Gjallesa e Antarktidës mund të ndihmojë në zhvillimin e ilaçit të ri

0%

Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Një organizëm i vogël detar që jeton në ujërat e akullta të Antarktida mund të ndihmojë në zhvillimin e një trajtimi të ri kundër melanomës, formës më vdekjeprurëse të kancerit të lëkurës, ka raportuar The Guardian.

Studiues nga Universiti i Floridës kanë zbuluar se toksinat e prodhuara nga ascidiet, të njohura edhe si “sea squirts”, kanë shkatërruar qelizat e melanomës te minjtë laboratorikë, pa u shkaktuar atyre dëme. “Lajmi i mirë është se toksina nuk i vrau minjtë. Ajo shkatërroi kancerin e tyre, çka tregon se ka potencial të veprojë si një ilaç.

Tani na duhen sasi më të mëdha për studime të tjera te kafshët dhe, nëse provohet se është e sigurt, mund të fillojmë edhe provat te njerëzit”, ka thënë profesori i kimisë, Bill Baker. Megjithatë, ai ka theksuar se rruga drejt një ilaçi të miratuar është e gjatë dhe kërkon shumë faza testimi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas Baker, ekspedita gjashtëjavore në Antarktidë u ka dhënë shkencëtarëve njohuri të reja për mënyrën se si bakteret që prodhojnë këto toksina jetojnë brenda organizmave detarë, duke i afruar më shumë drejt zhvillimit të një trajtimi. Një tjetër sfidë është sigurimi i sasive të mjaftueshme të toksinës.

“Nga një grumbull ascidiesh sa madhësia e një topi basketbolli, arrijmë të marrim vetëm një pjesë shumë të vogël të kësaj lënde. Nuk mund të mbledhim sasi të mëdha nga Antarktida, sepse do të dëmtonim ekosistemin. Prandaj duhet të gjejmë një mënyrë për ta prodhuar atë në laborator”, ka shpjeguar ai.

Baker ka shtuar se më shumë se gjysma e ilaçeve të miratuara nga autoritetet shëndetësore kanë origjinë nga substanca natyrore. “Për mua, ky zbulim është kulmi i karrierës. Të shkatërrosh qelizat e kancerit në laborator është një gjë, por ta provosh këtë edhe te organizmat e gjallë është shumë më e vështirë. Fakti që kemi arritur deri këtu është jashtëzakonisht inkurajues.

Tani na pret hapi i radhës”, ka thënë ai.

Burimi: Koha