Legjenda e futbollit gjerman, Oliver Kahn, ka dalë në mbrojtje të Julian Nagelsmannit pas eliminimit të Gjermanisë nga Paraguai në Kupën e Botës 2026, duke theksuar se problemi nuk qëndron te trajneri, por te gjendja e përgjithshme e futbollit gjerman.
Ish-portieri dhe ish-drejtori ekzekutiv i Bayern Munich beson se dështimi nuk mund t’i faturohet vetëm Nagelsmannit, pasi edhe Joachim Löw dhe Hansi Flick patën të njëjtin fat në Botëror, ndonëse secili kishte filozofi dhe stil të ndryshëm loje. “Nuk ka kuptim të flitet vetëm për trajnerin e ardhshëm të kombëtares.
Tre trajnerë të ndryshëm – Joachim Löw, Hansi Flick dhe Julian Nagelsmann – kanë dështuar në të njëjtën pikë. Tre ide të ndryshme loje, tre stile të ndryshme drejtimi, por i njëjti rezultat. Kjo tregon se problemi është shumë më i thellë”, shkroi Kahn në LinkedIn.
Sipas tij, momenti më domethënës i eliminimit ishte seria e penalltive ndaj Paraguait, kur kapiteni Joshua Kimmich kërkonte lojtarë që të merrnin përsipër ekzekutimin. “Kur seria e penalltive vazhdoi, pashë Joshua Kimmichin duke kërkuar se kush do të gjuante. Për mua, ky ishte momenti më domethënës i këtij eliminimi. Një skuadër e madhe nuk kërkon vullnetarë në atë moment.
Ajo ka lojtarë që e kërkojnë vetë topin”, u shpreh Kahn. Ai kritikoi gjithashtu edhe Federatën Gjermane të Futbollit (DFB), duke thënë se duhet të ndryshojë mënyrën se si ndërton kulturën e suksesit. “Një organizatë e fortë nuk matet nga një sukses i vetëm, por nga aftësia për të prodhuar vazhdimisht performanca të jashtëzakonshme. Përgjegjësia duhet të kultivohet çdo ditë.
Performanca duhet të jetë mbi statusin, ambicia mbi rehatinë dhe skuadra mbi egon individuale. Ndoshta këtu qëndron keqkuptimi ynë më i madh. Ne duam rezultate të nivelit botëror, por pa pranuar presionin maksimal dhe sakrificat që kërkon suksesi. Kështu nuk ndërtohen kampionët”, shtoi ai. Pas eliminimit të hershëm nga Kupa e Botës, e ardhmja e Nagelsmannit mbetet e paqartë.
Megjithatë, vetë trajneri ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe do të vazhdojë në detyrë për sa kohë që do të ketë besimin e drejtuesve të Federatës Gjermane të Futbollit.
