Trump raporton mbi 1.4 miliard dollarë të ardhura nga sipërmarrjet

0%

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka raportuar mbi 1.4 miliard dollarë të ardhura nga sipërmarrjet e vjetme kripto të familjes së tij, duke treguar sesi ai, tani nxjerr pjesën më të madhe të të ardhurave nga asetet dixhitale që kanë përfituar nga politikat e tij, raporton Reuters .

Nga deklarimi për vitin 2025 në Zyrën e Etikës Qeveritare të SHBA-së mësohet se kompanitë e tij morën pothuajse 800 milionë dollarë nga “World Liberty Financial”, sipërmarrje kripto që ai dhe djemtë e tij e themeluan bashkërisht.

Këto të ardhura, të cilat presidenti i ndan me anëtarët e familjes, përfshinin më shumë se 520 milionë dollarë nga shitjet e tokenëve kripto dhe më shumë se 250 milionë dollarë nga shitja e interesave në biznesin “World Liberty”. Trump raportoi edhe 635 milionë dollarë të tjerë nga shitja e monedhave të tij meme Trump. Lajmi nënvizon se si kriptoja ka transformuar fatin e presidentit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në deklarimet e tij vjet, për shembull, presidenti raportoi 57.35 milionë dollarë nga shitjet e tokenëve në “World Liberty”, të cilat më pas u rritën nëntëfish në raportimin e sivjetme. Reuters kohët e fundit ka vlerësuar se familja Trump ka fituar të paktën 2.3 miliardë dollarë nga projektet e lidhura me kriptovalutat qëkur ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë më 2025.

Me marrjen e detyrës, Trump filloi të zbatojë politika dhe iniciativa që industria i shihte si të dobishme, nga zbatimi i rregullave federale për stablecoin-et deri te zbutja e kontrollit të industrisë nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së dhe Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Bursave.

Për vitin 2025, presidenti raportoi gjithashtu mbi 80 milionë dollarë të ardhura nga marrëveshjet me kompani të ndryshme mediatike dhe 52 milionë dollarë të ardhura nga kompania e tij që licencon emrin e tij për zhvilluesit e pronave jashtë vendit, të nxitura kryesisht nga marrëveshjet me partnerët e Lindjes së Mesme.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, ka theksuar se “as presidenti dhe as familja e tij nuk janë angazhuar ndonjëherë – ose nuk do të angazhohen ndonjëherë – në konflikte interesi. Presidenti Trump me krenari i bëri Shtetet e Bashkuara kryeqytetin e kriptovalutave të botës përmes veprimeve ekzekutive”.

Kelly ka shtuar: “Të gjitha veprimet e presidentit Trump dhe administratës së tij ndërmerren në interesin më të mirë të popullit amerikan – dhe çdo i ashtuquajtur ‘gazetar’ që shtyn ndryshe, po riciklon të njëjtën narrativë të lodhur dhe të rreme, që demokratët dhe mediat e trashëguara kanë shtyrë për një dekadë”. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

Burimi: Kallxo