​Përzgjedhja e Kryeprokurorit, OJQ-të: Deri tani ka transparencë dhe

0%

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Lëvizja FOL kanë vlerësuar se procesi i deritanishëm për përzgjedhjen dhe emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit është zhvilluar në mënyrë të rregullt, transparente dhe të barabartë ndërmjet kandidatëve.

Sipas një komunikate të përbashkët, organizatat kanë monitoruar të gjitha fazat kryesore të procesit, përfshirë miratimin e rregullativës, konfirmimin e kandidaturave, hartimin e pyetjeve dhe intervistimin e pesë kandidatëve.

Koalicioni i OJQ-ve vlerëson se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka adresuar një pjesë të rëndësishme të mangësive të evidentuara në procesin e kaluar për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Sipas tyre, ndryshimet në rregullore kanë harmonizuar procedurat me legjislacionin në fuqi, kanë qartësuar kompetencat dhe kanë eliminuar paqartësitë procedurale.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Po ashtu, organizatat kanë vlerësuar pozitivisht publikimin e konceptdokumenteve të kandidatëve, duke theksuar se ky hap ka rritur transparencën dhe ka mundësuar që publiku dhe mediat të njihen paraprakisht me vizionin e secilit kandidat.

Në raport thuhet se gjatë fazës së verifikimit të kandidaturave nuk janë evidentuar probleme përmbajtësore dhe se pesë kandidatët kanë plotësuar kriteret ligjore për të vazhduar garën.

Sipas monitorimit, procesi i hartimit të pyetjeve standarde është zhvilluar në prani të monitoruesve dhe është incizuar me audio dhe video, ndërsa janë ndërmarrë masa për ruajtjen e konfidencialitetit dhe integritetit të procesit. Koalicioni thekson se gjetja më e rëndësishme është se gjatë intervistimit nuk është evidentuar trajtim i pabarabartë i kandidatëve.

Të gjithë kandidatët janë intervistuar në kushte të njëjta, kanë marrë pyetjet e njëjta standarde, kohë të barabartë për përgjigje dhe janë vlerësuar menjëherë pas përfundimit të intervistave. Gjithashtu, monitoruesit nuk kanë evidentuar komunikim ndërmjet anëtarëve të Panelit Vlerësues që do të mund të ngrinte dyshime për koordinim të vlerësimeve apo cenim të pavarësisë së procesit.

IKD, KDI dhe FOL kanë bërë të ditur se, duke qenë se dallimi në pikë mes kandidatëve është i vogël, është me rëndësi që edhe fazat e mbetura deri në emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit të zhvillohen me kujdes, transparencë dhe në përputhje me parimet e ligjshmërisë, meritokracisë dhe barazisë.

Koalicioni njoftoi se do të vazhdojë monitorimin deri në përfundimin e të gjitha procedurave, ndërsa raporti përfundimtar do të publikohet pas përmbylljes së procesit.

Burimi: Bota Sot