Fitorja 2-0 e Shteteve të Bashkuara ndaj Bosnje e Hercegovinës u la në hije nga kartoni i kuq i diskutueshëm i Folarin Balogunit, ndërsa në kampin amerikan kanë shpërthyer kritikat për standardet e dyfishta të arbitrimit, duke përmendur edhe një incident të ngjashëm me Lionel Messin në këtë Kupë Bote.
Balogun u përjashtua në minutën e 64-t pas një rishikimi të gjatë nga VAR-i, pasi gjyqtari vlerësoi se ndërhyrja e tij ndaj Tarik Muharemović ishte e rrezikshme. Sulmuesi amerikan e goditi kundërshtarin në kyçin e këmbës gjatë një dueli për topin dhe u ndëshkua me karton të kuq direkt.
Vendimi shkaktoi polemika të mëdha, sidomos pasi ish-mbrojtësi i SHBA-së, Alexi Lalas, publikoi pamje të një ndërhyrjeje të Lionel Messit ndaj Aïssa Mandit në ndeshjen Argjentinë–Algjeri, ku kapiteni argjentinas nuk u ndëshkua fare. Trajneri i SHBA-së, Mauricio Pochettino, e cilësoi vendimin të padrejtë, duke këmbëngulur se Balogun nuk kishte asnjë qëllim të dëmtonte kundërshtarin.
“Për mua nuk ishte kurrë karton i kuq. Nuk kishte asnjë qëllim për ta shkelur lojtarin. Ishte një situatë normale futbolli dhe ndodhi aksidentalisht. Balogun është shumë i zhgënjyer, por nuk mund ta ndryshojmë atë që ndodhi. Shpresoj që skuadra të vazhdojë më tej dhe ai të jetë sërish i gatshëm”, deklaroi Pochettino.
Edhe mesfushori Weston McKennie mbështeti trajnerin, duke thënë se shumica e lojtarëve në dhomat e zhveshjes nuk pajtohen me vendimin e arbitrit. “Nuk e kam parë sërish rastin, por nga ajo që kanë thënë bashkëlojtarët, nuk ishte karton i kuq. Në rastin më të keq mund të ishte karton i verdhë, sepse nuk kishte asnjë qëllim.
Gjatë këtij turneu kemi parë ndërhyrje të ngjashme që nuk janë ndëshkuar fare”, tha ai. Alexi Lalas shkoi edhe më tej, duke sugjeruar se emri i lojtarit ka ndikuar në vendimin e arbitrave. “Nuk ishte karton i kuq. Nëse emri i tij do të ishte Lionel Messi, siç e pamë më herët në këtë turne, ai ende do të ishte në fushë dhe do të luante në Seattle”, d eklaroi ish-mbrojtësi amerikan.
SHBA do të përballet me Belgjikën në fazën e 1/8 së finales, por pritet ta bëjë këtë pa golashënuesin e saj kryesor. Sipas rregullores së FIFA-s, një karton i kuq direkt për lojë të rëndë sjell të paktën një ndeshje pezullim, ndërsa Komisioni Disiplinor mund ta zgjasë dënimin nëse e konsideron ndërhyrjen veçanërisht të rrezikshme. Federata amerikane pritet të paraqesë ankesë ndaj vendimit.
