Hull shmang dënimin, shet dy lojtarë

0%

Hull City ka shmangur një dënim të mundshëm me zbritje pikësh në Premier League, pasi arriti të shesë dy lojtarë përpara afatit të rregullave të Profit and Sustainability Regulations (PSR).

Klubi, i cili siguroi rikthimin në elitën angleze pas fitores 1-0 ndaj Middlesbrough në finalen e “play-off”-it të Championship, kishte një tejkalim të shpenzimeve prej rreth 6 milionë paundësh për sezonin 2025/26. Sipas BBC, nëse nuk do ta zgjidhte këtë problem deri më 30 qershor, Hull rrezikonte të niste sezonin e ri me deri në gjashtë pikë më pak.

Për të balancuar financat, drejtuesit e klubit finalizuan dy transferime të rëndësishme. Portieri Ivor Pandur u transferua te Rangers për rreth 6 milionë paund. 26-vjeçari ishte një nga lojtarët kyç në ngjitjen e Hullit në Premier League, duke zhvilluar 45 ndeshje dhe duke mbajtur portën të paprekur në 11 prej tyre.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai ishte blerë nga Fortuna Sittard në janar të vitit 2024 për vetëm 1.5 milionë paund, çka i solli klubit një fitim të konsiderueshëm. Më pas, Hull shiti edhe mesfushorin 19-vjeçar Aidon Shehu te Panathinaikosi për rreth 2.5 milionë paund.

Talenti i ri ishte transferuar më herët nga Southend United për një shumë minimale dhe nuk kishte debutuar ende me ekipin e parë, ndaj ky transferim u konsiderua pothuajse fitim i pastër në aspektin financiar. Shitja e Shehut u bë edhe më e rëndësishme pasi dështoi kalimi i sulmuesit Kyle Joseph te Middlesbrough për rreth 5 milionë paund.

Falë këtyre dy largimeve, Hull arriti të eliminojë deficitin financiar përpara afatit të PSR-së dhe shmangu çdo rrezik për ndëshkim, duke fituar njëkohësisht lirinë për të investuar në merkaton e verës.

Klubi pritet tani të përqendrohet te përforcimi i skuadrës për sezonin e ri në Premier League, ndërsa do të përfitojë edhe nga sistemi i ri financiar Squad Cost Ratio (SCR), i cili do të zëvendësojë rregullat aktuale të PSR-së dhe do të vlerësojë raportin mes të ardhurave të klubit dhe shpenzimeve për skuadrën në baza vjetore..

Burimi: Bota Sot