Ish-reprezentuesi i Spanjës, Cesar Azpilicueta, beson se “La Roja” ka potencial për ta fituar Kupën e Botës 2026, por paralajmëron se suksesi nuk mund të varet vetëm nga talenti i jashtëzakonshëm i Lamine Yamalit. Pas triumfit në Kampionatin Evropian 2024, Spanja synon të ngjitet sërish në majën e futbollit botëror.
Skuadra e drejtuar nga Luis de la Fuente ka lënë përshtypje të mira edhe në Botërorin 2026, ndërsa Yamal ka qenë një nga emrat më të spikatur. 18-vjeçari shënoi golin e tij të parë në një Kupë Bote në fitoren bindëse 4-0 ndaj Arabisë Saudite në fazën e grupeve, duke dëshmuar edhe një herë talentin e tij të jashtëzakonshëm.
Edhe pse kishte ardhur në turne pas një lëndimi që e mbajti jashtë javët e fundit të sezonit me Barcelonën, Yamal tashmë konsiderohet plotësisht i gatshëm. Megjithatë, Azpilicueta thekson se Spanja ka nevojë për kontributin e të gjithë skuadrës nëse synon të shpallet kampione e botës.
“Kur njerëzit flasin për mundësinë që Spanja ta fitojë këtë Botëror, sigurisht që përmendin Lamine Yamalin si figurën kryesore. Por një Kupë Bote nuk fitohet nga një lojtar i vetëm. Ky turne është edhe më i gjatë, mund të ketë vazhdime, ka temperatura të larta dhe shumë udhëtime.
Gjëja më e rëndësishme për Luis de la Fuente është që, përveç Yamalit, të ketë në dispozicion një skuadër të plotë dhe të gatshme”, deklaroi Azpilicueta për “BBC Sport”, transmeton RTKLive. Ai kujtoi se në Euro 2024, De la Fuente aktivizoi të gjithë lojtarët e fushës gjatë shtatë ndeshjeve të turneut, duke theksuar se edhe këtë herë çdo futbollist do të ketë rol të rëndësishëm.
Spanja do ta nisë fazën eliminatore me përballjen ndaj Austrisë. Nëse siguron kualifikimin, në raundin pasues do të përballet me fituesin e duelit mes Portugalisë dhe Kroacisë.
