Vollejbollistja 18-vjeçare Megi Bislimi ka ngritur debate të forta në opinionin sportiv pas mungesës së saj në Kombëtaren e Kosovës. Derisa Federata e Volejbollit thotë se talentja kosovare është ftuar vazhdimisht, por nuk u është përgjigjur ftesave, familja e saj thekson se prioritet mbetet shkollimi dhe zhvillimi akademik i saj.
Për këtë çështjem, për KosovaPress kanë folur sekretari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikqi, dhe nëna e volejbollistes, Mimoza Shkodra-Bislimi, të cilët kanë shpalosur qëndrimet e tyre mbi situatën. Sipas Nikqit, Megi Bislimi ka qenë pjesë e grupmoshave të Kosovës dhe se është ftuar edhe në Kombëtaren A, por nuk ka pranuar të bashkohet me ekipin.
Nikqi: Megi është ftuar në Kombëtaren A, por nuk është përgjigjur “Megi faktikisht është lojtare e Kombëtares së Kosovës, ajo ka përfaqësuar kombëtaren tonë në të kaluarën në grupmoshat e ndryshme. Ndërsa para disa viteve ka arritur të kalojë në klubin Eczacibasi në Turqi, ku është duke e kryer edhe shkollimin e saj.
Edhe vazhdimisht ka pasur ftesa, mirëpo gjithmonë arsyetimi ka qenë që shkaku i shkollës edhe angazhimeve që i ka në klub…Ka qenë e ftuar edhe në Kombëtaren A, për të marrë pjesë në garat për kualifikimet evropiane, të cilat kanë përfunduar ditë më parë. Mirëpo edhe kësaj radhe domethënë nuk i është përgjigjur ftesës”, theksoi Nikqi.
Nga ana tjetër, nëna e volejbollistes, Mimoza Shkodra-Bislimi, sqaroi se familja e ka vendosur arsimin në vend të parë dhe se kjo është arsyeja kryesore pse Megi nuk ka qenë e gatshme për angazhime me përfaqësuesen. Shkodra-Bislimi: Për Megin prioritet është shkollimi, pastaj volejbolli. “Si familje e kemi shkollimin e saj, mandej vjen e dyta volejbolli.
Nëse volejbolli pengon shkollimin e saj, sigurisht që e rekomandoj që ajo ta vazhdojë shkollimin, mandej volejbolli. A do të ketë probleme në këto dy situata, sigurisht se po, sepse atje verës janë provimet, ndërsa këtu mund të jenë garat e të tjera. Mirëpo Megi është shumë e re.
Do të thotë edhe 3 vjet universitet ajo i kryen shpejtë shpejt edhe mund që ta përfaqësojë mandej Kosovën pa pikë problemi sepse Megi është veç 18 vjet. Ka mundësi me luajt deri 32-33 vjet dhe sa të duash ta përfaqësojë Kosovën. Këtu është esenca e gjithë kësaj. Neve na intereson si familje në radhë të parë që ajo me arrit atë çfarë do në jetë”, tha fillimisht Shkodra.
Federata ndërkohë paralajmëron se do të ndërmarrë hapa zyrtarë për rastin, duke njoftuar institucionet ndërkombëtare të volejbollit për mosparaqitjen e lojtares, ndërsa vlerëson se prania e saj do të ishte shumë e rëndësishme për ekipin kombëtar.
Nikqi: Do të njoftojmë edhe Federatën Botërore të Volejbollit për këtë rast “Po me siguri që ne gjatë ditëve në vazhdim do të njoftojmë edhe Federatën Botërore të Volejbollit, edhe Federatën Evropiane për shkak të mospërgjigjes, pasi që ne kemi vërejtur se lojtarja gjatë kësaj periudhe ka pasur paraqitje në garat e ndryshme të volejbollit.
Kështu që unë po konsideroj që përvoja e saj dhe tanimë edhe pse në moshë të re, Megi ka arritur të krijojë një përvojë dhe është e domosdoshme dhe do të ishte një shtyllë e kombëtares tonë, që ajo të ishte së bashku me ne, sidomos në lojërat, në garën e Ligës Evropiane të cilën e kemi përfunduar më herët, por gjithashtu që edhe në të ardhmen, sidomos tanimë kur jemi para lojërave mesdhetare të Tarantos”, shtoi tutje Nikqi.
Familja, megjithatë, thekson se e kupton peshën e fanellës së Kosovës, duke kujtuar edhe lidhjen e saj shumëvjeçare me sportin dhe ekipet kombëtare. Shkodra-Bislimi: E dimë përfaqësimi çfarë rëndësie ka “Ne e dimë përfaqësimi çfarë rëndësie ka, sepse unë kam qenë 10 vjet kapitene e Kombëtares së Kosovës.
Gjithashtu edhe babai i Megit ka qenë një ish-sportist kulminant në basketboll në Kosovë dhe volejbollist. Dhe ne e dimë rëndësinë e saj. Mirëpo, koha kur kemi luajtur ne ka qenë ndryshe, ka qenë ai populizmi brenda vetes tonë shumë më i madh. Ndërsa sot rinia e shohin më shumë interesin. Dhe ne e respektojmë këtë, sepse e kemi parë që te Megi asnjë hap nuk e ka bërë deri sot gabim.
Dhe e kemi vlerësuar shumë. Rëndësia e kombëtares sigurisht që është e madhe për neve, edhe për Megin. Por jam e sigurt që Megi ka kohë sa të duash për me luajtur për kombëtaren”, shtoi ajo.
Çështja u komplikua edhe më shumë kur volejbollistja në fjalë u pa në një foto me një grup të madh të volejbollisteve që mbanin flamurin e Turqisë, derisa Nikqi, thotë se ka pasur tendenca që Bislimi ta përfaqësojë Turqinë, e jo Kosovën Nikqi: Këtë vit ka pasur tendenca që Megi ta ndërrojë federatën e origjinës, të kalojë në Federatën e Turqisë “ Pikërisht deri në këtë vit ka pasur tendenca që Megi ta ndërrojë federatën e origjinës, domethënë të kalojë në Federatën e Turqisë.
Mirëpo që nga shkurti i këtij viti, kjo tashmë nuk është e mundur në asnjë formë, për shkak të rregullave që Federata Ndërkombëtare e Volejbollit i ka bërë. Domethënë që nga shkurti i këtij viti, nëse një lojtar ose lojtare është paraqitur për cilëndo qoftë kombëtare të një shteti, domethënë ajo nuk e ka atë mundësi.
Kështu që Megi nëse nuk gabohem e ka domethënë nënshtetësinë turke, po ajo nuk mund të paraqitet, pasi se federata e origjinës është Federata e Kosovës. Është e rregulluar, edhe ajo është paraqitur me disa grupmosha, domethënë U18, U17 në kualifikime për Kampionatin Evropian. Kështu që kjo tashmë është e pamundur.
Unë po besoj që kjo paraqitje për kombëtaren tonë do të kishte ndikim mjaft pozitiv qoftë edhe për Megin si lojtare, pasi që shumë menaxherë do të ishte një mundësi e mirë që ta shohin atë për së afërmi edhe në mënyrë që të paraqitet edhe të ketë oferta edhe prej ekipeve të tjera ”, theksoi Nikqi.
Por, nëna e saj thotë se ajo është e vetëdijshme për rregullat e FIVB-së dhe se Megi nuk mund ta përfaqësojë Turqinë, por shtoi se për momentin vajza e saj nuk është e fokusuar te përfaqësimi i asnjë kombëtareje. Shkodra-Bislimi: Megi i takon Kosovës, nuk mund ta përfaqësojë Turqinë :“ Jo, tashmë jo. Megi i ka takuar Kosovës për ta përfaqësuar kombin e vet kudo nëpër botë.
A vjen, a s’vjen, është çështje e saj. Sot nuk mundet me u ndryshu rregullat e FIVB-së janë shumë të qarta. Ne e kemi shumë të qartë këtë si familje. Nuk e ka të mundur për momentin me përfaqësu Federatën Turke. Dhe më lejoni t’ju them diçka, shumë personalisht e kemi diskutuar me të.
E mbaj mend më tha, ‘unë nuk jam e interesuar as për Federatën Turke, as për Kosovën për momentin për arsye personale’. Sepse ka interesim të shkojë përpara me shkollim dhe jo vetëm me volejbollin”, tha në fund Shkodra-Bislimi.
Nikqi i ka bërë thirrje publike lojtares dhe familjes së saj që të mos harrojnë obligimin moral ndaj shtetit, duke kujtuar edhe faktin që ajo ka qenë përfituese e bursës olimpike. Mbetet për t’u parë nëse talentja do të zgjedhë lavdinë kombëtare apo do të vazhdojë heshtjen e saj.
