Legjenda e futbollit anglez, Alan Shearer, beson se Anglia duhet të përmirësojë paraqitjen nëse dëshiron të shkojë larg në Kupën e Botës 2026, duke theksuar se mbështetja e tepërt te Harry Kane dhe Jude Bellingham mund t`i kushtojë skuadrës së Thomas Tuchelit.
“Tre Luanët” siguruan kualifikimin në 1/8 e finales pas fitores dramatike 2:1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos, me Harry Kane që realizoi të dy golat e fitores. Megjithatë, sipas Shearerit, Anglia vazhdon të shfaqë dobësi të theksuara, veçanërisht në repartin defensiv dhe në lojën nga krahët.
“Ajo që kemi mësuar nga Anglia deri tani në këtë Botëror është se dy lojtarët më të rëndësishëm janë Harry Kane dhe Jude Bellingham. Kjo u pa edhe ndaj Republikës Demokratike të Kongos. Bellingham pati disa raste të mira, por portieri kundërshtar bëri pritje të shkëlqyera, ndërsa Kane është thjesht i jashtëzakonshëm para portës”, tha Shearer.
Ish-kapiteni i Anglisë shtoi se skuadra po lejon shumë hapësira përpara mbrojtjes, duke i dhënë mundësi kundërshtarëve të krijojnë raste të rrezikshme. “Nga ana defensive kishte shumë hapësira përpara katërshes së mbrojtjes. U dhamë kundërshtarëve shumë mundësi dhe ata shënuan në rastin e tyre të parë. Gjithashtu, Anglisë i mungon cilësia në pozitat anësore” , u shpreh Shearer.
Anglia do të përballet me Meksikën në 1/8 e finales, në një sfidë që zhvillohet në stadiumin legjendar “Azteca”. Përzgjedhësi Thomas Tuchel përballet gjithashtu me probleme në krahun e djathtë të mbrojtjes, pasi Reece James dhe Jarell Quansah vazhdojnë të jenë jashtë fushave për shkak të lëndimeve.
