OVL-UÇK paralajmëron protesta, s’e përjashton përshkallëzimin

0%

Shpërndaje në: Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka paralajmëruar protesta e madje s’e ka përjashtuar as mundësinë e përshkallëzimit, pasi Gjykata Speciale shtyu për 16 shtator datën e shpalljes së vendimit në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Specialja njoftoi të mërkurën për datën e shpalljes së vendimit.

Kjo paraqet shtyrje pasi paraprakisht data e fundit ishte njoftuar të jetë 20 korriku. E para korrikut ishte edhe maji. Në një reagim publik, OVL-UÇK e ka cilësuar të padrejtë dhe të papranueshëm caktimin e kësaj date. Ajo e ka cilësuar këtë njoftim, në shërbim të Serbisë.

“OVL UÇK, caktimin e 16 shtatorit si raundin e radhës të poshtërimit publik ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit; e konsideron të padrejtë dhe të papranueshëm.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Shtyrjet e njëpasnjëshme, të maskuara si përgjigje ndaj vëllimit dhe kompleksitetit, vërtetojnë atë që kemi theksuar që në fillim: ky proces është thjesht në shërbim të politikës së Serbisë dhe aleatëve të saj, me qëllim që ta ulë në bankën e të akuzuarve Luftën Çlirimtare, ndërkohë që amniston makinerinë gjenocidiale të shtetit fashist serb, duke e shpëtuar nga llogaridhënia.

Asnjë kalendar gjyqësor nuk e rishkruan themelin e lirisë së Kosovës, luftën e drejtë për mbijetesë. Misionin që dikur e kishte EULEX, po e vazhdon me besnikëri Haga, ndërkohë që qasja e disa qarqeve ndërkombëtare, që shpesh deklarohen si partnere të Kosovës, ka krijuar barriera të vazhdueshme ndaj vlerave të Luftës Çlirimtare dhe ka penguar zhvillimin e plotë të vendit tonë.

Kjo situatë nuk mund të tolerohet më. Rezistenca jonë do të zhvendoset në rrugë përmes protestave, duke mos përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të tyre nëse zëri ynë vazhdon të injorohet”, thuhet në reagim të OVL-së.

Burimi: Koha