Komisioni Europian ka bërë të ditur se do të shqyrtojë reformat e arritura nga vendet e Ballkanit Perëndimor pas skadimit të afatit të parë shtesë (periudhës grejs) më 30 qershor, por theksoi se aktualisht nuk ka ndonjë vendim për penalizimin e tyre apo rialokimin e fondeve.
Kjo deklaratë vjen pasiqë Euronews më raportoi se BE-ja do të ridrejtojë fondet e reformave të Ballkanit Perëndimor drejt vendeve “kryesore” për anëtarësim, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi vendet e tjera po kanë telashe që t’i përmbushin afatet e reformave.
Zëdhënësi i Komisionit Europian, Guillaume Mercier, në një konferencë për media ka sqaruar se pavarësisht skadimit të këtij afati që lidhet me kërkesën e dytë për pagesë, Brukseli zyrtar fillimisht do të bëjë vlerësimin e raporteve që do të dërgohen nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Mercier ka bërë të ditur se procesi tani kalon në fazën e shqyrtimit të raporteve që vijnë nga rajoni.
“Pra, ajo që do të bëjmë tani është që me të vërtetë do të shqyrtojmë reformat që janë arritur deri më tani lidhur me këtë periudhë grejs, dhe potencialisht mund të shohim mundësinë e rialokimit të financimit. Por në këtë fazë, është shumë e rëndësishme të përmendet se nuk është marrë asnjë vendim.
Ne tani po vlerësojmë raportimet nga partnerët, partnerët e Ballkanit Perëndimor, dhe do të komunikojmë sapo të kemi marrë një vendim në atë kontekst”- ka deklaruar Mercier. Zëdhënësi Mercier ka kujtuar se Plani i Reformës dhe Rritjes nuk është një çek i bardhë, por një instrument i ndërtuar mbi parimin e kushtëzimit të plotë.
Sipas tij, vendet partnere të Ballkanit Perëndimor duhet t’i jetësojnë reformat e dakorduara paraprakisht në mënyrë që të mund të përfitojnë financimet në këmbim. Megjithatë, ai ka shprehur një optimizëm të matur sa i përket dinamikës së deritanishme të punës. Mercier bëri të ditur se që nga lansimi i këtij plani është shënuar një progres domethënës.
Sipas të dhënave të KE-së, në kërkesën e kaluar për pagesë, rreth 78% e reformave të parapara janë arritur apo kanë shënuar një lloj progresi, ndërsa vetëm 22% e tyre kanë mbetur pa u realizuar. Kjo, sipas tij, tregon qartë se ka një lëvizje pozitive drejt përmbushjes së kritereve.
Duke shpjeguar procedurat ligjore që rregullojnë këtë instrument, Mercier specifikoi se rregullorja parashikon një rrjet sigurie për shtetet që ngecin. Në rastet kur një kusht i pagesës nuk përmbushet në përputhje me agjendën e reformave, Mercier tha se atëherë aktivizohet një periudhë grejs prej një viti, periudhë kjo që u jep kohë shtesë vendeve që të reflektojnë.
Nëse edhe pas këtij afati njëvjeçar reformat nuk kryhen, zëdhënësi sqaroi se rregullorja mundëson shqyrtimin e mundshëm të rialokimit të atyre fondeve drejt shteteve të tjera.
Meqenëse ky afat i parë grejs sapo ka skaduar më 30 qershor, Komisioni Europian do të analizojë me saktësi se çfarë është arritur, duke përsëritur thirrjen urgjente për liderët e Ballkanit Perëndimor që ta shfrytëzojnë këtë plan deri në potencialin e tij të plotë. Brukseli, sipas tij, mbetet tërësisht në dispozicion për t’i mbështetur ata teknikisht në jetësimin e reformave të nevojshme.
Kryenegociatori i Kosovës me BE-në dhe Koordinatori për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, Jeton Zulfaj, ka bërë të ditur se më 15 korrik do të dërgohet kërkesa e parë për lirimin e fondeve nga Plani i Rritjes për hapat të cilët janë përmbushur/zbatuar deri më 30 qershor.
Zulfaj, gjatë një konference për media më , një ditë pasi përfundoi afati i periudhës grejs tha se llogariten mbi 40 milionë euro të humbura për Kosovën për shkak të mungesës së zbatimit të disa reformave për shkak të bllokadës politike në Kosovën e cila për momentin nuk ka Kuvend. Për Kosovën, agjenda e Reformave përmban gjithsej 111 hapa (me rreth 300 nënhapa).
Nga 13 hapat kritikë që kishin afat shtesë ditën e fundit të qershorit, Qeveria konsideron se ka zbatuar 7 prej tyre, ndërsa 6 dështuan të plotësohen. “Për hapat që nuk kanë arritur të përfundohen në periudhën shtesë, mjetet e dedikuara për përfundimin e tyre humbin.
Nga 13 hapat që kishin afat shtesë deri më 30 qershor, shtatë konsiderohen të zbatuar, ndërkaq gjashtë nuk kanë arritur të zbatohen plotësisht… Kostoja llogaritet të jetë mbi 40 milionë euro”- deklaroi Zulfaj.
Zulfaj sqaroi se nga 6 hapat e mbetur, 5 prej tyre (ose 83%) vareshin direkt nga miratimi i ligjeve në Kuvend, ndërsa i mbeturi – Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar – mbeti peng i procedurave pasi nuk mund të miratohej nga një qeveri në detyrë.
Kosova deri tani nuk ka zbatuar asnjë hap reformues, të paktën nuk i ka dorëzuar ende këto të fundit, prandaj deri më tani ka marrë vetëm 61 milionët e parafinancimit.
Nga ana tjetër, kryenegociatori Jeton Zulfaj premton se Qeveria do t’i shtyjë këto reforma për aprovim në seancën e radhës të Kuvendit me të njëjtin vullnet, pasi ato janë për të mirën e qytetarëve – ndërkohë që vendi akoma nuk ka institucione të konstituara.
Megjithatë, ai e bëri të qartë se mjetet e lidhura me afatin e qershorit tashmë janë “djegur” dhe se tani fokusi duhet të jetë te dhjetori, ku bëjnë pjesë 61 hapa në vlerë prej 444 milionë eurosh. Për t’i shpëtuar ato, siç u shpreh Zulfaj, “është tejet e rëndësishme që të kemi Kuvend funksional”.
Si shembull flagrant, kryenegociatori përmendi ligjet për energjinë, të cilat kërkonin procedurë të përshpejtuar dhe votat e dy të tretave të të pranishmëve. Sipas Zulfajt, opozita qëndroi në sallë enkas për të pamundësuar këtë prag, duke bllokuar kështu ligjet e energjisë dhe integrimin në SEPA.
“Pothuajse të gjithë hapat që nuk kanë arritur të zbatohen në afatin shtesë, janë si pasojë e mosfunksionimit të Kuvendit dhe bllokadës në Kuvend” – akuzoi Zulfaj.
Gjashtë reformat që nuk zbatuan dhe llogariten se kushtojnë mbi 40 milionë euro: janë ligjet për energjinë dhe energjinë elektrike së bashku me aktet nënligjore; Ligji për ndihmën shtetërore dhe Sistemi i Kontrollit të Ndihmës Shtetërore; Ligji për inovacion dhe ndërmarrësi (Këshilli Kombëtar për Inovacion dhe Fondi i Inovacionit); Legjislacioni kornizë për falimentimin/paaftësinë paguese dhe Ligji për kamatëvonesat; Pakoja prej 6 ligjeve jetike (përfshirë ligjet për KPK-në, KGJK-në, Akademinë e Drejtësisë, përgjegjësinë disiplinore, rekrutimin dhe kontrollin e integritetit); dhe, Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar.
Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027 është në vlerë 6 miliardë euro. Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro: 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë. Më , Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimin Europian – Planin e Rritjes.
Kjo është një ndër marrëveshjet me vlerën më të madhe dhe më të rëndësishmet që përfiton Kosova. Për shkak të ngërçit të gjatë politik dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Plani i Rritjes kishte mbetur pa u ratifikuar për më shumë se një vit, duke mbajtur pezull shumën prej 882 milionë eurosh.
