Muja: Çdo pronë e uzurpuar do t’i kthehet Ministrisë, lirohet një

0%

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka njoftuar se ka vazhduar zbatimin e vendimit për lirimin dhe rikthimin në posedim të ligjshëm të pronave të uzurpuara që administrohen nga Instituti Bujqësor i Kosovës (IBK).

Sipas njoftimit, në kuadër të këtij procesi, gjatë ditës së sotme është liruar një pronë e MBPZhR-së – Institutit Bujqësor të Kosovës, e cila ndodhet në Stankaj të Rugovës. “MBPZhR vazhdon lirimin e pronave të uzurpuara të Institutit Bujqësor të Kosovës, në zbatim të vendimit të Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministria ka bërë të ditur se lirimi i pronës është realizuar në zbatim të Marrëveshjes së Ndërmjetësimit nr. ND.nr.430/25, të datës , e cila është miratuar me aktvendim të Gjykatës Themelore në Pejë. Sipas MBPZhR-së, ky veprim është pjesë e zbatimit të vendimit të ministrit Armend Muja për kthimin e të gjitha pronave të uzurpuara në administrim të ligjshëm.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Çdo pronë e Institutit Bujqësor të Kosovës që është uzurpuar ose shfrytëzohet pa bazë ligjore do t’i rikthehet posedimit të ligjshëm të Ministrisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përmes procedurave të rregullta ligjore”, ka deklaruar ministri Muja.

Ministria ka theksuar se do të vazhdojë procesin e identifikimit, lirimit dhe mbrojtjes së pronave që administrohen prej saj, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe administrative.

Po ashtu, MBPZhR u ka bërë thirrje të gjithë shfrytëzuesve të paautorizuar të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës që të respektojnë dispozitat ligjore dhe vendimet e institucioneve kompetente, me qëllim të mbrojtjes së pasurisë publike dhe zbatimit të ligjit. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi