27 vjet pas luftës prezantohet lista preliminare e viktimave

0%

Shpërndaje në: 27 vjet pas luftës është mbajtur një takim konsultativ ku është diskutuar dhe prezantuar versioni fillestar i listës preliminare të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Takimi ku është diskutuar edhe për plotësimet e nevojshme, është ftuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit thuhet se në takim kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve relevante, përfaqësues nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti i Prishtinës, ekspertë dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme.

Sipas njoftimit kryeministri në detyrë Albin Kurti, e ka vlerësuar si të domosdoshëm dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe ndërtimin e një evidence shtetërore të besueshme për viktimat e saj. Ai thuhet se e ka vlerësuar rëndësinë e takimit, duke thënë se në të prezantohet lista preliminare e viktimave të luftës në Kosovë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Kjo listë është rezultat i një procesi më shumë se dyvjeçar të mbledhjes, krahasimit dhe të verifikimit të të dhënave. Në këtë punë, saktësia ka një peshë të posaçme. Secili emër në këtë listë përfaqëson një jetë të humbur, një familje të goditur dhe një pjesë të historisë sonë. Prandaj, çdo e dhënë duhet të trajtohet me kujdes.

Respekti ndaj viktimave nuk shprehet vetëm me fjalë; shprehet edhe me seriozitetin, me të cilin shteti i dokumenton emrat, rrethanat dhe të vërtetën për fatin e tyre”, citohet të ketë thënë Kurti. Kurti ka vlerësuar se dokumentimi ka rëndësi edhe për drejtësinë. Sipas tij krimet e kryera gjatë luftës nuk mund të mbeten vetëm në kujtesë.

“Ato duhet të jenë pjesë e dosjeve, arkivave, hetimeve, proceseve të drejtësisë dhe punës institucionale për zbardhjen e plotë të asaj çfarë ka ndodhur. Një shtet që kërkon drejtësi duhet të ndërtojë bazën faktike për të. Kjo bazë ndërtohet me hulumtim, me dokumentim dhe me verifikim të qëndrueshëm”, citohet kryeministri në detyrë.

Ai ka thënë se Kosova është e përkushtuar për paqe, për siguri dhe për bashkëpunim rajonal. Mirëpo, sipas Kurtit, paqja e qëndrueshme dhe siguria për të gjithë, kërkon ballafaqim me të vërtetën. “Mohimi i krimeve, relativizimi i përgjegjësisë dhe fshehja e të dhënave për personat e zhdukur me dhunë, nuk i shërbejnë as paqes, as drejtësisë, as sigurisë dhe as të ardhmes së rajonit.

Serbia duhet të përballet me krimet e kryera në Kosovë, të hap arkivat dhe të veprojë në frymën e pendesës e të bashkëpunimit, për të cilin është obliguar me Deklaratën e 2 majit të vitit 2023 nga Brukseli. Fshehja e krimeve përmes klasifikimit të tyre për dekada të tëra, nuk i shërben normalizimit të marrëdhënieve, bashkëpunimit e as paqes në rajon”, ka theksuar Kurti.

Kurti ka thënë se krimet e Serbisë në Kosovë, karakteri dhe përmasat gjenocidale të dhunës shtetërore dhe përpjekja për ta zhbërë praninë shqiptare nga Kosova, kërkojnë trajtim serioz, institucional dhe të vazhdueshëm. “Nuk mjafton që ne ta dimë çfarë ka ndodhur. Duhet ta dokumentojmë, duhet ta verifikojmë dhe duhet ta ruajmë.

Duhet ta bëjmë të qasshme për drejtësinë, por edhe për brezat që do të vijnë pas nesh”, citohet të ketë thënë Kurti. Ai ka thënë se shteti nuk mund të mbështetet vetëm në kujtesë individuale, sado të shumta e të mira të jenë ato. “Kujtesa është e çmuar, por ajo duhet të mbrohet me dokumente.

Emrat, datat, vendet, dëshmitë, burimet, arkivat dhe provat, duhet të lidhen në një sistem të besueshëm. Vetëm kështu e vërteta bëhet e qëndrueshme ndaj mohimit, relativizimit dhe propagandës”, citohet tutje Kurti. Ai ka thënë se Serbia vazhdon të mos përballet me të kaluarën e saj gjenocidale. “Për këtë arsye, puna jonë duhet të jetë edhe më e saktë.

Sa më i fortë dokumentimi, aq më e dobët bëhet gënjeshtra. Sa më e qartë evidenca, aq më e vështirë bëhet fshirja e përgjegjësisë. Sa më serioz shteti ynë, aq më e fortë bëhet e vërteta jonë edhe në arenën ndërkombëtare”, është shprehur Kurti.

Burimi: Koha