Përfaqësues të Këshillave të fshatrave në Komunën e Mitrovicës së Jugut kanë shprehur pakënaqësi ndaj kryetarit të Komunës, duke thënë se nuk janë ftuar në takimet e parapara me kryetarët e këshillave të lagjeve dhe fshatrave, siç parashihet me rregulloren komunale.
Ata thonë se gjatë dëgjimit publik për punën gjashtëmujore të Ekzekutivit komunal, të mbajtur më 30 qershor, nuk janë trajtuar si përfaqësues të zgjedhur të komuniteteve, por si qytetarë të zakonshëm. Përfaqësuesi i fshatrave Broboniq dhe Koprivë, Isak Hajra, tha për KosovaPress se përkundër kërkesave të vazhdueshme, nuk është caktuar asnjë takim me kryetarët e këshillave.
Hajra: 10 përfaqësues kemi kërkuar nga kryetari të na caktojë një datë brenda gjashtëmujorit “Po ashtu ka qenë që më 30 qershor është mbajtur një takim me qytetarët, mirëpo nuk kemi pasur mundësi të takohemi me kryetarin, edhe pse e kemi pasur një kërkesë. Nuk na ka ftuar. Kemi marrë pjesë në atë takim me qytetarët.
Kemi qenë 10 përfaqësues që kemi kërkuar nga kryetari të na caktojë një datë brenda gjashtëmujorit, që e ka edhe si obligim dhe që është edhe në bazë të Rregullores, e cila parasheh se me kryetarët e këshillave duhet të mbahen së paku dy takime. Mirëpo, kur e pamë që edhe gjashtëmujori kaloi dhe nuk u ftuam, morëm pjesë.
Pasi i shprehëm shqetësimet tona dhe i kërkuam, pas dëgjimit ku kryetari raportoi për aktivitetin gjashtëmujor, ne morëm fjalën, por nuk mundëm të arrinim një marrëveshje ose kryetari nuk deshi të na përgjigjej. Së dyti, nuk na quajti si kryetarë, por si qytetarë. Në fakt, ne nuk jemi qytetarë, por jemi kryetarë.
Peci, kur nuk ka qenë fare këtu, ne kemi qenë kryetarë të këshillave dhe të lagjeve, ai tash ka ardhur këtu. Unë kërkoj nga ai që të sillet normalisht si kryetar Komune dhe të ketë një raport të mirë”, tha Hajra. Sipas tij, kërkesa për takim është dorëzuar edhe me shkrim, por nuk ka marrë përgjigje.
VIDEO: Hajra: Deri më nuk morëm as ftesë e as datë të caktuar për takim “Pas tre muajve që nuk na ftoi dhe nuk bëri takim, unë, në emër të kryetarëve, më i dërgova një kërkesë që të na caktojë një datë. I kemi shkruar se nuk kërkojmë kohë gjatë orarit të punës, por edhe pas orarit, kryetarët kanë qenë në gatishmëri të takohen.
Mirëpo edhe pas kësaj, deri më , nuk morëm as ftesë e as datë të caktuar. Kjo është jo vetëm zhgënjyese, por për një kryetar mendoj se nuk është në rregull. Rregulloren e Kuvendit Komunal nuk e kemi hartuar ne, ajo është nxjerrë nga Kuvendi Komunal, mirëpo tani vetë drejtuesit po e shkelin, jo kryetarët e këshillave.
Aty thuhet se kryetari është i obliguar që brenda një viti të mbajë dy takime me kryetarët e këshillave”, tha ai. Hajra kërkoi që takimi me kryetarët e këshillave të organizohet sa më shpejt. Hajra: Ky është zhgënjimi ynë, që nuk e pa të arsyeshme të na quante kryetarë “Që në një afat sa më të shkurtër të caktohet një takim me kryetarët e këshillave.
Atë ditë nuk na quajti si kryetarë, por qytetarë. Unë jam zhgënjyer dhe befasuar që nuk mund ta quajë një kryetar këshilli me emërtimin që i takon. Ai është zgjedhur me votën e qytetarëve dhe është kryetar komune. Dy njerëz në komunë zgjidhen me votën e popullit: kryetari i komunës dhe kryetari i këshillit. Asnjë tjetër nuk zgjidhet në atë mënyrë.
Ky është zhgënjimi ynë, që nuk e pa të arsyeshme të na quante kryetarë. Janë 29 kryetarë këshillash që e menaxhojnë tërë rajonin e Mitrovicës së Jugut, prandaj kanë një peshë shumë të madhe”, tha ai.
Edhe përfaqësuesi i fshatrave Vaganicë e Poshtme dhe Vaganicë e Epërme, Jakup Gashi, mohoi pretendimet se ata përfaqësojnë ndonjë subjekt politik, duke thënë se janë zgjedhur nga komunitetet që përfaqësojnë. Gashi: Ne nuk jemi grup i asnjë partie “Po, kemi dëgjuar se na është dhënë një epitet se ne kemi qenë një grup i një partie, i një subjekti politik. Ne nuk jemi grup i asnjë partie.
Ne jemi zgjedhur apartiakë prej komunitetit ku jemi të zgjedhur. Ne thjesht kemi dashur që kryetari i komunës të na respektojë si përfaqësues të këshillave të lagjeve, ashtu siç ne e respektojmë atë si kryetar komune. Absolutisht nuk kemi kërkuar më shumë, jo të na trajtojë si qytetarë të rëndomtë, sepse ne kemi kërkesa të mëdha.
Nuk kemi kërkesa individuale ose personale, por kemi kërkesa të shumta për komunitetin që e përfaqësojmë”, tha Gashi. Nga ana tjetër, lidhur me këto pretendime, zëdhënësi i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Shkelzen Haliti, tha se dëgjimi publik ka zgjatur më shumë se një orë e gjysmë dhe se kryetari ka prezantuar punën gjashtëmujore të Komunës, ndërsa u është përgjigjur të gjitha pyetjeve të qytetarëve.
Haliti: Pasi kanë marrë përgjigje nga kryetari, janë larguar në mënyrë paqësore dhe duke e përshëndetur atë “Rreth një orë e gjysmë ose më shumë ka zgjatur dëgjimi publik me qytetarët. Kryetari i ka prezantuar të gjitha punimet dhe të arriturat gjatë gjashtëmujorit të qeverisjes sonë. Ato janë prezantuar në monitor dhe qytetarët kanë pasur mundësi ta shohin të gjithë punën që është bërë.
Më pas janë parashtruar kërkesa, sugjerime dhe ankesa, të cilat kryetari i ka dëgjuar deri te qytetari i fundit. Pas përfundimit të prezantimit kanë filluar pyetjet e qytetarëve dhe ka pasur raste kur qytetarët i kanë adresuar kërkesat dhe shqetësimet e tyre. Pasi kanë marrë përgjigje nga kryetari, janë larguar në mënyrë paqësore dhe duke e përshëndetur atë”, tha Haliti.
Sipas tij, kryetari nuk bën dallime gjatë caktimit të takimeve. Haliti: Kryetari e ka krijuar mundësinë që të gjithë qytetarët të lënë terminet e tyre për takim “Kryetari, që në fillim të mandatit, e ka krijuar mundësinë që të gjithë qytetarët të lënë terminet e tyre për takim me kryetarin dhe nuk ka bërë dallime nëse janë kryetarë apo nënkryetarë të lagjeve, apo qytetarë të tjerë, sepse nuk mund t’i diskriminojë qytetarët e tjerë dhe t’i kalojë pa radhë vetëm për shkak se janë kryetarë të lagjeve.
Edhe qytetarët përfaqësojnë diçka, prandaj secili pret sipas radhës së tij dhe këto takime vazhdojnë të mbahen”, tha Haliti. Ai shtoi se të gjithë ata që kërkojnë takim me kryetarin përmes Zyrës së Kabinetit trajtohen në mënyrë të barabartë.
Haliti: Të gjithë ata që lënë kërkesë për takim me kryetarin u caktohet data “E vërteta qëndron se të gjithë ata që lënë kërkesë për takim me kryetarin përmes Zyrës së Kabinetit, të gjithëve u caktohet data, ashtu siç u caktohet të gjithë qytetarëve me radhë. Kjo është e vërteta ”, tha Haliti.
