“Sa më i fortë dokumentimi, aq më e dobët bëhet gënjeshtra. Sa më e qartë evidenca, aq më e vështirë bëhet fshirja e përgjegjësisë. Sa më serioz shteti ynë, aq më e fortë bëhet e vërteta jonë edhe në arenën ndërkombëtare”.
Ky ka qenë mesazhi i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të takimit konsultativ të organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ku për herë të parë është prezantuar versioni fillestar i listës së viktimave të luftës në Kosovë.
Kurti ka theksuar se dokumentimi ka rëndësi të veçantë edhe për drejtësinë, duke shtuar se krimet e kryera gjatë luftës nuk mund të mbeten vetëm në kujtesë. “Ato duhet të jenë pjesë e dosjeve, arkivave, hetimeve, proceseve të drejtësisë dhe punës institucionale për zbardhjen e plotë të asaj që ka ndodhur. Një shtet që kërkon drejtësi duhet të ndërtojë bazën faktike për të.
Kjo bazë ndërtohet me hulumtim, me dokumentim dhe me verifikim të qëndrueshëm”, citohet kryeministri në detyrë. Ai ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, siguri dhe bashkëpunim rajonal, por sipas tij, paqja e qëndrueshme kërkon ballafaqim me të vërtetën.
“Mohimi i krimeve, relativizimi i përgjegjësisë dhe fshehja e të dhënave për personat e zhdukur me dhunë nuk i shërbejnë as paqes, as drejtësisë dhe as sigurisë në rajon. Serbia duhet të përballet me krimet e kryera në Kosovë, të hapë arkivat dhe të veprojë në frymën e bashkëpunimit, për të cilin është obliguar edhe me Deklaratën e 2 majit 2023 në Bruksel.
Fshehja e krimeve përmes klasifikimit të tyre për dekada nuk i shërben normalizimit të marrëdhënieve”, ka theksuar Kurti. Kurti ka shtuar se krimet e luftës në Kosovë kërkojnë trajtim serioz, institucional dhe të vazhdueshëm. “Nuk mjafton që ne ta dimë çfarë ka ndodhur. Duhet ta dokumentojmë, ta verifikojmë dhe ta ruajmë.
Duhet ta bëjmë të qasshme për drejtësinë dhe për brezat që vijnë pas nesh”, citohet të ketë thënë ai. Në fund, Kurti ka theksuar se dokumentimi i saktë është thelbësor për të vërtetën dhe drejtësinë. “Sa më i fortë dokumentimi, aq më e dobët bëhet gënjeshtra. Sa më e qartë evidenca, aq më e vështirë bëhet fshirja e përgjegjësisë.
Sa më serioz shteti ynë, aq më e fortë bëhet e vërteta jonë edhe në arenën ndërkombëtare”. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
