9.7% më shumë në krahasim me temperaturat normale. Gjithashtu, edhe rreziku i vdekshmërisë në të tilla kushte ekstreme për këta pacientë shtohet 3 herë më shumë.
Rritja e temperaturave shoqërohet me reduktim të socializimit, heqje dorë nga aktiviteti fizik, bëhet më e vështirë të flesh gjumë dhe të tre këta faktorë janë esencialë për shëndetin mendor. Gjithashtu, nxehtësia e tepërt ndikon kiminë e trurit, duke shkaktuar luhatje te neurotransmetuesit, modalitetet e komunikimit mes neuroneve dhe nivelet e oksigjenimit të trurit.
