Shtrenjtimi i biletave të transportit publik urban në Prishtinë ka hyrë në fuqi nga sot, më . Me vendimin e miratuar nga Komuna e Prishtinës, bileta e rregullt nga 0.50 euro është rritur në 0.80 euro, ndërsa për përdoruesit e kuletës digjitale çmimi është 0.60 euro.
Drejtori i Mobilitetit në Komunën e Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci, më ka bërë të ditur për KALLXO.com se me vendimin e ri janë përcaktuar tarifa më të favorshme për qytetarët, për kategoritë ditore, javore dhe mujore. “Me këtë vendim, bileta e rregullt nga 0.50 euro kalon në 0.80 euro, ndërsa me kuletën digjitale çmimi është 0.60 euro.
Po ashtu, janë përcaktuar çmime më të favorshme në të gjitha kategoritë ditore, javore dhe mujore, veçanërisht për përdoruesit e kuletës digjitale.”- ka thënë Bajqinovci. Sipas tij, përditësimi i tarifave është pjesë e reformimit të transportit publik në kryeqytet.
“Ky vendim është pjesë e procesit të digjitalizimit dhe modernizimit të sistemit të transportit publik, me synim krijimin e një shërbimi më efikas, më të qëndrueshëm dhe më cilësor për qytetarët.”- ka deklaruar ai më . Bajqinovci po ashtu shtoi se vendimi është mbështetur në analizat financiare të kryera gjatë muajve të fundit.
Ky vendim i Komunës është kundërshtuar nga asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Leonora Shabani-Bajraktari, e cila tha se vendimi është marrë pa diskutime dhe pa dëgjime publike me qytetarët, si dhe pa u trajtuar në Kuvendin Komunal.
“Kuptohet që këtë vendim Komuna e Prishtinës e ka marrë krye më vete, pa e diskutu edhe me qytetarët në dëgjime publike po gjithashtu pa e diskutu edhe në Kuvendin Komunal” – tha Shabani-Bajraktari. Ajo shtoi se Lëvizja Vetëvendosje është kundër këtij vendimi pasi që, sipas saj, ai prek drejtpërdrejt qytetarët.
“Lëvizja Vetëvendosje është kundër këtij vendimi për arsye se drejtpërdrejt preket qytetari. Gjatë zgjedhjeve, në fakt edhe PDK-ja edhe LDK-ja kanë ofru transport falas për shumë kategori, po gjithashtu edhe kanë ba promovimin e transportit publik. Po në fakt ata vetëm e kanë ba një punë që është shtrenjtimi i transportit publik për qytetarët.
Lëvizja Vetëvendosje kuptohet që do të bëjë të pamundurën për me e ngritë si çështje në Kuvendin Komunal, për arsye se ky vendim është marrë krye më vete nga qeverisja lokale në krye me kryetarin Përparim Rama.”- tha ajo.
Edhe disa qytetarë e konsideruan të rëndë e jo të drejtë vendimin për rritjen e çmimit të biletave, duke thënë se kjo rëndon edhe më shumë gjendjen ekonomike të familjeve. “Me të vërtetë jua them nuk është e lehtë se trajtimi i punëtorëve dhe rrogave nuk po ec. Dhe nuk e di në çfarë baza është bë, po e rëndë po më duket” – tha qytetari Martin Quni.
Një tjetër qytetar, Asllan Janova, vlerësoi se rritja është e lartë dhe se vendimi është marrë pa konsultim me qytetarët. “Unë mendoj se në përgjithësi popullata, qytetarët, kanë vërejtje, me siguri kanë vërejtje se është shtrenjtim i lartë. Rrogat e ulëta, të ardhura pak, papunësi e madhe edhe sigurisht se kanë vërejtje.
Kryesia e Komunës ka marrë një vendim decidiv, pa u konsultu me qytetarët, pa bë me shërbyes civilë, a bën a s’bën, me e bë atë shtrenjtim. Mendoj se vërejtje e madhe, unë personalisht kam vërejtje pse me e rrit atë çmim. Nuk është normale” – u shpreh Janova. Megjithatë, jo të gjithë qytetarët e kundërshtojnë vendimin.
Dedë Palokaj tha se rritja e çmimit është e arsyeshme, duke pasur parasysh rritjen e çmimeve edhe në sektorë të tjerë. “Unë mendoj se është vlerësim i qëlluar sepse gjithçka është e shtrenjtuar dhe kjo nuk është najfarë çmimi ekstrem. Mbasi Komuna e ka vendosë ashtu, është në rregull.” – tha Palokaj.
Tutje, drejtori i Mobilitetit edhe sot, më , ka treguar se ky vendim është marrë për qëllime të krijimit të një qëndrueshmërie ekonomike në trafikun urban.
“Andaj shtrenjtimi nëse e shohim si koncept, nëse i referohemi arsyetueshmërisë së kryeqytetit në fazën e digjitalizimit edhe në fazën ku është duke ndryshuar komplet qasja e trafikut urban ndaj qytetit, atëherë edhe kjo biletë, themi prej 10 centë, ka ndryshuar në kuletën digjitale.
Rëndësia e shfrytëzimit të digjitalizimit edhe e kuletës në këtë rast në trafikun urban, bashkëdyzimit të operatorit publik edhe trafikut urban në një tërësi, ka rëndësinë e saj të veçantë.
Nëse mbesim me kosto të njëjta dhe nëse mundohemi mos me e ndryshu, varësisht prej ndryshimeve që po ndodhin edhe ekonomisë që e kemi sot, atëherë e kemi problemin që nuk do të krijojmë një trafik urban të qëndrueshëm, e ky projekt do të dështon rrugës. Andaj krejt këto janë ba për me kriju një qëndrueshmëri në trafikun urban” – tha Bajqinovci.
Kujtojmë që nga data deri më , punonjësit e Trafikut Urban kishin hyrë në protestë për nëntë ditë rresht, për shkak të mospagesës së pagave dhe mungesës së buxhetit, situatë që kishte paralizuar pothuajse plotësisht transportin publik në kryeqytet.
Gjatë kësaj periudhe, për shkak të vështirësive financiare dhe mungesës së furnizimit me karburant, Trafiku Urban kishte ndërprerë qarkullimin në të gjitha linjat që nga dita e parë e protestës. Në kulmin e krizës së transportit publik, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte mbajtur një seancë të jashtëzakonshme, ku ishte votuar bartja e mjeteve nga viti 2024 në vitin 2025.
Ky vendim ishte miratuar me shumicë votash, me 38 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim. Ndërkohë, protestat e punonjësve të Trafikut Urban dhe linjave private kishin vazhduar para objektit të Komunës së Prishtinës, ku ata kishin kërkuar zgjidhje për vonesat në paga që, sipas tyre, kishin nisur që nga muaji korrik, si dhe për përballjen me vështirësitë financiare të ndërmarrjes.
Në anën tjetër, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte akuzuar Qeverinë në detyrë për bllokimin e mjeteve të të hyrave vetanake të Komunës, ndërsa ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, kishte deklaruar se Komuna ishte futur në obligime pa mbulesë për shkak të vendimeve me karakter elektoral.
Ndërsa 11 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama , kishte marrë vendim që disa kategori të qytetarëve të liroheshin nga pagesa e biletave në autobusët e Trafikut Urban.
Sipas vendimit të datës , nga data nga pagesa e biletave përfshihen stafi shëndetësor, si dhe personeli administrativ, teknik dhe mbështetës në të gjitha institucionet shëndetësore në kryeqytet. Po ashtu, nga pagesa lirohen edhe nxënësit e shkollave të mesme në Prishtinë, si dhe studentët e kryeqytetit.
