Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se synojmë modernizimin e plotë të sistemit të inspektimit në Kosovë. Ai, në prezantimin e raportit vjetor për inspektimet gjatë vitit 2025, tha se modeli i ri i inspektimeve do të bazohet në nivelin e rrezikut të bizneseve, ndërsa subjektet që përsërisin shkeljet ligjore do të përballen me masa më të ashpra, përfshirë gjoba dhe kallëzime penale.
Kurti: Synojmë modernizimin e plotë të inspektimit në Kosovë “Ndryshimet që i kemi nisur në sistemin e inspektimit synojnë modernizimin e plotë dhe rritjen e kapacitetit të inspektoratit të Kosovës si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal. Qëllimi kryesor është i përcaktuar me ligj: Mbrojtja e interesit publik, duke përfshirë shëndetin publik, sigurinë publike dhe mjedisin.
Një nga pjesët e rëndësishme të reformës është një qasje e re e bazuar në nivele të ndryshme të rrezikut të krijuara nga subjektet e ndryshme të inspektimit. P.sh, një biznes që merret me aktivitete të rrezikshme ose që ka një ndikim te një numër më i madh të konsumatorëve, parimisht duhet të inspektohet më shpesh sesa bizneset e tjera…
Reforma kërkon një qasje bashkëpunuese e cila synon të ulë sa më shumë barrën administrative mbi sektorin privat. P.sh., përmes listës së kontrollit të publikuar nga secili inspektorat, bizneset do t’i kenë mundësitë t’i dinë saktësisht kriteret ligjore në bazë të cilave do të inspektohen ato”, tha ai.
Ndërkaq, Inspektorja e Përgjithshme e Kosovës, Lyra Osmani, tha se prioritet është edhe digjitalizimi i inspektimeve në Kosovë. Ajo shtoi se gjatë vitit 2025 është shënuar progres në zbatimin e reformës së sistemit inspektues.
Osmani: Vitin e kaluar është shënuar progres në zbatimin e reformës në sistemin inspektues “Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm ka marrë përgjegjësinë dhe ka udhëhequr procesin e reformës së inspektimeve në nivel vendi, duke avancuar koordinimin ndërinstitucional dhe forcuar bashkëpunimin e të gjitha organeve inspektuese në Kosovë.
Misioni ynë është i qartë: të ndërtojmë një sistem inspektimesh proporcional, të koordinuar dhe të bazuar në vlerësimin e rrezikut, i cili mbron interesin publik dhe garanton sigurinë, shëndetin dhe mjedisin. Njëkohësisht, redukton barrën administrative për qytetarët dhe bizneset”, theksoi Osmani.
Në anën tjetër, menaxherja e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Carole Megevand, tha se kur inspektimet bëhen si duhet, ato krijojnë kushte që bizneset të zhvillohen, të rriten dhe të investojnë.
Megevand: Kur inspektimet bëhen si duhet krijojnë kushte që bizneset të zhvillohen “Është shumë e rëndësishme, sepse kur bëhen si duhet, inspektimet krijojnë kushte që bizneset të zhvillohen, të rriten dhe të investojnë. Ato ndihmojnë në mbrojtjen e qytetarëve, komuniteteve, sigurisë, si dhe të mjedisit.
Por, kur nuk zbatohen siç duhet, ato mund të krijojnë burokraci të panevojshme dhe një perceptim të mungesës së parashikueshmërisë, gjë që dekurajon investimet dhe ndikon negativisht në rritjen ekonomike. Prandaj, është shumë e rëndësishme që ato të realizohen në mënyrën e duhur.
Çështja nuk është nëse inspektimet janë të rëndësishme, por si të sigurohet që ato të krijojnë mjedisin më të favorshëm për zhvillimin e sektorit privat, pa e ngarkuar atë me masa administrative të panevojshme.
Mendoj se kjo është pikërisht rruga që kemi parë deri më tani në Kosovë – mënyra se si vendi po ecën drejt thjeshtimit të procedurave administrative, ndërsa njëkohësisht inspektimet mund të japin një kontribut kyç në krijimin e një mjedisi transparent, të drejtë, të barabartë dhe të parashikueshëm për sektorin privat”, përfundoi ajo.
Gjatë vitit 2025 sipas disa organizatave joqeveritare monitoruese është rritur numri i inspektimeve, por kjo nuk është shoqëruar domosdoshmërisht me përmirësim të zbatimit të ligjit. Sipas tyre, sanksionet shpesh nuk kanë qenë mjaftueshëm parandaluese, ndërsa në disa raste vendimet e inspektorëve nuk janë respektuar nga subjektet e inspektuara.
