A do ta shembë Revolucioni Flamengo mitin e kozmopolizmit dhe a do ta

0%

Që në fillim më duhet ta ridefinoj një hipotezë që ndoshta për shumëkënd duket e paqenë, por që për një sociolog me përvojë e zgjon kureshtjen shkencore, sidomos kur të kihet parasysh se shumë fenomene e dukuri të ndodhura në kulturën dhe etnopsikologjinë tonë kombëtare kanë nevojë për diagnoza e terapi adekuate.

Aq më tepër kur koha në të cilën po jetojmë, me zhvillimet dhe rirreshtimet tektonike që po ndodhin në nivel global dhe kontinental, po kërkon shpjegime të duhura dhe të shpejta.

Në këtë kontekst, sonda jonë do të bëjë përpjekje të analizojë një korelacion interesant sociologjik: atë të gjasave që Revolucioni Flamengo mund ta kontestojë e, pse jo, edhe ta shembë mitin e kozmopolizmit, të cilin e amputoi rrufeshëm dhe pa u diktuar rendi i neoliberalizmit, që dikush e identifikon me globalizimin e dikush me amerikanizmin apo perëndimizimin.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dhe se cilat janë perspektivat sociologjike që ky mit konsumist ta rikthejë shqiptarin në ish-shtratin e tij të njohur si shqiptarizëm. Shqiptarizmës që gjatë gjithë periudhës së tranzicionit iu periferizua me shpejtësi drite nga përditshmëria sociale, politike e kulturore.

Pra, thënë më thjesht, jam shumë kureshtar ta di se në ç’drejtim po na çojnë protestat dhe revoltat popullore dhe në ç’masë pushtetet e këtyre 36 viteve e ndihmuan ngjizjen e mitit të lartcekur, që la pas vetes: shpopullimin përmes indiferencës ndaj migrimit të 1 milion shqiptarëve; kushte dhe dyshime serioze për krim dhe korrupsion galopant; zhveshje pothuajse totale nga ndjenja kombëtare dhe përgjegjësia shtetërore etj.

E themi kështu për shumë arsye, por njëra prej tyre, që sociologjikisht mund të konstatohet, është se shqiptarët e Shqipërisë, duke qenë të ngujuar me dekada të tëra në diktaturën komuniste, menjëherë pas rënies së saj, për dallim nga shoqëria kosovare, me një afsh të paparë ndonjëherë në vendet e tranzicionit, filluan të imitonin çdo (anti)vlerë dhe çdo (anti)normë perëndimore.

Në gjykimin tim, kjo “grabitje” e shpejtuar dhe tejet e pakontrolluar nga elitat intelektuale dhe ato politike bëri që shqiptarët e rëndomtë, duke dashur t’i “shijonin” frytet e demokracisë, t’ua hapnin dyert e migrimit mbi një milion shqiptarëve, të cilët, përveç brezit të parë, të gjithë të tjerët u futën në “kazanin shkrirës” të botës perëndimore, për ta “mësuar” “leksionin” e kozmopolizmit evropian.

Dhe, nëse tani i kthehemi titullit hipotetik se sa Revolucioni Flamengo do të mund ta shembë në themel idenë, konceptin, por edhe arkitekturën e ngritur të “virusit” të amputuar vullnetarisht mbi kozmopolizmin e shqiptarëve, dhe sa po e rizgjon atë ndjenjë të munguar të përkatësisë etnike shqiptare që po manifestohet çdo natë përmes afishimit të simboleve kombëtare (flamujve kombëtarë, plisave, veshjeve tradicionale etj.) nëpër rrugët e Tiranës?

Por, kur jemi te ky ndikim i revoltës, që po manifestohet dhe demonstrohet përmes këtyre simboleve, duhet thënë se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm. Sepse, pas rënies së stalinizmit shqiptar në vitet 1990–1991, u krijua një boshllëk evident ideologjik, ku identiteti i ndërtuar mbi konceptin e marksizëm-leninizmit humbi legjitimitetin pothuajse brenda natës.

Në këtë kontekst, flamuri kombëtar, historia kombëtare dhe figurat historike u shndërruan në pika të reja referimi për identitetin. Dhe, shikuar me “dioptrinë” sociologjike, kjo ishte mënyra më tipike e transformimit sociopolitik, ngase narrativa shkatërruese ideologjike u zëvendësua pothuajse në mënyrë të padukshme me narrativën kombëtare.

Megjithatë, do të ishte e tepruar të thuhej se e gjithë kjo “odisejadë” transformuese e shoqërisë shqiptare e “betonoi” përfundimisht ndjenjën kombëtare në kokat e brezave që erdhën më pas.

Folur me gjuhën e një kirurgu social, ky proces duhet pranuar se identitetin kombëtar e bëri shumë më të dukshëm në jetën publike; pastaj krijoi simbolika të reja bashkimi në një periudhë pasigurie dhe rivlerësoi historinë kombëtare, e cila kishte qenë pjesërisht e interpretuar kryekëput përmes dioptrisë së “tytës” ideologjike komuniste.

Ndërkaq, kur është fjala te çështja e masës apo nivelit të “tronditjes” së rrënjëve dhe vlerave të mbjella pas rënies së stalinizmit, në gjykimin tonë, nga kjo distancë kohore katërdekadëshe, përgjigjja është se ky ndikim ishte shumë më i theksuar në planin simbolik, por jo edhe në atë social.

Themi kështu, sepse sistemi vleror i tranzicionit, që identifikohej përmes pluralizmit politik, ekonomisë së tregut, si dhe emigracionit masiv, i cili injektoi tiparin e individualizmit në mendjet dhe etnopsikologjinë shqiptare, e ndryshoi me shpejtësi drite të gjithë strukturën e shoqërisë shqiptare.

Dhe, si pasojë e gjithë këtij procesi transformues, nuk ishte nacionalizmi ai bartësi apo katalizatori i ndryshimit. Nacionalizmi, thënë ndryshe, nuk u bë asnjëherë ideologji dominuese në kulturën e veprimit dhe organizimit të shoqërisë shqiptare.

E vetmja e arritur e nacionalizmit shqiptar në këtë kohë ishte dhe mbeti mbijetesa dhe “bashkëjetesa” me sistemin e ri vleror demokratik, i cili pa ndalur “prodhonte” ide si ato për integrimin evropian dhe globalizimin, që e “vriste” çdo ditë ndjenjën e të qenit shqiptar.

Revolucioni Flamengo, dashur apo padashur, de facto dhe de jure, në gjykimin tim, është duke shërbyer edhe si një lloj “karikatori” mobilizues për një rindërtim, të paktën simbolik, të identitetit kolektiv shqiptar.

Themi kështu, ngase për çdo natë në rrugët e Tiranës ne po bëhemi dëshmitarë të një demonstrimi qytetërues, pa komplekse dhe pa inferioritet, as individual e as kolektiv, të shqiptarizmës së ndrydhur dhe të “ngujuar” në narrativat falso ideologjike, politike e partiake.

Por, duket se narrativa mbi kundërshtimin e çdo gjëje qeveritare dhe opozitare, pa ofruar alternativë konkrete dhe të definuar, i vuan edhe ca dobësi që duken të parëndësishme në këtë fazë kruciale për zgjerimin apo masivizimin e mëtejmë të revoltës.

Për fillim, po përdorim konceptin e historianit amerikan Timothy Snyder si një kornizë analitike, por jo edhe si model e si provë adekuate për të shpjeguar synimet, ambicien dhe qëllimet e Revolucionit Flamengo.

Sepse ai, si historian që është, më tepër është marrë me tiparet e funksionimit të pushteteve autoritare dhe mënyrat e rezistencës qytetare sesa me lëvizjet masive që e mundësojnë rënien e diktaturave demokratike.

Dhe këto procese ai i shpjegon më së miri në librat “On Tyranny” dhe sidomos në “On Freedom”, ku si “paralajmërues i hershëm” ka identifikuar ato rreziqe potenciale që mund të sjellë koncentrimi i tepërt i pushtetit në duart e një njeriu të vetëm, duke aluduar kështu në rastin e Donald Trump-it dhe autokratëve të tjerë periferikë.

Ndërkaq, nëse e analizojmë Revolucionin e Flamingove duke u mbështetur te përvoja e protestave të tjera historike dhe te konceptet e Snyder-it, mund të afishojmë ca dobësi evidente e interesante.

Si, p.sh., ajo e pretendimit të organizatorëve për t’i zgjeruar edhe më tej kërkesat, sikurse edhe ajo e formësimit të një strukture të qartë organizative, ku do të dihej me saktësi milimetrike kush dhe për cilin sektor të përgjegjësisë ka marrë përsipër detyrë në këtë revolucion; pastaj, ajo e rrezikut të përçarjes brenda komunitetit organizativ, që mund të shfaqet për shumë arsye e ambicie të protagonistëve që ende gjenden “nën hije”, si edhe mungesa e një strategjie të “daljes”, e cila zakonisht shfaqet kur nuk ka fitore simbolike që do ta “ushqente” mirëmbajtjen dhe vazhdimin e kauzës fillestare.

Andaj, duket se “Revolucioni Flamengo”, i drejtuar nga organizatorë ende anonimë, nuk e ka si imperativ aq ringjalljen e nacionalizmit shqiptar, sa luftimin e padrejtësive dhe të pabarazive ekonomike. Ndërkaq, kozmopolitizmi, në këtë rast, po (keq)përdoret vetëm si një “kalë Troje” për ta rrënuar sistemin e korruptuar dhe të kriminalizuar të qeverisë dhe opozitës aktuale…

Të gjitha këto, si të themi, dobësi, por edhe defekte, nga të cilat ca veçse janë shfaqur, por edhe të tjerat që mund të shfaqen në rrugëtimin maratonik të protestës, kanë rëndësi dhe peshë domethënëse po aq sa edhe tentativat e pushtetit që është duke i ndërmarrë përmes stigmatizimeve dhe paragjykimeve të pareshtura për kinse mbrojtjen e institucioneve të grabitura përmes patronazhistëve dhe grupeve të interesit që po e “mirëmbajnë” peng shoqërinë shqiptare.

Se sa do të zgjas ky proces i ndërgjegjësimit, këte askush nuk e di me saktësi, por efektet dhe pasojat afatgjata me siguri që do “regjistrohen” në katalogun e historisë…

Burimi: Bota Sot