Shpërndaje në: Profesori i Ekonomisë, Fidan Qerimi, ka thënë se beson që paga minimale prej 500 eurosh do të bëjë që një numër i bizneseve të mbyllen. Ai ka thënë se bazuar në direktivat e Bashkimit Evropian paga minimale duhet të jetë 50 për qind e pagës mesatare. Sipas tij në Kosovë tani paga minimale është sa rreth 70 për qind e pagës mesatare.
“Në aspektin social konsideroj që është e arsyeshme për t’u rritur, por në aspektin ekonomik fatkeqësish nuk është brenda parametrave ose indikatorëve ekonomikë. Sipas direktivës së Bashkimit Evropian, paga minimale duhet të jetë rreth 50 për qind e pagës mesatare, e që është 356 euro nëse e llogarisim për Kosovën.
Kjo i bie se aktualisht paga minimale është rreth 70 për qind e pagës mesatare”, është shprehur Qerimi në emisionin “Konfront” në KTV. Ai ka thënë se mendon që ky është një presion ndaj bizneseve.
“E kuptoj që pjesa sociale qëndron sa u përket shpenzimeve, por nëse e shikojmë në aspektin biznesor, ky është një presion ndaj bizneseve që kanë produktivitet të ultë, më së shumti atakohen bizneset familjare, bizneset e gastronomisë, ato që janë në prag të falimentimit ose që çalojnë në funksionim Ky vendim do të ketë një ndikim negativ te këto kompani dhe pritet e mija janë që një pjesë e këtyre bizneseve do të mbyllen”, është shprehur Qerimi.
Nga sot paga minimale në Kosovë do të rritet në 500 euro bruto. Kjo është faza e dytë e zbatimit të vendimit të Qeverisë, pas rritjes në 425 euro më 1 janar të këtij viti.
